1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtange trajner i "kombëtares diktatoriale"

Olja Melnik3 Gusht 2007

Bernd Shtange ka për qëllim të shfrytëzojë shansin e fundit për pjesmarrje në një kampionat botëror në futboll. Por a thua Bjellorusia është kandidat i mirë për realizimin e ëndërrave?

https://p.dw.com/p/BPWo
Bernd ShtangeFotografi: picture-alliance / dpa/dpaweb

Prej Gnashvicit në Landin Sachsen, në Jenë dhe Lajpcig, pastaj në Dnjeprpetrovsk, Kiev, Pert e deri në Oman. Ish - trajneri i kombëtares së Gjermanisë Lindore, i ka dëshmuar në shumë vende aftësitë e veta. Së fundi një vit e gjysmë edhe në Irak, në kohën e diktatorit Sadam Husein. Puna e tij në Irak para pesë vitesh kishte shkaktuar kritika të shumta. As tani nuk do të jetë ndyshe. Por Shtange ka vendosur.
"Në qoftë se dikush ka ndonjë pyetje politike, duhet t'i drejtohet ambasadës gjermane, UEFA-s apo FIFA-s, të cilat para pak kohësh këtu kanë hapur një federatë fantastike të futbollit. Bjellorusia është anëtare e plotfuqishme e FIFA-s dhe UEFA-s. Prandaj pyetjet e tilla nuk më interesojnë fare", thotë ai.
Për dallim prej qeverisë federale gjermane, Shtange duket se nuk ka aspak frikë të ketë punë me diktaturën e fundit në Evropë, siç quhet Bjellorusia shpesh në qarqet e BE. Sfidat sportive janë në plan të parë, thotë 59 vjeçari Shtange, duke shtuar se për të është me rëndësi "shansi që me një kombëtare të kualifikohet për kampionatin botëror. Nuk ka shumë kombëtare në Evropë të cilat vijnë në konsideratë. Ndërkohë që më ka imponuar edhe insfrastruktura dhe kushtet që ky vend ofron për një futboll të mirë."
Federata bjelloruse e futbollit u dakordua shumë shpejt me trajnerin gjerman. Para dy javësh ish - trajneri Juri Puntus dha dorëheqje, për shkak të mungesës së suksesit. Ndërsa të martën e kaluar Shtange filloi nga puna. Në Federatën bjelloruse janë të knaqur, thotë zëdhënësi Sergei Novish.
"Kemi vendosur të angazhojmë Shtangen sepse në Evropën perëndimore luhet një futboll i nivelit më të lartë. Ai ka njohuri të shumta në trajnimin e lojtarëve. Një trajner nga perëndimi do t'i sjellë futbollit bjellorus një strategji të re, që është e domosdoshme", pohon Novish.
Përveç Bernd Shtanges për këtë post kishte edhe tetë kandidatë të tjerë, ndër të cilët edhe ish - trajneri i Borusisë së Menhengladbahut, Horst Këpel. Por vendimi për ish - bashkëpuntorin e Shtazit ishte unanim.
"Përveç kualifikimeve të tija profesionale, ai flet shumë mirë gjuhën ruse dhe e njeh mantalitetin e këtushëm. Për një kohë të shkurtë ai mund të vendosë raporte shumë të mira me lojtarët, të cilëve mund t'u jep sugjerime të qarta, pa përkthyes", mendon Novish.
Bernd Shtange duhet të dëshmohet shumë shpejt, sepse kontrata e tij zgjatë dy vjet e gjysmë. Ai thotë se shansat janë të mira, ndërsa strategjia e qartë.
"Duhet bërë gjërat më të thjeshta që mund të bëhen në futboll. Duhet të ngrihet niveli i edukimit dhe njohurive të futbollistëve. Me siguri që në këtë ligë ka futbollistë shumë të mirë. Ndërkohë që shumë prej tyre luajnë edhe në klube jasht vendit, si në Moskë, Kiev, Dnjeprpetrovsk, Tomsk etj. Me këto kapacitete mund të arrihet shumë, por ata që presin rezultate brenda një jave, nuk dinë asgjë për futbollin", pohon Shtange.