1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

110510 Ölpest Update

11 Maj 2010

Në luftën kundër ndotjes me naftë në Gjirin e Meksikës mbizotëron padija. Përpjekja për të mbledhur naftën në fundin e detit me një pajisje prej çeliku dhe betoni disa tonë të rëndë, dështoi.

https://p.dw.com/p/NLVQ
Gjiri i Meksikes i kercenuar nga nafta
Gjiri i Meksikes i kercenuar nga naftaFotografi: picture alliance / dpa

Punonjësit e autoritetit amerikan për motin NOAA me helikopter duan të mësojnë se cilat rrugë ujore në Gjirin e Meksikës janë të prekura nga masa e naftës gjithnjë në rritje. 290 anije janë të angazhuara për shpërndarjen e pengesave plastike pluskuese në mbrojtje të bregut të cilat duhet të thithin naftën. E gjitha kjo është çmenduri, pranon admirali Thad Allen, komandanti i rojës bregdetare.

"Era e bën thuajse të pamundur të parashikohet se në ç'drejtim lëviz masa e naftës, në këto kushte moti i gjithë bregu i Gjirit mund të jetë i prekur."

Në të njëjtën kohë menaxheri i BP-së Doug Suttles përpiqet të bëjë thirrje për durim.

"Ne vazhdojmë të punojmë për zgjidhje të ndryshme, për aq kohë sa rrjedhja e naftës të ndalohet."

Në fundjavë (8./9.5.) u ndërpre përpjekja për të vendosur një kupolë çeliku mbi masën e naftës së derdhur. Gazi dhe uji në temperatura pak mbi pikën e ngrirjes formonin kristale akulli, të cilat bllokonin tubat në të cilat duhej të përçohej në sipërfaqe nafta e mbledhur. Tani shpresohet të dalë me sukses përpjekja për vendosjen e një kupole më të vogël prej çeliku. Nëse edhe kjo nuk do të jetë e mundur ka të ngjarë që e çara në fund të detit të izolohet me beton të përzier me gomë dhe plastikë. Nëse edhe kjo metodë e njohur me emrin "junk shot" dështon, në fund e çara prej nga rrjedh në mënyrë të pakontrolluar nafta, mund të zmadhohet edhe më tej.

Kush e mban fajin për aksidentin?

Ndërkohë që në Gjirin e Meksikës punohet me ethe për gjetjen e një rrugëdaljeje nga katastrofa, në Uashington fillojnë sot (11.5.) dëgjimet mbi dëmet ekologjike dhe pasojat e mundshme të katastrofës së naftës. Kështu ndër të tjera do të dëgjohen nga komisionet e Kongresit të SHBA-së drejtuesit e BP-Amerika dhe Transocean. Ndër të tjera duhet të përcaktohet se kush mban fajin për fatkeqësinë: a është fajtore sipërmarrja Tranocean, pronarja e platformës së shpimit? Apo mos vallë fajtori është BP apo ndoshta Halliburton, firma e cila ka mbushur me çimento boshllëqet e krijuara në vrimën e shpimit?

Senatori republikan Richard Shelby mendon se e gjitha kjo mund të ishte penguar nëse autoritetet nuk do të kishin fjetur:

"Shumë mund të ishte parandaluar. Nuk e di se ku ishin autoritetet? Me siguri kanë qenë në gjumë."

I këtij mendimi është dhe kolegu i tij demokrat Bill Nelson: për një kohë shumë të gjatë industria e naftës ka bërë si ka dashur. Edhe autoriteti rregullator MMS kritikohet ashpër. Në vitin 2008 ajo pati zbutur rregullat për operatorët e shpimeve në thellësi. Për këtë arsye BP nuk kishte paraqitur asnjë plan emergjence për izolimin e çarjeve të mundshme. Senatori demokrat Bill Nelson ankohet:

"Është tragjike që duhet të ndodhë një tragjedi si kjo që më në fund të ndërhyhet me më shumë ashpërsi."

Autor: Nicole Markwald/Elert Ajazaj

Redaktoi: Auron Dodi