1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Stasit i kanë interesuar albanologët

Aida Cama7 Shtator 2007

Ish sigurimi gjermanolindor ka treguar interes për Kongresin e gjuhës shqipe të zhvilluar më 7 dhe 8 dhjetor 1984 në Tiranë.

https://p.dw.com/p/BdbB
Fotografi: Illuscope

Sipas dokumentave që ndodhen në arkiva, Stasit nuk i ka interesuar përmbajtja dhe qëllimi i kongresit, por vetëm pjesëmarrësit në të, një pjesë e të cilëve ishin albanologë të shquar që vinin nga Gjermania lindore ose ajo perëndimore.

Sipas dokumentit 22854, të sektorit që merrej me kundërspiunazhin në ministrinë e sigurimit të RDGJ, major Ditrich ka marrë raportin mbi kongresin e gjuhës nga bashkëpunëtori me pseudonimin "doktor".

Deutschland DDR STASI Schiessbefehl Schild Birthler Behörde
Arkivat e Stasit, BerlinFotografi: AP

Bashkëpunëtori ka qenë një GMS, që do të thotë se ka qenë bashkëpunëtor shoqëror i sigurimit, një lloj i veçantë e bashkëpunëtori jozyrtar, të cilët kanë filluar të regjistrohen pas vitit 1968.

Dokumenti quhet –Kongresi për problemet e gjuhës shqipe, më 7 dhe 8 dhjetor 1984 në Tiranë. Në të shkruhet: Shërbimit tonë i është bërë jozyrtarisht e ditur se Kongresi zhvillohet nën kujdesin e gruas së Enver Hoxhës dhe duhet të gjejë pasqyrim të zgjeruar në shtypin shqiptar.

Në Kongres, i cili kishte në rend të ditës çështje të transformimit të gjuhës, ortografisë dhe gramatikës, merrnin pjesë 300 shqiptarë. Ata ishin përveçse gjuhëtarë të Akademisë së shkencave dhe Universitetit të Tiranës edhe njerëz të kulturës dhe shkencës. Përveç tyre në Kongres merrnin pjesë edhe Dr. Köteritz (Dr. Këteric), gjuhëtar krahasues nga Gjermania perëndimore. Nga Gjermania perëndimore ishte ftuar edhe një albanolog tjetër, i cili nuk erdhi në Kongres. Po ashtu pjesë merrte një albanolog nga Suedia, katër italianë (ndër të cilët një farë Dr. Alti Mari), një francez dhe një greke (me origjinë shqiptare). I ftuar po ashtu ishte një shkencëtar jugosllav, i cili për arsye që nuk dihen nuk morri pjesë në Kongres.

Deutschland DDR STASI Schiessbefehl Dokument
Dokument i StasitFotografi: AP

Gjuhëtarë bullgarë nuk u ftuan. Një diplomat i ambasadës bullgare në Tiranë tregoi pakënaqësi të madhe sepse Republika Popullore e Bullgarisë është përpjekur kohët e fundi për përmirësimin e marrëdhënieve me Shqipërinë.

Në Kongres morrën fjalën katër shkencëtarë të huaj: Dr. Këteric, Dr. Alti Mari, një gjuhëtar nga RDGJ dhe një francez. Më pas raporti tregon për çfarë është folur nëpër korridore. Për shembull në një nga pasazhet lexohet: "Prof. Ryda nga Akademia shqiptare e shkencave, më tha se Prof. Irmscher (Irmsher) nga Akademia e shkencave të Gjermanisë lindore (RDGJ) do të marrë së shpejti një ftesë për të marrë pjesë në një kolegium gjuhe në Tiranë. Tema nuk është bërë e njohur. Ryda më tha po ashtu se Akademia e Shkencave të Gjermanisë lindore është e gatshme të ndihmojë Akademinë Shqiptare të Shkencave (ASHSH) për përpunimin e një gramatike për mësimin e gjuhës shqipe. ASHSH është çdo kohë e gatshme të konsultohet.

Më pas shkruhet: Në një diskutim me një farë Prof. Buda (mbase nga Akademia Shqiptare e Shkencave) u bë e njohur se Shqipëria ka bërë plane për të zgjeruar mësimin e gjuhës gjermane. Gjermanishtja do të futet si gjuhë e huaj në shkolla. Jozyrtarisht thuhet se Shqipëria do t`i drejtohet Gjermanisë perëndimore (RFGJ) nëse nuk merr ndihmën e duhur nga Gjermania lindore.

Gjuhëtari nga Gjermania perëndimore, Dr. Këteric i ka thënë palës shqiptare se nëse marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve fqinje rifillojnë, atëherë do të kishte qenë mirë sikur postin e Ambasadorit ta merrte Albanologu Dr. Schmid, nga Universiteti i Freiburgut, meqenëse ai zotëron mirë gjuhën shqipe.

Një rol të veçantë, shkruhet në raport, për parapërgatitjen e marrëdhënieve diplomatike midis RPSSH dhe RDGJ (Gjermanisë perëndimore) ka luajtur një farë Prof. Knoblauch (Knoblau), i cili është me prejardhje nga Gjermania lindore, por aktualisht ka dy nënshtetësi atë gjermanoperëndimore dhe atë austriake. Ai duhet të ketë bërë punë të madhe për ngritjen e turizmit në Shqipëri. Dr. Köteric tha po ashtu se Kongresi tregon se Shqipëria në një farë mase është e gatshme të hapet ndaj vendeve të tjera.

Jozyrtarisht u tha se mikpritja ishte shumë e madhe. Pjesëmarrësit e Kongresit mund të porosisnin në hotel çfarë të donin dhe pagesa i kalonte palës shqiptare. Përveç kësaj, ditën e fundit të Kongresit pjesëmarrësit, të paktën ata që vinin nga jashtë, morrën 100 lekë.

Raporti përfundon me "burimi duhet ruajtur patjetër".