1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Spiunimi reciprok tek organet e sigurimit është shumë prezent

Aida Cama12 Gusht 2007

Në një nga dokumentat e ish sigurimit të Gjermanisë lindore mbi Shqipërinë shkruhet se ndër shqiptarë spiunimi reciprok është shumë prezent dhe se patriotizmi dhe besimi tek partia janë sipërfaqësore.

https://p.dw.com/p/BTT7
Arkivat e Stas-itFotografi: dpa - Bildfunk
undefined

Nga seria "Çfarë përmbajnë arkivat e RDGJ (DDR) mbi Shqipërinë", sjellim disa vëzhgime të Stasit mbi gjendjen politike dhe ekonomike të RPSSH në vitin 1988.

Për këto vëzhgime bazohemi në një nga dokumentet e Sektorit të II të Staasit, i datës 10 nëntorit 1988. Ai është një raport i dhënë nga burime të besueshme të "njësive të shërbimit" të Stasi-t. Në të shkruhet:

"Furnizimi i popullsisë me ushqimet dhe mallrat bazë të jetës së përditshme është në gjendje shumë të vështirë. Ushqimet kryesore shiten vetëm me tallona, pra janë racionuar shumë. Si problem kryesor shfaqet furnizimi i popullsisë me mish dhe produkte mishi. Mallrat e tjera të konsumit si dhe tekstilet janë po ashtu në masë të pamjaftueshme."

BStU, Berlin
Ndërtesa ku mbahen arkivat e ish Stas-it në BerlinFotografi: DW

Në këtë periudhë, pra viti 1988, udhëheqja e lartë e RDGJ, kishte vendosur të intensifikonte marrëdhëniet me RPSSH. Nga Bashkimi Sovjetik dhe vende të tjera të bllokut socialist vinin zëra dhe lëvizje liberale. Honecker dhe Mielke kërkonin të forconin rradhët midis komunistëve dogmatikë. Ndër ta bënin pjesë edhë ata nga Shqipëria. Shqipëria, nga ana e saj ishte në gjendje të vështirë ekonomike dhe kërkonte majtas e djathtas partnerë që do e ndihmonin, "duke i dhënë bukë, por që nuk do i kërkonin të shkelte parimet". RDGJ ishte vetë në gjendje të vështirë ekonomike, por planifikonte të bashkëpunonte me Shqipërinë në sektorët për shembull të turizmit, transportit ujor, e më tej kulturës, arsimit.

Ndaj kishte disa vite që RDGJ ndiqte me vëmendje çfarë ndodhte në RPSSH, siç duket edhe nga ky raport:

"Kjo situatë e vështirë ekonomike çon në një masë të madhe pakënaqësie të popullsisë dhe ka pasoja negative në prodhim, përkatësisht në disiplinën e punës së popullsisë. Nga burimet tona vlerësohet se disiplina e keqe në punë e shqiptarëve lidhet me mentalitetin e tyre. Kështu për shembull masat e politikës sociale, si për shembull pagimi i punonjësve edhe kur nuk punojnë për arsye shëndetësore shpërdorohet për përfitime personale."

BStU, Berlin
Autorizim për të hyrë në arkivëFotografi: DW

Kushtet e keqija të jetës të popullsisë, shkruhet në raportin me numër 4270/88, nuk kanë çuar deri tani në konflikte të brendshme politike. Burimet bëjnë të njohur në mënyrë të besueshme se: "Në popullsi sundon frikë e madhe nga masat që mund të marrin organet e sigurimit të shtetit në rastet e shprehjeve negative për gjendjen."

Dy vëzhgimet e mëposhtëm të cituara në këtë dokument janë po ashtu shumë të veçanta.

"Spiunimi reciprok tek organet e sigurimit është shumë prezent." dhe "Nga biseda me qytetarë shqiptare, burimi ynë nxjerr përfundimin se patriotizmi teatral dhe besimi i madh i shqiptarëve tek drejtësia e politikës së udhëheqjes shqiptare dhe mbështetja e saj prej popullit, janë për shumicën e popullsisë vetëm sipërfaqësore dhe të detyruara prej frikës nga reprazaljet e sigurimit të shtetit."

Më tej raportuesit vlerësojnë se "kushtet e jetës në Shqipëri janë keqësuar që prej vdekjes së Hoxa (Hoxhës). Në mes të personave që kanë lidhje me të venë e Hoxhës diskutohet nëse Ramiz Alia, si kryetari i shtetit ka kompetenca të marrë vendime. Vendimet më të rëndësishme duhet të sanksionohen nga e veja e Enver Hoxhës, e cila përpiqet që të vazhdojë kursin e tij, duke u bazuar në këshillat e lëna."

Raporte të tilla megjithëse mbase me vend nuk do u hynin në punë për një kohë të gjatë as punonjësve të Stasit, as udhëheqjes politike të RDGJ-së. Disa muaj pas shkrimit të raportit mbi gjendjen ekonomike dhe politike të RPSSH, në muajin maj, Hungaria hap kufirin me Austrinë dhe qindra qytetarë të DDR (RDGJ) largohen drejt perëndimit, duke i dhënë sistemit një krisje nga e cila ai nuk e morri veten deri sa u përmbys.