1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ne jemi Kili

14 Tetor 2010

Shpëtimi i minatorëve të minierës San Jose ka ngjallur një valë gëzimi në të gjithë Kilin. Presidenti Pinera duhet të sillet me përgjegjësi me ndjenjë e re të përbashkësisë në vend.

https://p.dw.com/p/Pe4T

33 familjeve iu kthyen bashkëshortët, baballarët, bijtë dhe vëllezërit - për ta jeta nis nga e para. I gjithë vendi feston me heronjtë e tij - dhe në këtë mënyrë me veten. Kili është krenar për forcën psikologjike, aftësinë për të rezistuar dhe trimërinë e minatorëve, të cilët pas shembjes së minierës më 5 gusht qendruan fillimisht për dy javë në pasiguri, nëse do t'i gjenin apo jo. Vetë ministri i minierave, Laurence Golborne pati periudha që dyshoi për këtë - gjë që i solli atij kritika të ashpra nga të gjitha palët. Për fat të mirë ai u gabua.

Menaxhim i shkathët i mediave

Optimizëm dhe besim në vetvete ishte deviza, të cilën nuk e mishëroi thuajse askush tjetër si presidenti i Kilit, Sebastian Pinera. Dhe llogaria që bëri i doli: pasi vlerat e popullaritetit të tij kishin rënë dukshëm muajt e parë pas ardhjes në post, tani ai arriti të shtojë 10 pikë të mira të tjera. Herë pas here ai vajti vetë në "Kampin e shpresës" mbi minierë dhe takoi të afërmit.

Fotografitë e presidentit, që përqafonte gratë që prisnin me frikë dhe u jep atyre kurajo, që diskutonte me inxhinjerët dhe që gjithmonë ishte i informuar për gjendjen ku kishte avancuar shpimi i shpëtimit: të gjitha këto i bënë mirë imazhit të tij. Pinera - njeriu i veprave, i cili është pranë njerëzve. Ai e regjistroi se si i shpëtoi nga duart presidentit të SHBA, Barack Obama menaxhimi i krizës në Gjirin e Meksikës, thonë persona të brendshëm, dhe ai mësoi prej kësaj.

Por inskenimi perfekt ka edhe detajet e tij të pabukura. Kështu ishte e qartë që në orët e para të mëngjesit të 22 gushtit, se 33 minatorët ishin gjallë dhe mirë. Por nga pallati presidencial në Santiago erdhi urdhëri, që të mos shpërndahej lajmi i mirë, për të cilën po priste i gjithë Kili, derisa të mbërrinte presidenti te miniera. Kjo do të ishte ora e lavdisë së tij. Presidenti e njeh pushtetin e fotografive. Do të mbetet në kujtesën kolektive të Kilit, përqafimi që u bëri ai minatorëve që nxirreshin nga miniera.

Humbës dhe fitimtarë

Por krahas fitimtarëve në këtë dramë - të cilët janë para së gjithash minatorët e shpëtuar dhe familjet e tyre, por edhe qeveria e koncerni shtetëror i minierave Codelco, i cili e mundësoi shpëtimin me teknologjinë më moderne - duhen përmendur edhe humbësit. Autoritetet shtetërore dështuan në mënyrë skandaloze në mbikqyrjen e respektimit të standarteve të sigurisë. Sektori i minierave është në Kili kollona mbështetëse e ekonomisë, Kili është prodhuesi i tretë në botë i bakrit.

Në minierën San Jose në të kaluarën kishin ndodhur disa aksidente tragjike. Pas humbjes së një jete, minierën e mbyllën vitin e kaluar.

Me të drejtë, sindikatat CUT kërkojnë tani me një katalog kërkesash ndryshime të mëdha në industri, për të mbrojtur të drejtat e punonjësve. Me këtë, para presidentit Pinera ndodhet një detyrë e madhe.

Autor: Mirjam Gehrke

Redaktoi: Auron Dodi/ Aida Cama