1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Fol - bëhu pjesë e jetës" - E ngarkuara e qeverisë gjermane prezanton sezonin e dytë të fushatës

21 Tetor 2010

Böhmer prezantoi të mërkurën (20.10.) në Berlin sezonin e dytë të fushatës "Fol - bëhu pjesë e jetës". Përmes motiveve provokuese me shumë fytyra të njerëzve të shquar pritet të nxiten të huajt për mësimin e gjuhës

https://p.dw.com/p/PjXv
Në foto: një grua turke ndje një kurs të gjuhës gjermane në Hamburg
Në foto: një grua turke ndje një kurs të gjuhës gjermane në HamburgFotografi: dpa
Foto ilustruese
Foto ilustrueseFotografi: picture-alliance/dpa

T'i nxjerrësh gjuhën dikujt është veprim mjaft i pasjellshëm - kjo vlen si për gjermanët ashtu dhe për shumë kultura të tjera. Dhe megjithatë pikërisht ky gjest është pjesë e fushatës drejtuar emigrantëve që të mësojnë gjuhën e vendit ku jetojnë. Në fushatën reklamuese shihen fotografi me fytyra të shquara të jetës publike me sfond migracioni të cilët tregojnë gjuhën e tyre. Një gjuhë e cila është e ngjyrosur me tre ngjyrat e flamurit kombëtare gjerman. "Fol - bëhu pjesë e jetës" shkruan me shkronja të mëdha poshtë fotografive. E ngarkuara e qeverisë gjermane për integrimin, Maria Böhmer:

Në foto, Maria Böhmer
Në foto, Maria BöhmerFotografi: picture-alliance/dpa

"Nëse nuk e zotëroni gjuhën gjermane atëherë jeni vetëm spektator prapa kangjellave në këtë vend. Të tjerët të cilët e kanë mësuar mirë gjuhën gjermane e kanë provuar se mund të shkohet përpara, të bëhet karrierë dhe të jenë model për të tjerët. Prandaj ne duam të ftojmë edhe shumë të tjerë që të mësojnë gjuhën gjermane dhe me këtë të bëhen pjesë e këtij vendi dhe të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë që ofron ky vend."

Në foto rusja Swetlana Dick mban në dorë një fjalor gjermanisht-rusisht
Në foto rusja Swetlana Dick mban në dorë një fjalor gjermanisht-rusishtFotografi: dpa - Report

Ky është sezoni i dytë i një fushate që filloi gjashtë muaj më parë. Me këtë qeveria gjermane dëshiron të tregojë se ka në agjendë temën e integrimit dhe vepron në mënyrë konstruktive. Kjo është veçanërisht tani e rëndësishme kur në Gjermani është nxehur debati për integrimin, debat i cili po shoqërohet nga tone gjithnjë e më kumbuese dhe nacionaliste. Këtë e bën të qartë Wolfgang Fürstner. Ai është sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së botuesve të gazetave gjermane e cila po ashtu mbështet aksionin "Fol - bëhu pjesë e jetës".

Në foto, Wolfgang Fürstner
Në foto, Wolfgang FürstnerFotografi: VDZ

"Në krahasim me gjermanët dyfishi i njerëzve me sfond migracioni nuk kanë një kualifikim. Njerëzitë me sfond migracioni janë dyfish më shpesh të papunë dhe pothuajse tetë herë më shpesh nuk kanë të përfunduar asnjë shkollë. Këto janë shfira të cilat duhet të na shqetësojnë. Nëse duam të bartim përgjegjësi në këtë shoqëri, si botuesë, politikanë dhe krijuesë atëherë duhet ta ndryshojmë këtë gjendje."

Suksesi i aksionit do të kishte edhe anën pozitive për botuesit sepse mësimi i gjuhës mund t'iu sjellë atyre lexues të rinjë. Botuesit duan t'i shpërndajnë në mënyrë masive fotografitë e reja - nëpër gazeta, platformat e internetit dhe platformat e mëdha.

Gazetë turke
Gazetë turkeFotografi: picture-alliance/ dpa

Në mënyrë që kjo mos të mbetet vetëm një fushatë imazhi e cila do të ishte e kapshme vetëm për gjermanët dhe për ata të huaj që ndërkohë e njohin gjuhën gjermane në fushatë janë përfshirë edhe botuesit e medieve turke në Gjermani.

Sipas të dhënave të qeverisë gjermane vetëm gjatë këtij viti kurset e integrimit janë ndjekur nga 700 mijë njerëz. Interesimi për gjuhën dhe kulturën gjermane është i madh. Bile është shumë i madh për ofertën aktuale. Kështu që qeveria gjermane ka ndarë edhe 15 milionë euro të tjera për të shkurtuar kohën e pritjes për të ndjekur kurset e gjuhës gjermane.

Autor: Hainer Kiesel / Esat Ahmeti
Redaktoi: Aida Cama