1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tirana - qëndrim paradoksal ndaj dënimit moral të krimeve të komunizmit

Ani Ruci / Tiranë28 Janar 2008

Dy vjet më parë, Parlamenti i Shqipërisë miratoi vetëm me votën e maxhorancës, pa atë të opozitës së majtë Rezolutën e Këshillit të Europës për dënimin e krimeve të komunizmit .

https://p.dw.com/p/CycN
Nostalgji për periudhën komuniste, orë me portretin e Enver Hoxhës
Nostalgji për periudhën komuniste, orë me portretin e Enver HoxhësFotografi: AP Photo

Kryeministri Berisha do ta quante historike seancën parlamentare të miratimit të saj dhe do të kritikonte ashpër opozitën „që nuk guxoi të dënojë të kaluarën komuniste". Asokohe kreu i qeverisë së Tiranës do ta vlerësonte zbatimin e Rezolutës së Këshillit të Europës për dënimin e krimeve të komunizmit një detyrim madhor pasi „rezoluta është e ekuilibruar dhe do ta bëjë shoqërinë shqiptare më qytetare dhe më të sigurtë." Pas dy vitesh ish të përndjekurit politikë konstatojnë se nuk është bërë asgjë për të filluar procesin e dënimit moral të krimeve të komunizmit.

Njëri prej tyre, historiani Uran Butka mendon se jo vetëm nuk jane ngritur strukturat e rekomanduara nga KE për të planifikuar veprimtari që të njohin brezin e ri me të vërtetat e periudhës së shkuar që ata nuk e jetuan, por ende nuk janë hequr simbolet komuniste nga godinat qeveritare. "Në godinën e Kryeministrisë, tha ai, janë ende simbolet e shtetit komunist thua se shteti në Shqipëri erdhi me atë regjim, kur më parë ka egzistuar shteti i Arbrit apo shteti në kohën ë Skënderbeut."

Zbatimi i Rezolutës së Këshillit të Europës kërkon ngritjen e një komiteti të posaçëm që të projektoje dhe realizojë veprimtari që dënojnë të shkuarën komuniste, duke filluar nga pastrimi i teksteve shkollore nga ideologjia komuniste deri tek heqja e simboleve apo hapja e dosjeve të ish bashkëpunëtorëve të policisë sekrete të diktaturës komuniste, sigurimit famëkeq. Në listën e gjatë të detyrimeve që përmban kjo rezolutë vetëm njëri ka marrë rrugën e zgjidhjes: dëmshpërblimi i atyre që vuajtën internime dhe jo burgosje si pasojë e luftës së klasave për gjithë kohën që ishin të internuar, me një shpërblim prej 25 eurosh për çdo muaj. Por thelbi i Rezolutës, hapja e dosjeve të ish bashkëpunëtorëve të Sigurimit mbetet ende një çështje që vjen dhe ikën nga politika e ditës në Tiranë sipas interesave të rradhës duke mbetur e pazgjidhur. Në mënyrë paradoksale, Shqipëria, ku instrumenti i diktaturës komuniste , lufta e klasave, pati viktimat më të shumta në raport me popullsinë, është më prapa vendeve të tjera të ish Lindjes Komuniste.