1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri – Gjermani, një udhëtim fotografik

18 Gusht 2010

Në qytetin e Pogradecit është hapur një ekspozitë artistike e titulluar “Shqipëri – Gjermani, një udhëtim fotografik”. Protagonistë të koleksionit fotografik janë pesë autorë, një fotograf gjerman dhe katër shqiptarë.

https://p.dw.com/p/Opw3
Alketa Ramaj
Alketa RamajFotografi: DW

Veçanërisht pasditeve ose në mbrëmje banorë të qytetit, por dhe mjaft pushues vendas e të huaj, pasi kanë lënë plazhet buzë liqenit, vijnë në ambjentet galerisë së artit për të vizituar ekspozitën fotografike gjermano shqiptare. Bëhet fjalë për një projekt artistik që në thelb ka dokumentimin e përshtypjeve e mbresave jo në vendlindje. Është një shkëmbim mes asaj që ka kënë gjurmë dhe e nxjerrë në dukje nga një fotograf gjerman për Shqipërinë, dhe i katër artistëve shqiptarë për Gjermaninë.

Përtej këtij dokumentimi artistik ka dhe shtysa të tjera shpjegon për DW kuratorja e fotoekspozitës Adela Demetja. “Siç është shkëmbimi mes artistëve të të dy vendeve, pasi ju e dini që nuk është e lehtë, të paktën për artistët shqiptarë, dalja jashtë kufijve dhe shkëmbimi me artistë të tjerë, por sigurisht dhe ekspozimi. Zakonisht të gjitha ekspozita hapen në Tiranë dhe është centralizuar si të thuash ajo skenë e pakët e artit që kemi në Shqipëri. Gjatë këtyre ditëve kemi patur shumë vizitorë dhe ajo që na ka bërë përshtypje është se ata janë nga mosha të ndryshme, një publik miks, i cili vjen edhe për faktin se një ekspozitë vetëm me fotografi nuk është e zakonshme në këtë galeri, në këtë qytet”.

Heinrich Völkel një vizitor sistematik i Shqipërisë
Heinrich Völkel një vizitor sistematik i ShqipërisëFotografi: Arben Muka

Dy temat kryesore që kanë motivuar autorët e ekspozitës janë nga njera anë Shqipëria 20 vjet pas rënies së komunizmit nga këndvështrimi gjerman dhe në anën tjetër Gjermania, 20 vjet pas ribashkimit të Gjermanisë nga këndvështrimi shqiptar. Grupi i autorëve shqiptarë përbëhet nga artistët Bevis Fusha, Arvenol Hasa, Ledia Kostandini dhe Alketa Ramaj.

Alketa Ramaj gjatë qëndrimit të saj në Gjermani ka kaluar më shumë kohë në Berlin. Duke prezantuar punimet e saj në ekspozitë ajo thotë për DW se gjithshka e ka sistemuar në dy cikle. “I pari që ka më shumë diçka që ne nuk e kemi në vendin tone, që është pjesa underground. Se si e përjetojnë këta njerëz, si është marrëdhënia e tyre me nëntokën e qytetit. Kjo ka lidhje me gjithë pjesën konceptuale me temën në përgjithësi. Cikli i dytë është më shumë tek pjesa e fotoreportazhit. Në këndvështrimin tim është një bashkim komunitetesh të shumta. Sepse rënia e murreve nuk është diçka vetëm objektive, siç mund ta them, por është dhe mentaliteti i njerëzve në përgjithësi. Kështu unë jam përpjekur të shikoj se si shumë komunitete rrinë bashkë me njeri tjetrin dhe çdo njeri është i lirë të veprojë ose të ndërveprojë në mënyra të ndryshme”.

Heinrich Völkel një vizitor sistematik i Shqipërisë pas vitit 2005 e në vijim ka selektuar shkrepje të aparatit që ka bërë veçanërisht në kryeqytet. Ndaj dhe cikli titullohet “Tirana - Mon Amour!”, që ka punime në portret dhe fotoreportazh. Qëllimi i Völkel-it është një përpjekje për të dokumentuar përshtypjet e tij mbi Shqipërinë dhe njerëzit gjatë proceseve të shpejta transformuese në vend, thotë për DW, Adela Demetja, kuratore e fotoekspozitës. “Në fotografitë që kemi zgjedhur për këtë ekspozitë dallohet qartë në to fryma e një shoqërie postkomuniste. Fotot e tij janë monumentale, janë shumë të thjeshta, bie në sy arkitektura socialiste që ndërthurret me jetën dhe me shoqërinë e sotme”.

Shqipëri – Gjermani, një udhëtim fotografik
Shqipëri – Gjermani, një udhëtim fotografikFotografi: Arben Muka

Fotografitë e tij janë shumë të thjeshta, me një kompozim formal, që arrijnë të krijojnë një situatë impozante, duke paraqitur në mënyrë realiste shoqërinë shqiptare post-komuniste 20 vjet pas rënies së regjimit komunist.

Marjana është një banore e Pogradecit që jeton jashtë Shqipërisë. Ajo pasi e ka parë dhe riparë koleksionin e fotove në ekspozitë vlerëson faktin që organizatorët kanë zgjedhur vendlindjen e saj. Është hera e parë që në qytetin tonë vjen një projekt kulturor i përbashkët shqiptaro gjerman, ku ndjehet profesionalizmi në objektivin e aparateve të autorëve, thotë ajo për DW. “Më duket iniciativa më e mirë që më në fund kultura të ndryshme, kultura europiane dhe kultura shqiptare po afrohen. Qoftë dhe në një kontekst paralelizmi, krahasimi më duket një gjë ideale”.

Pas rreth dy muajsh “Shqipëri – Gjermani, një udhëtim fotografik” do të zhvendoset në Tiranë në kuadër të kalendarit të “Tetorit Gjerman 2010”. Prezent në këtë event do të jetë dhe protagonisti kryesor i ekspozitës Heinrich Völkel. Ekspozita është organizuar nga “Tirana Art Lab”, një qendër për artin bashkëkohor, me mbështetjen e ambasadës gjermane në Tiranë dhe Fondacionit të kulturës europiane.


Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama