1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjetja e dinjitetit njerëzor përmes fotografive artistike

23 Tetor 2009

Në kuadër të Tetorit Gjerman 2009, në Tiranë po qëndron hapur ekspozita "Shqipëria në 18 vjet" e fotografes Juta Benzenberg. Eshtë një kolazh me realizime në Shqipër, shndërrimi i marrëdhënieve me Shqipërinë në imazhe.

https://p.dw.com/p/KDs1
'Të shkruarit me dritë'
'Të shkruarit me dritë'Fotografi: DW/Muka

Juta Benzenberg është mjaft e njohur në qarqet artistike në Shqipëri, me projekte të veçanta në fushën e fotografisë artistike. Ajo është prezantuar në axhendën e Tetorit Gjerman 2009 me një ekspozitë personale me titull "Shqipëria në 18 vjet". Një përzgjedhje e kujdesshme e punimeve më të mira, për një dalje dinjitoze para artdashësve në Tiranë. Ambasadori Gjerman në Shqipëri, Bernd Borchardt, e përshkroi si një ngjarje të rëndësishme artistike ekspozitën e Jutës. Kjo për vetë tematikën dhe spektrin e gjërë të ideve që ajo sjell përcjell për vizitorët.

Fotografja Jutta Benzenberg dhe Ambasadori i RFGJ në Tiranë, Bernd Borchardt
Fotografja Jutta Benzenberg dhe Ambasadori i RFGJ në Tiranë, Bernd BorchardtFotografi: DW/Muka


Vizitorët marrin mesazhe e madje edhe provokim nga realiteti në art

Bevis Fusha është pedagog i fotografisë në departamentin e gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Ai ndihet i ngacmuar nga punimet e Jutës, nga fakti i prezantimit të saj me një ekspozitë personale. Sipas Fushës, ngjarje të tilla janë mjaft të rralla në Tiranë, por dhe në të gjithë vendin. Ndaj dhe duhet përshëndetur rikthimi i Juta Benzenberg-ut, thotë ai për DW.

"Juta kishte kohë që ishte në një lloj pauze në krijimtarinë e saj. Më vjen mirë që ajo është rikthyer. Është hedhur në hovin e fotografisë sërish. Dixhitalizimi është një proces që e ndihmon këtë vrull. Kjo mund të jetë ndër ekspozitat e para, që konsiderohet ekspozitë fotografike dhe që ka edhe imazhe video në tërësinë e vet. Në një farë mënyre është një lloj brenge, që imazhi statik jepet me anë të figurës televizive".

Ingo Gynteri nga Berlini është njëri prej vizitorëve të ekspozitës fotografike. Ai e vlerëson atë si mjaft interesante. Më shumë përshtypje i ka bërë realizimi i fotove bardh e zi.

Gynteri thotë për DW se gjatë qëndrimit të tij në Tiranë do të ndjekë të gjitha veprimtaritë që janë programuar për Tetorin Gjerman 2009. Ai e konsideron këtë si një rast të mirë për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe rolin e jashtëzakonshëm që luan kultura dhe arti në këtë aspekt.

Kritiku i arteve pamore, Gëzim Qëndro, është një njohës i hershëm i fotografisë artistike të Juta Benzenberg-ut. Sipas tij, si një e huaj, ajo nuk ka rënë asnjëherë në kurthin që bien shumë prej tyre, në atë të ekzotizmit. Pra, rendja ose prirja për të gjetur gjëra ekzotike, siç bën përshembull një turist në Afrikë, që kërkon dhëmbë elefanti, apo lëkura tigri….

Ambasadori i RFGJ në Tiranë, Bernd Borchardt me bashkëshorten (majtas) dhe atashenë për kulturën, Irene Eidemüller (djathtas)
Ambasadori i RFGJ në Tiranë, Bernd Borchardt me bashkëshorten (majtas) dhe atashenë për kulturën, Irene Eidemüller (djathtas)Fotografi: DW/Muka

"Benzenbergu nuk i ka paragjykuar shqiptarët"

E rëndësishme për Qëndron është se Benzenbergu nuk i ka paragjykuar shqiptarët. Për këtë ai i referohet dhe faktit që ajo është në Shqipëri jo si turiste, por për të jetuar. Aq me tepër që bashkëshorti i saj është po shqiptar, studiesi dhe përkthyesi i njohur Adrian Klosi, i cili drejton dhe shoqatën kulturore gjermano-shqiptare "Robert Schwartz".

"Portretet e saj më duken si portrete nudo. Në kuptimin që ajo nuk u jep kohë modeleve të saj që të vendosin maskën, ashtu siç ndodh zakonisht. Pasi syri i aparatit është dhe syri i pushtetit, në një farë mënyre. Në këtë kuptim Juta me dëshirën për të zbuluar gjithçka pas maskës së përjetshme njerëzore, di të gjejë njeriun pas kësaj", thotë ai për DW.

Dhe vërtet diku është një e moshuar që ka vuajtur tërë jetën dhe mbi fytyrën e saj mund të shohësh se çdo rrudhë është një betejë me jetën. Diku tjetër është një fëmijë që tregon naivitetin, dëshirën për t'u kuptuar. Por dhe tregon makthin për të mbijetuar në një botë kaq të vështirë, që në fund të fundit drejtohet nga të rriturit. Aparati i Jutës është futur dhe tek mjedisi i skamjes e mjerimit të skajshëm. Por në çdo rast autorja arrin të gjejë dinjitetin njerëzor, duke u dhënë krijimeve të saj vlerën humane.

"Mbetet të them që është një profesioniste e kompletuar, qoftë sa i takon mënyrës se si fotografon, por dhe për ndriçimin. Sepse dihet qe fotografia është të shkruarit me dritë. Dhe mjaft elementë të tjerë, që e bëjnë një artiste të shquar shqiptare, doja të thoja, dhe jo gjermane...", thotë kritiku i arteve pamore, Gëzim Qendro.

Juta Benzenberg ka lindur në 1960 në Neuwied, në Gjermani. Ajo ka kryer Shkollën Shtetërore të Fotografisë në Mynih. Prej 18 viteve ajo fikson me apartin e saj aspekte nga realiteti shqiptar në zona të ndryshme të vendit. Juta Benzenberg ka ekspozuar foto të saj në vende të ndryshme të Europës. Gjithashtu është dhe autore e dy librave: "Mbijetesë shqiptare" (1993) dhe "Bukuri e rëndë" (2004).

Autor: Arben Muka/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi