1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi: "Wulffi e ka tepruar!"

3 Janar 2012

Përpjekja e presidentit gjerman Christian Wulff për të ndaluar në mes të dhjetorit publikimin e parë të hulumtimeve nga gazeta "Bild" mbi financimin e shtëpisë së tij po shkakton një valë të gjerë kritikash.

https://p.dw.com/p/13dMT
Silueta e presidentit Wulff.
Christian Wulff - i ka mbetur vetëm silueta e presidentit?!Fotografi: dapd

STUTTGARTER ZEITUNG:

"Me çdo detaj të ri, që zbulohet në lidhje me aferën amigo të Presidentit gjerman, është më e vështirë për ta kuptuar Christian Wulffin dhe dinamikën e brendshme të këtij njeriu. Strategjia mbrojtëse e Wulffit ka zgjuar që në fillim dyshime. Ai kërkon falje dhe pranon vetëm atë, që nuk mohohet dot më. Mënyra, se si ai menaxhon krizat, është dilentante, biles katastrofale. Përveç kësaj ajo zbulon një koncept tejet problematik për pushtetin."

FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG:

"Edhe për presidentin Wulff liria e shtypit përbën një "vlerë aq të madhe", saqë tri javët e fundit ka folur tri herë për të. Për herë të parë në Katar, për herë të dytë, kur pak para Krishtlindjeve bëri një deklaratë në emër të tij dhe së fundi dje, pasi ishin publikuar raporte për një mesazh të hollësishëm, që Wulff-i kishte lënë në kutinë postare të kryeredaktorit të gazetës "Bild" Diekmann, pak pasi ai ishte shprehur në Gjirin Persik për rëndësinë e lirisë së shtypit. Ato që qarkullojnë lidhur me fjalët e Wulff-it, i përshtaten shumë pak asaj, që ai ka pranuar publikisht. Kjo gjë i shkon vetëm një kryetari shteti, që është braktisur nga të gjithë shpirtrat e mirë."

DIE WELT:

Christian Wulff telefonon.
Christian Wulff: mos gaboni se...Fotografi: dapd

"Presidenti, që mbron me fjalë të thata lirinë e shtypit, për ta shkelur atë me këmbë në momentet vendimtare, duket se është krejtësisht në vendin e gabuar për një shoqëri të hapur. Politikanët, duke përfshirë presidentet, nuk duhet të jenë patjetër të shenjtë, në jetën e tyre parapresidenciale mund të kenë bërë me të vertetë gabime, por ata duhet të arrijnë një farë integriteti të arritur me punë, i cili karakterizon veprimet e tyre në të ardhmen. Christian Wulff shumë shpesh duket, sikur po përpiqet vetë të mësojë të ushtrojë postin e presidentit me learning by doing. Edhe për mbrojtësit e tij më të durueshëm dhe interpretuesit më dashamirës bëhet çdo ditë e më e qartë se sa mungesa ka Wulff-i në aspektin e urtësisë praktike, që presidentët para tij Heuss Theodor, Richard von Weizsäcker dhe Roman Herzog e përcaktuan si kriter për postin më të lartë të shtetit.

SÜDDEUTSCHE ZEITUNG:

"Pushteti formal i presidentit është i kufizuar ngushtë nga Kushtetuta. Pikërisht sepse është kështu, autoriteti dhe kredibiliteti i tij devijojnë prej asaj, që thotë titullari dhe mënyra si ai sillet. Por edhe këtë pushtet të kufizuar ai mund ta humbasë. Këtë Wulff-i e ka bërë. (...) Wulff-i dëshiron, kështu ka thënë, 'të përmbushë detyrën me të gjithë fuqinë!" Por forcë për të mbajtur së bashku këtë vend, këtë shoqëri, ai me sa duket nuk ka. Një njeri, që flet për lirinë e shtypit, por që nuk e respekton, nuk është presidenti i duhur."

FINANCIAL TIMES DEUTSCHLAND

"Një president nuk duhet ndoshta të tërhiqet, sepse në parlamentin e Saksonisë së Ulët nuk ka thënë të vërtetën. Ai nuk duhet ta bëjë këtë, sepse kalon pushimet tek miqtë biznesmenë, apo për shkak se merr kredi me një shkallë shumë të favorshme interesi. As për shkakun se ai i përgjigjet kritikave të drejta me manovra taktike dhe pranon gabimet, pasi ato janë bërë publike. Dhe ai nuk duhet të japë dorëheqjen, vetëm sepse i telefonon kryeredaktorit të "Bild-it", Kai Diekmann: .. Vetëm, po t'i mbledhësh të gjitha së bashku, bëhen ca si shumë. Wulff nuk di ta plotësojë detyrën e tij, siç duhet, nuk është për atë punë. Kredibiliteti i tij është i dëmtuar nga gabimet e shumta. Një njeri, që mbart këto me vete, nuk mund të qëndrojë gjatë president."


Autor: Martin Muno/Angjelina Verbica

Redaktoi: Bahri Cani