1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jeta e të tjerëve, apo jeta jonë?

Ani Ruci7 Tetor 2007

Filmi "Jeta e të tjerëve" si asnjë film i huaj deri më sot, arriti t´i sjellë spektatorit të Tiranës ankthin e përgjimeve të Sigurimit të Shtetit.

https://p.dw.com/p/BnWb
Skenë nga filmi "Jeta e të tjerëve"
Skenë nga filmi "Jeta e të tjerëve"- Ulrih MyheFotografi: presse

Ngjarjet e filmit zhvillohen në Berlinin Lindor, në vitin 1984, pesë vjet para rënies së Murit të Berlinit. Skenë pas skene filmi zbulon ndikimin e thellë të regjimit totalitar të Gjermanisë Lindore tek disa karaktere njerëzore. Stasi, policia sekrete e Gjermanisë Lindore, forca e spiunazhit mban një rrjet të gjerë oficerësh dhe informatorësh për të zbuluar armiqtë e socializmit. Mes tyre, askush nuk eshte më i palëkundur në zotimin e tij ndaj parimeve të Stasit, sesa kapiteni Gerd Wiesler. Në fillim atë nuk e vret aspak ndërgjegja se po përgjon dramaturgun Georgi Dreyman dhe të dashurën e tij, aktoren Krista Maria Sieland, për të cilët shefi i Stasit për kulturën dyshon se kryen aktivitet politik subversiv ndaj socializmit. Por ai fillon të reflektojë kur kupton se Ministri i Brendshëm, më shumë sesa për aktivitetin armiqësor të dramaturgut Dreyman interesohej për të dashurën e tij aktore. I zhgënjyer, i neveritur nga eprorët e tij, Wiesler e bëjnë për vete gjithmonë e më shumë idealet artistike dhe filozofike të dramaturgut, që ai përgjon, derisa arrin të heqë nga raportet e përgjimeve informacionin që mund të dëmtonin artistin.

Arkivat e Stasit në Berlin
Arkivat e Stasit në BerlinFotografi: Arden Pennell
Regjizori Dreymann (luajtur nga Sebastian Koch) dhe gruaja e tij (luajtur nga Martina Gedeck) në filmin "Jeta e të tjerëve"
Regjizori Dreymann (luajtur nga Sebastian Koch) dhe gruaja e tij (luajtur nga Martina Gedeck) në filmin "Jeta e të tjerëve"Fotografi: picture-alliance/ dpa

Filmi „Jeta e te tjerteve" jep me një realizëm rrënqethës sfidën e të jetuarit dhe të bërit art në një shoqëri brutale, represive ku gjithkush hetohet, madje njerëzit më të dashur mund të jenë informatorë të sigurimit. Transformimi i përgjuesit të Wiesler, nga një oficer i ngurtë i partisë në një hero jepet në film me një mjeshtëri të lartë dhe ndershmëri të pagabueshme. Elona Basha, një spektatore rreth të 30-ve pas mbarimit të filmit thotë në mikrofonin e DW se „është film tronditës. Jam shumë e tronditur. Ky film të bën të mendosh për të kaluarën dhe të kërkosh ta njohësh atë dhe të vërtetën e saj. Sepse kështu do të dish se çfarë të bësh me të kaluarën, çfarë mësimi të nxjerrësh, si të edukosh brezat e rinj".

Një fotografi e ish kryeministrit gjermanolindor Willy Stoph është varur në një dhomë hoteli në hotelin "Ostel" në Berlin i cili është dekoruar krejtësisht me stilin e RDGJ (DDR)
Një fotografi e ish kryeministrit gjermanolindor Willy Stoph është varur në një dhomë hoteli në hotelin "Ostel" në Berlin i cili është dekoruar krejtësisht me stilin e RDGJ (DDR)Fotografi: AP

Filmi „Jeta e të tjerëve" risolli çështjen e mbetur pezull por përherë "të nxehtë", të hapjes apo jo të dosjeve të informatorëvë të Sigurimit. Elona Basha mendon se" në film pamë sesi ato u hapën për këdo. Në Shqipëri kjo nuk ka ndodhur. Jam e pavendosur nëse duhet apo nuk duhet të hapen. Në Shqipëri ka shumë gjaknxehtësi dhe kur njerëzit të ballafaqohen me të vërtetën mund të ndërmarrin edhe veprime të dhunshme. Nga ana tjetër e vërteta duhet njohur, por fuqinë për të falur nuk e ka kushdo. Vetë anoj nga hapja e dosjeve dhe nxjerrja e së vërtetës. Por mendoj se në Shqipëri, të gjithë janë të përzier me të kaluarën.

Pllakata e filmit "Good Bye Lenin"
Pllakata e filmit "Good Bye Lenin"

Filmi „Jeta e të tjerëve" ngjalli edhe turbullim dhe konfuzion në Tiranë. Agron Tufa, poet i njohur, tha se ndihej jo i qetë për transformimin e oficerit të Stasit Wiesler, dhe se rasti i tij nuk është as tipik, për t´u ngritur në art, as përfaqësues në shërbimet e policive sekrete te diktaturave komuniste përfshirë këtu edhe Sigurimin famëkeq.

Regjizori Kujtim Çashku, drejtor i Akademisë së Filmit dhe Multimedias „Marubi" tha se duhet njohur e vërteta për të falur por ajo nuk duhet harruar. Sipas tij mungesa e njohjes së të vërtetës gjeneron konfliktin në politikën e Tiranës dhe mungesën e kulturës së dialogut.

Tetori gjerman që solli në Tirane filmin "Jeta e të tjerëvë" fitues i cmimit Oskar për vitin 2006 nxiti edhe debate në planin etik dhe praktik lidhur me të shkuarën e dosjeve dhe qëndrimn që duhet mbajtur ndaj saj. Të harrojmë dhe të falim? Shumica e spektatoreve të këtij filmi ishin për "Të njohim të vërtetën për të falur".