1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Atëherë qenkam feministe!" - Portret i artistes Flaka Haliti

Anila Shuka 16 Shtator 2008

Ajo është 26 vjeçe, por qysh tani ka filluar të provokojë skenën artistike të Kosovës. Flaka Haliti shpreson tani ta drejtojë më mirë talentin e saj me anë të një specializimi që do të fillojë këtë vit në Gjermani

https://p.dw.com/p/FIZ5
Pamje nga "Bolet e Mia", 2007Fotografi: Flaka Haliti

Motoja e punës së saj: "Arti bashkëkohor për mua është ajo çka ndodh sot. Në se nuk e kap atë që ndodh sot, atëherë mbas tre muajsh nuk ka më rëndësi". Kjo vlen edhe për ato raste, kur çastet dhe hapësirat nuk janë në favor të artistes. Ajo i rrëmben ato ilegalisht, si në videoklipin "Bolet e mia", një nga punimet më të fundit të saj.

Performanca e parë ilegale në Kosovë

Aty shihet vetë artistja duke hyrë vjedhurazi në Galerinë Kombëtare të Arteve në Prishtinë. Në ato çaste po festohet hapja e ekpozitës "Hapësirë konformiste", nga edicioni "Musli Mulliqi 2007", por mysafirja e paftuar hyn për të lënë një "dhuratë për skenën mashkullore artistike të Kosovës". Në sfond dallohen disa nga mysafirët: kuratorë, piktorë, artistë, përfaqësues të establishmentit artistik të kryeqytetit. "Dhurata" e Flakës janë ca herdhe dashi.

"Gjithmonë jam munduar të mos bëj punë feministe deri në momentin kur më kanë akuzuar direkt për femrat në Kosovë, se nuk kemi artiste të njohura në artin bashkëkohor, sepse ato nuk paskan "bole" për të shfrytëzuar hapësirat që u jepen", justifikohet artistja nga Prishtina. "Nuk kam qenë unë ajo që i ka provokuar ata, por unë veç kam reaguar ndaj këtij provokimi ", thotë ajo. Flaka Haliti ka bërë kështu performancën e parë ilegale të Kosovës, thotë kuratori i saj Albert Heta. Së bashku me të dhe Fatmir Mustafën ajo do të prezantojë Kosovën në Bienalen e Brukselit në nëntor të këtij viti.

Flaka Haliti
Flaka Haliti, autoportretFotografi: Flaka Haliti

Flakës nuk i pëlqen terminologjia përkufizuese. "Nuk di të jem feministe, por në se performanca ime është dëshmi për feminizmin tim, atëherë qenkam feministe", thotë ajo dhe qesh. 26 vjeçarja që ka përfunduar Akademinë e Arteve të Prishtinës është një vëzhguese e ndjeshme dhe kritike e fenomeneve të shoqërisë së pasluftës.

Në një punim tjetër me titull "Deka jonë, dreka e huaj" – ajo kritikon keqpërdorimin e viktimave të luftës për qëllime artistike. Në këtë videoinstalimin të vitit 2006, i cili tashmë është prezantuar edhe në Serbi, Slloveni dhe Gjermani, ajo ballafaqon videoklipin e grupit kosovar "Jericho" me titull "Kur do të pushojë kjo kangë" (ku shihen fotografitë e të humburve dhe të zhdukurve që nga koha e luftës) me reagimet e familjarëve të viktimave tek dëgjojnë këngën.

"Ky titull vjen prej një familjari, i cili thotë se gjithmonë ka qenë deka jonë e dreka e huaj", shpjegon artistja. "Deka jonë dreka e huaj ka një konotacion pozitiv, por në veprën time ka një kuptim tjetër, në këtë rast ai që e zien drekën është artisti." Flaka Haliti nuk akuzon askënd për keqpërdorimin e viktimave për qëllime komerciale ose artistike. Por ajo kërkon të mësojë se ku qëndron kufiri.

Kritike edhe ndaj vetes

Gjatë punimit të videos ajo e ka shmangur kontaktin e drejtpërdrejtë me familjarët e viktimave, incizimet tonike ia ka huazuar një organizate që përkujdesej për familjarët në ankthin e pritjes, ndërsa pamjet janë të videoklipit të këngës. Një zgjidhje, të cilën edhe ajo vetë e vë në pyetje. "Patjetër që unë kam qenë kritike edhe ndaj vetes, pyetja shkon edhe për mua, ndoshta edhe unë e bëj viktimizimin për të tretën herë", thotë vajza me tualetin e kuq rreth syve.

Flaka Haliti projekton kështu disa kufij në një shoqëri të varur, por edhe të lodhur, nga idolatria. Këta kufij janë gjithmonë të përkohshëm dhe zhvendosen me çdo reflektim të ri. Veprimet artistike të Flakës ndodhin vetvetiu, me intuitë. "Reflektimi vjen më vonë", thotë ajo.

Ngjashëm intuitivisht ajo iu drejtua Akademisë së Arteve dhe jo Fakultetit të Mjekësisë ne vitin 2002 kur mbaroi shkollën e mesme në Prishtinë, megjithë kundërshtimet në familje. Por shumë shpejt edhe Flaka Halitit, ashtu si edhe shumë artistëve të tjerë bashkëkohorë nga Prishtina, Akademia e Arteve do t'i dukej shumë tradicionale. "Mediet e reja për profesorët tanë kanë qenë gjithmonë antivlera, si prodhime sektesh që e kundërshtojnë artin dhe vlerat e mirëfillta të tij. Prandaj edhe unë në momentin që kam përfunduar akademinë kam filluar që të merrem me mediet e reja", rrëfen ajo.

Edhe pse punimet e saj që prej tre vjetësh po ekspozohen në vende të ndryshme të Evropës, ajo vazhdon ta quajë veten amatore. Një specializim në artin bashkëkohor do ta fillojë këtë vit në shkollën e artit Shtedl (Städl) nö Frankfurt mbi Majn. Ndoshta kur të përfundojë spezializimin e ri ajo do të ketë guximin (apo "bolet", siç do të thoshin artistët meshkuj të Prishtinës) që më në fund ta pranojë që është profesioniste.