1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Politika e Tiranës në dilemë: të hapë apo jo dosjet e Sigurimit?

Ani Ruci15 Tetor 2007

A do të hartojë dhe Shqipëria një ligj për hapjen e dosjeve të ish bashkëpunëtorëve të policisë sekrete të kohës së regjimit komunist, të njohur me emrin famëkeq "Sigurimi i shtetit?"

https://p.dw.com/p/Br7x
Ministria e brendshme, Tiranë
Ministria e brendshme, TiranëFotografi: DW / Aida Cama

A do të ndjekë ajo pas 15 vitesh jete në demokraci shembulllin e Gjermanisë, Rumanisë, Çekisë, Sllovakisë dhe Polonisë?

Çështja e dosjeve është ndezur dhe fikur duke ndjekur uljen apo ngritjen e luftës politike mes të majtës dhe të djathtës, që në Shqipëri kanë kryer rotacioninn e pushtetit. Tani ajo vjen përsëri në qendër të debatit politik të Tiranës në një moment kur e djathta në pushtet po jeton mje krizë marrëdhëniesh me aleatët bashkëqeverisës, ndërsa e majta po ecën drejt përçarjes së thellë mes mbështetësve të kryetarit të PS, Edi Rama dhe atyre të ish liderit Fatos Nano.

Kreu i grupit parlamentar te demokratëve qeverisës, Astrit Patozi, e konsideroi një domosdoshmëri hapjen e dosjeve. "Hapja e tyre do të çlirojë politikën dhe stitucionet nga hijet e të kaluarës, ajo do t´i shërbejë paqes sociale në vend por edhe pastrimit të tyre nga elementë që nuk kanë çfarë t´i japin demokracisë," tha Astrit Patozi. Këta elementë edhe në Shqipëri populli i quan spiunë. Dhe për t´i identifikuar ata Patozi kërkon hartimin e një ligji që të ketë konsensus në Parlament. "Një ligj i mirë dhe aplikimi korrekt i tij do t´i japë fund legjendës së dosjeve, që tirret sa herë që forca të caktuara politike kanë probleme me veten," vuri në dukje ai gjatë një deklarimi për mediat e Tiranës. Pohimi i kreut të deputetëve demokratë është një e vërtetë e hidhur e performancës së politikës në Shqipëri. Dosjeve të mbyllura u hiqet pluhuri sa herë që ato duhen për t´i bërë presion një politikani, pavarësisht nga krahu ku ai bën pjesë, majtas apo djathtas. Helmi i dosjeve përhapet jo vetëm në mjediset politike por edhe në ato sociale duke dëmtuar paqen sociale, në emër të së cilës ato, thuhet, mbahen mbyllur. Deri më tani në Parlament janë depozituar tre drafte projektligjesh për të hartuar një ligj në bazë të të cilit të hapen dosjet.

Socialistët opozitarë kërkojnë që ato të hapen vetëm për politikanët dhe të fillohet nga qeveria e kryeministrit Berisha. Sipas opozitës, tre ministra aktualë në këtë qeveri kanë dosje madje ne rrethe e politikës qarkullojnë edhe pseudonimet e tyre. Demokratët në pushtet kanë përpiluar variantin e tyre për ligjin e dosjeve. Ata janë për hapjen e të gjitha dosjeve jo vetëm të politikanëve. Por deri më sot Parlamenti nuk e ka vëne në axhendën e punimeve të tij shqyrtimin e tyre.

Në një debat publik, në kuadër të Tetorit gjerman, pas shfaqjes në Tiranë të filmit gjerman "Jeta e të tjerëve" që ka në qendër episode nga aktiviteti i bashkëpunëtorëve të policisë sekrete të RDGJ, e njohur si Stasi, mendimi mbizotërues ishte pro hapjes së tyre. Pavarësisht nga ndryshimi mes brezave, atyre që jetuan terrorin e Sigurimit dhe të rinjve që u lindën pas shembjes së regjimit dhe u duket një histori nga e shkuara, të dyja palët puqen kur mendojnë edhe në Shqipëri, njëlloj si në Gjermani njohja dhe jo mbulimi i së shkuarës, e drejta per t´ia hapur dosjet publikut të gjerë i shërben kohezionit social dhe të ardhmes.