1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gazetaria investigative në Shqipëri

Eliana Xhani10 Nëntor 2011

Në Shqipëri po rritet roli i gazetarisë investigative në zbulimin dhe denoncimin e korrupsionit. Por kjo lloj gazetarie përballet me presione dhe kërcënime kur publikon raste të korrupsionit.

https://p.dw.com/p/138FQ
Pamje simbolike - profesioni i rrezikshëm i gazetarëve investigativë

Në Progres raportin e sivjetëm të KE për ecurinë demokratike të Shqipërisë liria e shprehjes cilësohet “në përgjithësi e respektuar por me një progress të limituar.” Përjashtim bën vetëm gazetaria investigative e cila siç thekson raporti “ka forcuar rolin e saj në zbulimin dhe denoncimin e korrupsionit.”

Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë e konsideron progresin e gazetarisë investigative një tregues të maturitetit dhe të rritjes së vetëdijes qytetare të gazetarëve që merren me këtë lloj gazetarie.

“Kjo gjë ka bërë të mundur që jo vetëm të tronditen segmentet e infektuara nga korrupsoni por të vihen në lëvizje edhe strukturat e drejtësisë” - thotë Çipa për programin shqip të Deutsche Welle-s.

Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë.
Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë.Fotografi: DW

Rasti më i freskët i denoncimit të korrupsionit nga gazetarët investigativë i takon një zyrtari të lartë, ish anëtar i kabinetit të qeverisës së kryeministrit Berisha. Ky rast u publikua në një nga mediat elektronike kombëtare të Tiranës dhe shkaktoi një stuhi të vërtetë në realitetin publik dhe institucional të vendit. Ministri i korruptuar u shkarkua menjëherë nga posti i tij. Ky reagim luajti një rol pozitiv tek gazetarët për ta lëvruar edhe më me kurajo këtë drejtim të gazetarisë dhe për të mos zbutur e rrumbullakosur ngjarjet, faktet duke thënë vetëm një pjesë të të vërtetave.

“Sidomos të vërtetat që lidhen me mënyrën si qeveriset vendi dhe si funksionon administrata publike. Moderatorë dhe gazetarë investigativë kanë zbuluar para publikut çështje të mprehta që tregojnë përmasat e korrupsionit dhe të qëndrimeve abuzive në jetën administrative dhe qeverisëse të vendit”, - thotë Aleksandër Çipa.

Kërcënime dhe shantazhe ndaj gazetarëve investigativë

Forcimi i rolit të gazetarisë investigative në zbulimin dhe denoncimin e korrupsionit apo në publikimin e të vërtetave për mënyrën e qeverisjes nuk ndodh pa vështirësi. Ai shoqërohet me kërcënime, presione nga segmente të strukturave shtetërore apo private të cilave u preken interesat prej denoncimit të aferave korruptive dhe mundësisë së përballjes me drejtësinë.

“Për fat të keq nuk kemi vetëm kërcënime përmes telefonit por edhe presione, kërcënime, djegie makinash, ndëshkime të familiarëve të gazetarëve nga autoritetët e administratës shtetërore, shantazhe etj etj” - tregon Aleksandër Çipa.

Por ka edhe procese gjyqësore kundër gazetarëve investigativë. Një nga më të njohurit është procesi gjyqësor kundër një gazetari që prodhoi një dokumentar investigativ lidhur me devijimin e disa fondeve publike të akorduara nga Italia për Shqipërinë, në kuadër të marrdhënieve dypalëshe. Në vend të destinacionit të tyre publik, një pjesë e mirë e fondeve italiane shkoi në xhepat e segmenteve të korruptuara të administratës shtetërore.

Në këtë process gjyqësor që vazhdon në Tiranë, Unioni i Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë po luan rolin e avokatit për gazetarin investigativ, autor të dokumentarit.

Kush i mbron gazetarët investigativë në Shqipëri?

Ndofta duket e pabesueshme. Ndofta paradoksale. Në Shqipëri nuk ka ligj për mediat dhe si pasojë as rregullime ligjore për mbrojtjen e gazetarëve. Kjo pasi ligji për mediat audio- vizive nuk ka kaluar në Parlament pasi kërkon 3/5 e votave dhe ndonëse egziston nuk ka hyrë në fuqi. Ndërkohë që mungon plotësisht një ligji për median e shkruar. Në këto kushte gazetarët investigativë mbrohen vetëm nga shoqatat vendase apo ato ndërkombëtare të gazetarëve.

Autore: Ani Ruci / Tiranë

Redaktoi: E. Xhani