1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Për në Shqipëri, Karl!" nga Peter Marxheimer

Aida Cama7 Maj 2008

Në vitin 1914, një gjerman, gazetari Karl Richter, shkon në Shqipëri. Atje ai bëhet dëshmitar i ngjarjeve historike dhe takon figura që ne i njohim nëpërmjet librave të historisë.

https://p.dw.com/p/Dv1b
Nach Albanien, Karl! - "Për në Shqipëri, Karl!" nga Peter Marxheimer
Nach Albanien, Karl! - "Për në Shqipëri, Karl!" nga Peter MarxheimerFotografi: Peter Marxheimer

Deutsche Welle: Peter Marxheimer ka zgjedhur një mënyrë tjetër për të treguar historitë e vitit 1914 në Shqipëri, nëpërmjet një vepre letrare që trajton ngjarje historike. Një udhëtim tjetër në vitin 1914, është nëntitulli i librit, por në të kemi të bëjmë me dy udhëtime, atij të gazetarit Karl Richter, një figure fiktive letrare dhe të Princ Wiedit, figurë historike.

Peter Marxheimer: Në fillim kisha një titull tjetër, që lidhej me përmbajtjen e librit, me Princ Wied-in i cili bëhet mbret i Shqipërisë. Libri ka në qendër historinë e tij, por në fakt unë doja të jepja një portret të të gjithë asaj kohe, të tensioneve imperialiste para Luftës së Parë botërore, për të shpjeguar se sa të komplikuara ishin ato në politikë, por edhe se sa agresive ishin shtetet në reagimin e tyre, agresin që u shfaq në luftrat mes tyre, e ku popuj të vegjël si ai shqiptar, ishin shumë të dobët dhe të varur nga mëshira apo fuqia ushtarake e shteteve të mëdha. Për të prezantuar këtë unë mendova se duhet të krijoja një figurë letrare me të cilin mund të tregoheshin gjëra që në librat e historisë nuk mund të tregohen. Libri ka si protagonist Karl Richter-in, i cili i bën për shembull një vizitë Kaizerit, kur ai ndodhet për pushime në Korfuz. Atje mëson se Kaizeri është
kundër Princ Wiedit, dhe nuk e përkrah atë në përpjekjet për të vendosur pushtetin në Shqipëri, megjithë lidhjet e gjakut midis tyre. Këto janë histori që mund të lidhen me njëra tjetrën, që përmenden në përshkrimet e udhëtimeve por jo në librat e historisë. Unë kam
përdorur shumë kujtime të asaj kohe.

Peter Marxheimer-Müller, duke lexuar para publikut librin e tij "Nach Albanien, Karl!" "Për në Shqipëri, Karl!"
Peter Marxheimer-Müller, duke lexuar para publikut librin e tij "Nach Albanien, Karl!" "Për në Shqipëri, Karl!"Fotografi: Evelin Deckwerth



Deutsche Welle: Çfarë figure është Princ Wied-i, në Shqipëri ai është pjesë e historisë.

Petër Maxheimer:
Unë historinë e tij e kam dëgjuar për herë të parë kur kam qenë në Shqipëri në vitin 1979. Në historinë gjermane Princ Wied nuk njihet, nuk ka luajtur ndonjë rol të rëndësishëm. Ai ishte oficer, kushëri i Kaizerit. Për Wied-in nuk do të flitej nëse ai nuk do të kishte qenë në Shqipëri, sepse pa qenë në Shqipëri, ai do të
kishte qenë vetëm një oficer që ka luftuar në Luftën e Parë Botërore. Vetëm historia e veçantë që ka përjetuar gjysmëviti në Shqipëri, e dallon jetën e tij nga ajo e kolegëve të tjerë, aristokratë në ushtri.

Deutsche Welle: A është menduar për botimin në gjuhën shqipe të librit, në mënyrë që edhe lexuesit shqiptarë të mësojnë për historitë t Karl Richterit?

Peter Marxheimer : Janë shqiptarët ata që duhet të vendosin për këtë. Por pëveç librit unë kam përgatitur edhe një temë shkencore për Shqipërinë e asaj kohe. Sepse, siç e dini dhe ju, më 28 nëntor 1912 një grup patriotësh shqiptarë thonë "Ne jemi të pavarur, po ndahemi nga Turqia!" Bëhej fjalë për një zonë shumë to vogël ku jetonin shqiptarët. Kjo përpjekje pati sukses, sepse nga njëra anë ata thanë "Ne jemi të pavarur", por edhe se ky grup pati forca përkrahëse, Italinë dhe Austrinë si dhe Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Çka do të thotë se pati një ndryshim drejtimi, nga njëra anë u deklarua pavarësia dhe nga ana tjetër u pranua varësia, duke pranuar se pa forca mbrojtëse nuk mund të vazhdoheshin përpjekjet për krijimin e shtetit shqiptar. Ata kërkuan një forcë mbrojtëse që nuk do të pushtonte direkt Shqipërinë, por që do e mbronte atë. Kjo është një lloj varësie.