1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sërish ballafaqim me të shkuarën e RDGJ-së komuniste në Gjermani

DW13 Gusht 2007

Debat në Gjermani pas zbulimit të dokumentit të Stasit që dokumenton urdhërin e Stasit për të hapur pa dallim zjarr ndaj atyre që donin të arratiseshin, qofshin edhe gra apo fëmijë.

https://p.dw.com/p/BTcT
Një ushtar i Berlinit lindor siguron murin e Berlinit, foto 30 shtator 1961Fotografi: AP

Edhe pse kanë kaluar mbi 15 vjet që prej krijimit të Zyrës për studimin dhe vlerësimin e veprimtarisë së Sigurimit të Shtetit në ish-RDGJ, ndër 172 km dokumente të Stasit punonjësit e kësaj zyre vazhdojnë të gjejnë të dhëna tronditëse të asaj kohe. I tillë ishte edhe dokumenti i fundit i zbuluar në degën e kësaj zyre në Magdeburg, në të cilin për herë të parë gjendet i dokumentuar me shkrim urdhëri që u kishin dhënë organet e Sigurimit të Shtetit njësive të tyre për të qëlluar ndaj kujtdo që përpiqej të kalonte kufirin, madje edhe në rast se kishim të bënim me gra dhe fëmijë.

Deri tani politikanët e ish-RDGj-së dhe ish-bashkëpunëtorët e Stasit këmbëngulin, se urdhër për të qëlluar ndaj atyre që përpiqeshin të kalonin kufirin nuk kishte pasur. Sipas drejtuesit të filiales së Magdeburgut, Jërg Stoje, urdhëri i gjetur ka të bëjë në mënyrë të veçantë me përdorimin e armëve ndaj grave dhe fëmijëve.

"Në këtë dosje kemi gjetur për herë të parë të dokumentuar me shkrim urdhërin e Sigurimit të Shtetit për të qëlluar ndaj atyre që donin të arratiseshin, sidomos ndaj grave dhe fëmijëve."

Sipas drejtueses së Zyrës për studimin dhe vlerësimin e veprimtarisë së Sigurimit të Shtetit në ish-RDGj, Marianë Birtler, zbulimi i këtij dokumenti është i një rëndësie të veçantë, "sepse deri më sot ishte mohuar gjithmonë fakti se kufitarët kishin urdhër për të qëlluar mbi ata që përpiqeshin të kalonin murin. Ky dokument na tregon shumë më qartë nga dokumentet që kishim zbuluar deri tani, se ky urdhër vlente për të gjithë pa asnjë lloj kufizimi."

1000 kryqe druri kujtojnë të vrarët e Murit të Berlinit.
1000 kryqe druri kujtojnë të vrarët e Murit të Berlinit.Fotografi: AP

Pas gjetjes së këtij dokumenti të ri drejtori i qendrës përkujtimore për viktimat e Stasit në Berlin-Hohenshënhauzen, Hubertus Knabe, kërkoi fillimin e një procesi hetimor në këtë çështje.

"Dokumenti i gjetur tani është një lloj license për të vrarë. Urdhëri vërtet u drejtohet punonjësve të sigurimit të shtetit, pra të Stasit, por unë mendoj se këtu kemi të bëjmë me një vepër penale dhe prokuroria duhet të fillojë hetimet." - tha Knabe.

Sipas historianit Knabe, prokuroria duhet të konstatojë se kush e ka dhënë këtë urdhër, dhe nëse në bazë të tij ka pasur të vrarë në radhët e atyre që përpiqeshin të kalonin kufirin.

Varri i Chris Gueffroy, të vrarit të fundit në Murin e Berlinit.
Varri i Chris Gueffroy, të vrarit të fundit në Murin e Berlinit.Fotografi: ullstein bild - Eckelt/CARO

Qeveria gjermane u shpreh se ajo do ta vazhdojë me forcë punën për studimin, gjykimin dhe vlerësimin e historisë dhe të pasojave të diktaturës në ish-RDGJ. "Ne gjermanët jemi të lumtur që muri dhe telat me gjemba i takojnë përgjithmonë të kaluarës" - tha zv-zëdhënsi i qeverisë gjermane, Tomas Shteg, por gjetja e këtij dokumenti që përmban një urdhër drastik për të qëlluar ndaj atyre që përpiqeshin të kalonin kufirin ka një rëndësi të madhe historike dhe puna duhet vazhduar.

Udhëheqja komuniste e Republikës Demokratike Gjermane nisi me 13 gusht 1961 ndërtimin e murit në kufi me Berlinin perendimor, për të penguar ikjen masive të njerëzve në perëndim. 28 vjet më vonë me 9 nëntor 1989 ndarja e Gjermanisë mori fund me rënien e murit të Berlinit. Gjatë përpjekjeve për të ikur në perendim në murin e Berlinit gjeten vdekjen së paku 133 vetë.