1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Festa e Fiter Bajramit ne xhaminë e shqiptarëve në Gjermani

Angelina Verbica10 Shtator 2010

Pas 30 ditësh agjërimi komuniteti musliman po kremton festen e Fiter Bajramit. "Festën e Mëshirës" shqiptarët e Landit të Renanisë Veriore -Vestfalisë e kremtojnë në xhaminë e ndërtuar prej kontributit të tyre

https://p.dw.com/p/P9GM
Besimtarë në rastin e faljes së Fiter Bajramit në LeverkusenFotografi: DW

Xhamia „Mesxhidi Aksa“ në rrugën Mühlenweg 211, në Leverkusen të Gjermanisë, një faltore e thjeshtë e themeluar në vitin 1985 nga gjenerata e parë e emigrantëve shqiptarë, e cila në vitin 2005 u ndërtua nga pasardhësit e tyre në një Bashkësi Islame të Shqiptarëve, ishte vendfalja e Fiter Bajramit për të rreth 1000 besimtarët muslimanë nga landi i Renanisë Veriore dhe Vestfalisë, mbi 30 per qind prej të cilëve ishin të rinj. Ndër ta ishte edhe Burim Bekteshi, nga Vushtria e Kosovës, i lindur dhe i rritur në Leverkusen të Gjermanisë.

Isha në xhami, në Leverkusen, të fal namazin e Fiter Bajramit. Unë jam lind në Gjermani, por kam agjëruar për shumë vjet. Besoj se ai që do mund ta mbaj besimin e vet edhe po qe se është në rreth të krishterë. Vendlindja ime është Gjermania. Por, edhe pse këtu kam familje të madhe, mua më mungon edhe Bajrami në Kosovë. Veç, me fat ju qoftë Bajrami të gjithëve!“

Leverkusen Moschee
Amir Xheladini, Imam i xhamisëFotografi: DW

Sipas dijetarëve islamö, shpallja e Kuranit famelartë tek profeti Muhamed filloi në natën e 27-të të muajit Ramazan, me 610. Në përkujtim të kësaj shpalljeje hyjnore, e cila vjen si përforcim i dispozitave të zbritura në Librat e Parë Qiellorë, muslimanët janë të obliguar të agjërojnë 30 ditë. Kështu ka vepruar edhe Arbër Kutllovci nga Podujeva e Kosovës, me banim në Leverkusen tash 15-të vjet.

„Unë kam agjëru me qejf me zemër dhe për Allahun. Zoti i pranon lutjet e muslimanit. Tash gjendem në Gjaminë e Leverkusenit, ku e falëm namazin e Fiter Bajramit“.

Jonuz Mustafi, 42 vjec i ardhur nga Jazhinca e Tetovës, jeton në Gjermani që nga viti 1990. Ai njëherit është edhe organizator i turnirit të futbollit, që organizohet çdo vit nga xhamite e landit në kuadër të festës së Fiter Bajramit, i cili sivjet organizohet nga xhamia „Mesxhidi Aksa“. Ai agjëron me gjithë familjen.

Sivjet, edhe djali im 13-të vjec ka agjëruar dhe sot ishte shumë i lumtur qe ishte në xhami dhe e falëm së bashku Bajramin. Tash do të kremtojmë me familje dhe farefisin, siç e kemi zakon në vendlindje, që ta mbajmë vendlindjen më afër.”

Leverkusen Moschee
Ismail Memishi, kryetar i xhamisëFotografi: DW

Por sa është e mundur për shqiptarët në Gjermani që paralelisht të ruajnë traditën e besimin dhe të integrohen në shoqërinë gjermane, po ashtu?

„Për mua dhe shoqen time, që kemi ardhë në gurbet të pjekur, nuk është e vështirë. Por për fëmijët tanë, që kanë lindur këtu, kjo është një luftë për të mbijetuar me atë, që ne do të dëshironim ta kemi“, thotë besimtari Kutllovci nga Podujeva.

Xhamia Shqiptare në Leverkusen të Gjermanisë e hapur për të gjithë

Sipas efendi Amir Xheladinit, imam në xhaminë „Mesxhidi Aksa“, në Gjermani aktualisht jetojnë afro 300 mijë muslimanë shqiptarë, të cilët janë të organizuar në 40 shoqëri islame. Por duke qenë se prej vitit 2001 fëmijët e më se 30 për qind të shqiptarëve automatikisht fitojnë nënshtetësinë gjermane, kjo shifër më nuk është e besueshme, thotë imam Xheladini.

