1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një Shqipëri në zhdukje e sipër

9 Qershor 2010

Fatos Baxhaku prezanton në Berlin mbresat e tij nga udhëtimet nëpër Shqipërinë e sotme. Një dokument i një Shqipërie që në një të ardhme të afërt nuk do të ekzistojë.

https://p.dw.com/p/NlSL
Fatos Baxhaku në Buchhaendlerkeller në BerlinFotografi: DW/Anila Shuka

“Qilari i librarëve” (Buchhaendlerkeller) është një adresë e njohur në Berlinin Perëndimor. Max Frisch, Uwe Johnson, apo Gunter Grass kanë lexuar në këtë klub letrar që u themelua në vitet 70-të në qilarin e një pastiçerie. “Qilari i librarëve” ka kohë që ka dalë nga nëntoka dhe është transferuar në një nga rrugët borgjeze të lagjes Charlottenburg, jo larg bulevardit të luksit, Kurfürstendamm. Por diçka nga atmosfera e atëhershme e nëntokës i ka mbetur: Ndoshta kjo shihet tek mjekrat dhe flokët e gjata të disa prej organizatorëve apo tek tendenca e tyre për të shkelur rregullat e të pinë duhan. Apo tek kolltukët dhe divanet e vjetra, të shpërndarë në dhomën e ndenjes së klubit.

Pikërisht në këtë ambient qëndrojnë të varura (deri më 3 korrik) fotografitë e Fatos Baxhakut me përshtypje nga “vendi i skipëtarëve”. Kështu e quante Shqipërinë Karl May, autori më i famshëm i letërsisë aventureske gjermane dhe ky është asiociimi më ekzotik i Gjermanëve me këtë vend. “Shqipëria sot” - e ka quajtur ekspozitën Giuseppe de Siatti, një arbëresh i Italisë që jeton prej dekadash në Berlinin Perëndimor dhe një nga themeluesit e “Qilarit të Librarëve”.

Në dhjetë korniza janë renditur në mënyrë simetrike nga katër fotografi të marra nga i njëjti vend. Baxhaku i ka shkrepur ato gjatë udhëtimeve të përjavshme për reportazhet e së dielave në gazetën “Shqip”. Diku tregohet një oborr i një shtëpie fshati – tradicionalisht kaotik dhe i parregulluar – gjetkë një farkëtar, pastaj një shtëpi që së shpejti do të rrëzohet, sepse aty do të kalojë autostrada e re, diku një radhë brezash – vjehrra-nusja-mbesa – të rreshtuara njëra-pas tjetrës: Një monumnent shoqëror. “Është një moment i Shqipërisë, që nesër nuk do të jetë më”, thotë Baxhaku.


DW: Fatos Baxhaku, kur kërkon emrin tuaj në Google, del që jeni historian, bashkëautor (me profesorin austriak Karl Kaser) i një libri për historinë e Shqipërisë diplomatike të shekullit të 19-të, ndërsa në Shqipëri njiheni për reportazhet e përjavshme në gazetën “SHQIP”. Cili është profesioni juaj?

Baxhaku: Unë kam shkruar për shtypin edhe kur punoja si historian, por rrethanat u krijuan të tilla - falë edhe miqësive - që në një moment të caktuar, pikërisht në vitin 1992, të fillonte “Gazeta Shqiptare”. Në këtë kohë fillova të bëj gazetari. Por sigurisht që historinë nuk e kam lënë edhe sot e kësaj dite. Kam shkruar histori - një pjesë e reportazheve janë historikë – kam në dorë një libër historik, kështu që jam gjysmë-gazetar, gjysmë historian.

DW: Për një kohë të gjatë keni qenë gazetar për çështje politike. Përse u larguat nga politika?

Baxhaku: Me politikë u mora, sepse ashtu ma kërkuan. Në atë kohë nuk kishte shumë gazetarë, kështu që dikush duhet ta bënte. Nga ajo kohë mbaj mend që krijova shumë miq nga të dyja anët e barrikadave, qoftë majtas, qoftë djathtas, mirëpo puna atje mes konferencave të shtypit dhe parlamentit filloi të bëhej monotone: Personazhet përsëriteshin, bisedat përsëriteshin dhe kështu fillova të merresha me reportazhe. Kjo ndodhi në vitin 1996.

DW: Sa shpesh udhëtoni për reportazhe?

Baxhaku: Nga dy ditë në çdo javë. Por po e them ndryshe: Kur nuk udhëtoj më duket java jo me shtatë, por me dhjetë a dymbëdhjetë ditë. Të udhëtuarit më është kthyer tashmë në një lloj mënyre jetese. Ditët brenda javës ose orët brenda ditës i planifikoj me qëllimin e vetëm se si do të jetë udhëtimi i ardhshëm e si do të përfundojë ai.

DW: Ju shkruani reportazhe, ky është një zhanër që nuk përdoret shumë në kohën e sotme...

Baxhaku: Jo vetëm në gazeta por edhe në televizione kemi në Shqipëri një lloj “agresioni” ose kopjimi të modës italiane të spektakleve zbavitëse, të lehta, të cilat i drejtohen një publiku, i cili kur kthehet në shtëpinë e vet në darkë, i lodhur, nuk do ta vrasë shumë mendjen dhe pret të zbavisë vetëm sytë. Kjo është e drejtë nga njëra anë, por unë do të dëshiroja që edhe pjesa jonë, e cila ka një vlerë jo vetëm sot për sot, por edhe si dokumentacion për brezat që vijnë, të ketë fetën e saj në këtë tortë të madhe.

DW: Ju udhëtoni që nga viti 1996 nëpër vende që shumica e shqiptarëve të sotëm do t'i braktiste. Cila është e veçanta e tyre?

Baxhaku: Ajo që më ka bërë përshtypje në të gjithë këto vende është ndryshimi shumë i shpejtë i Shqipërisë, falë sakrificave të shqiptarëve dhe ndryshimit të mentalitetit të brezave të rinj. Kjo është ajo që më bën përshtypje sa herë që kthehem në një vend ku kam lënë një shtëpi të vjetër e gjej një vilë trekatëshe.

DW: Cila është ana tjetër e medaljes së këtij zhvillimi kaq të shpejtë?

Baxhaku: Frika më e madhe është sheshimi i dallimeve mes fqinjëve tanë dhe nesh, mes krahinave tona, mes fshatit dhe qytetit. Kur kemi ndonjë plazh të virgjër themi sa keq që nuk ka një rrugë. Kur shtrohet rruga, plazhi bëhet si gjithë plazhet e tjera.


DW: Sa autentikë janë shqiptarët?

Baxhaku: Njëqind për qind.

DW: Ku e kuptoni ju këtë?

Baxhaku: Tek qetësia e tyre, veçanësia jonë më e madhe është të duruarit shumë.


DW: E keni fjalën edhe për ata që jetojnë në Tiranë?

Baxhaku: Jo, këta të Tiranës nuk i njoh.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Angjelina Verbica