1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Martesa të detyruara ende në Kosovë?

13 Nëntor 2010

Fejesat apo martesat e detyrueshme i takojnë së kaluarës së Kosovës. Këto fenomene shfaqen vetëm në zona të thella malore, ku tradita është më dominuese dhe arsimi jo sa duhet.

https://p.dw.com/p/Q7lF
Fotografi: DW

Ajo i kishte vetëm 15-të vjeç. Një topolake me gërsheta të gjata, e cila shkonte në klasën e nëntë dhe ëndërronte për studimet, punën dhe martesën me një djalë që do ta dashuronte. Por, ëndërra e saj u thërmua nga një realitet i papritur: atë e kishin fejuar në Kosove me një djalë që nuk e njihte!

"Unë s´kam ditur asgjë. Një nxënëse e shkollës më tregoi. Por, unë nuk i besoja derisa pas disa javësh mësova edhe nga familja. Katastrofë," -rrëfen kjo nënë e katër fëmijëve, bota e së cilës atëherë ishte rrokullisur brenda çastit.

Sipas historianit Avdyl Hoxha, fejesat apo martesat e detyrueshme në Kosovë me shumë i takojnë së kaluarës dhe kjo dukuri edhe më tej është e shprehur vetëm në zonat e thella të Kosovës dhe të Shqipërisë ku shkollimi i femrës është më i ulët.

"Kemi ndonjë rast kur shoqëria në mes dy njerëzve apo dy familjeve ndikon që fejesa të bëhet derisa janë të mitur dhe kjo sjell deri te martesa e detyrueshme apo ndarja“.

Historiani Avdyl Hoxha
Historiani Avdyl HoxhaFotografi: DW

Por, kjo fatkeqësi “e rrallë”, kësaj vashe i bie për kokë, kur edhe pse jetonte tash sa vjet me familjen në një qytet të Saksonisë së Ulët, axha i saj kokë më vete e kishte fejuar në Kosovë.

Ky do të jetë bashkëshorti yt

Unë kam qënë këtu, ai ka qënë në Kosovë. Dikur vonë ka ardhë, se i ka pas prindërit këtu. Unë isha me djalin e dajës në qytet dhe ai më tregoi se ky është i fejuari yt“.

Trazirat e viteve ´90-të dhe migrimi i të rinjve në botën perëndimore hap një kapitull të ri në lidhjen e martesave, ku të rinjtë njoftohen dhe dakordohen ndërsa familjet kryejnë vetëm ritin e fejesës.

„Por, martesa të tilla në të shumten ishin martesa interesi për rregullimin e lejeqëndrimit në shtetet perëndimore, pasojat e të cilave ndjehen tek tani. Ato fejesa dhe martesa nuk janë jetëgjatë, sepse ishin martesa të interesit dhe diku 90 per qind të shkrurorëzimeve bëhen në diasporë,“- thotë mr.sc. Avdyl Hoxha, historian.

Në Gjermani, kabineti qeveritar ka përfunduar draft-ligjin lidhur me martesën e detyrueshme, sipas të cilit një martese e tillë përcillet me ndëshkimin e një vepre penale. Sipas Terre de Femmes, një martesë e detyruar është „kur se paku njeri prej dy partnerëve shtyhet me forma të ndryshme kërcënimi të hyjë në martesë formale ose joformale“. Por, edhe pse është i vështirë kufiri në mes të martesave të aranzhuara apo të inicuara nga rrethi i partnerit, sipas Terre des Femmes, martesë e detyruar është kur i godituri e vlerëson se ai ka hyrë në martesë kundër dëshirës së tij dhe se vendimtar për martesë është vetëm pajtimi i plotë i partnerit.

Ansicht von einem dorf in den Bergen im Kosovo
Fotografi: DW

Kurse organizata humanitare PAPATYA, martesën e të miturave e sheh si martesë të detyruar. Por, edhe pse kosovarja e mitur me banim në Gjermani e dinte se ishte e mbrojtur nga ligji dhe mësuesja e saj i kishte propozuar largimin nga familja që t´i ikte martesës së detyruar, ajo nuk kishte pranuar sepse jeta e saj diktohej nga rregullat e një ligji tjetër.

Ndarjet dhe shpagimi i martesës në bazë të Kanunit

„Von Albanisches Gesetz…“-përgjigjet kjo grua sot me të qeshur, sepse në Kosovë ngatërresa të tilla mes familjesh krahas gjykatave shpeshherë duhet të zgjidhen edhe nëpër oda në bazë të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Këtij „ligji shqiptar“ u desh t´i nënshtrohej edhe familja e saj. Sepse, prishja e martesave në botën e jashtme ndikon në ngritjen e tensioneve mes familjeve në Kosovë, për ç´arsye kërkohet jo vetëm e drejta ligjore por edhe ndërmjetësimi i pleqve të odave mbi bazën e Kanunit të Lekë Dukagjinit.

Mr.sc.Avdyl Hoxha, historian, sjell sekuenca nga kaptina për fejesat dhe martesat e detyruara: „Sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, nëse familja fejon vajzën dhe ajo nuk do të martohet me djalin, atëherë familja e saj detyrohet të kërkojë ndërmjetësim apo falje. Por, ajo falje mbulohet me pagesën e një martesë djalit e cila është e rregulluar me vlera materjale", shpjegon z.Hoxha, i cili ka përvojë në zgjidhjen e problemeve të kësaj natyre nëpër oda.„Dhe, shpagimi i martesës sipas Kanunit varet nga pesha e veprës së të riut dhe sa ka arsyetim ajo vepër. Me monedhat e dikurshme vlera ishte 1500 groshë, ndërsa sot sillet prej 11 mijë deri në 12 mijë e 500 euro“.

"Sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, vajza nuk ka të drejtë të anulojë fejesën, nëse djali nuk ka ndonjë bashkëshorte tjetër apo nuk e ka tradhtuar të fejuarën e vet. Por, nëse ajo lidhet me tjetër djalë, atëherë Kanuni obligon familjen e vajzës që t´ia paguajë martesën djalit. E njëjta gjë vlen edhe për djalin. Ndërsa, sipas Kanunit, një vajzë mund të lëshohet vetëm nëse ajo e ka tradhtuar bashkëshortin apo ka bërë vjedhje në familjen e burrit,"-shpjegon historiani Hoxha.

Në shtator të vitit 2008, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka aprovuar Ligjin për Ndërmjetësim(03/L-57), në kuadër të të cilit janë rregulloret për licencimin e ndërmjetësuesve dhe Kodi Etik. Komisioni është i licencuar nga Ministria e Drejtësisë, por vetëm pas pranimit të këtyre ndërmjetësuesve krijohen kushte për implementimin e tij, si formë parandaluese ndaj acarimit të mëtejshëm të familjeve të çiftit të ndarë.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Aida Cama