„Gjermania ofron kushte të mira sa i përket organizimit të shoqërisë. Kemi raporte shumë të mira me institucionet e qytetit. Në Leverkusen vepron Këshilli i Shoqatave Islame, ku muslimanët punojnë së bashku, por kemi edhe Këshillin e Religjioneve, ku të gjitha fetë ekzistuese të Leverkusenit punojnë në një tavolinë të përbashkët. Në Gjermani aktualisht janë mbi 2000 xhami dhe faltore, 200 prej të cilave janë xhami me kube dhe minare. Xhamia në Leverkusen është xhamia e vetme shqiptare me minare dhe kube në mbarë diasporën perëndimore. Dy xhami shqiptare të këtij lloji janë vetëm edhe në Australi dhe në Amerikë“.

Leverkusen Moschee
Xhamia Mesxhidi Aksa e ndërtuar nga shqiptarët në LeverkusenFotografi: DW

Dhe për besimtarin nuk ka pasuri ma t´madhe se ndërtimi i një xhamie, mendon besimtari Kutllovci, i cili thotë se: “Gjithë natën nuk kam fjet i qetë prej gëzimit, që kam me ardhë sot në xhami me familjen teme“.

Por ndërtimi i një xhamie 500 kuadratëshe në një hapësire 1000 metër katrorë, me salla faljeje për gra, burra dhe për mesimet fetare të fëmijeve me një hapësire faljeje për mbi 1200 besimtarë ishte një sfide në vete, thote Ismail Munishi, kryetar i xhamisë „Mesxhidi Aksa“, në Leverkusen.

Ka pas vështirësi të mëdha me popullatën, sidomos në rrethe që nuk na kanë njohur. Por, jemi tregu bujar dhe tolerantë dhe edhe pse diku është kaluar vija e kuqe, ju kemi tregu se ne jemi qytetarë, që meritojmë respekt. Si komunitet musliman, si shqiptarë në çdo aspekt iu kemi treguar se paragjykimet e tyre kanë qënë të gabuara. Dhe ata e kanë kuptuar.”

Çdo vit me 3 tetor, në Ditën e Ribashkimit të Gjermanisë, xhamia e shqiptarëve „Mesxhidi Aksa“ në Leverkusen hap dyert për qytetarët. Ajo bashkëpunon edhe me shkolla të ndryshme, për të informuar gjeneratat e reja për qëllimin e xhamisë.

„Dera e xhamisë është e hapur edhe për jomuslimanët, që dëshirojnë të vinë. Ne kemi gjermanë vizitorë, por edhe të konvertuar, që vinë falen. Dhe te tillë nuk janë pak", thotë kryetari Memishi. Dhe si për të vërtetuar fjalën e tij, krejt papritur nga porta kryesore e xhamise lehtas futet një vajze e re dhe e bukur. Ajo është e veshur bardhe e zi dhe dhe koka e saj është e mbuluar me dy shami.

Leverkusen Moschee
Anxhela Demenge e konvertuar në fenë islameFotografi: DW

„Dua të mësoj të lutem si muslimane…“ është dëshira e Anxhela Demmenge-s, 24 vjeç nga Leverkuseni, tw cilwn e shpreh tek kryetari i xhamisë me përunjësi.

„Jam gjermane e lindur dhe jam muslimane. Gjermanë muslimanë janë disa, por numri i tyre do të rritet edhe më shumë, „Inshallah!“ Prindërit e mi jane protestantë. Mua më ka interesuar feja muslimane që në rini dhe më së tepërmi, besimi i fortë se pas vdekjes do të ketë edhe një jetë tjetër. Sot në xhami kam ardhur, ngaqë deshiroj të mësoj të falem dhe të lutem si duhet dhe të mësoj edhe më shumë për islamin“- thote gjermanja-muslimane Anxhela, duke ofruar të hollat edhe për “Sadakatul-Fitrin”; obligim pronësor i muslimaneve më të pasur, i cili kryhet gjatë muajit të Ramazanit, me ç´rast një vlerë e caktuar u ofrohet njerëzve në nevojë, apo institucioneve fetare-arsimore.

Festa e Fiter Bajramit e cila njihet ndryshe edhe si „Festa e ´Mëshirës", është një rast për shtrirje të dorës së pajtimit edhe për njerëzit, që kanë pasur konflikte. Kjo festë treditore është festa e dytë më e madhe e islamit, pas Kurban Bajramit.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Angjelina Verbica