1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Plaga e korrupsionit në Kosovë

21 Korrik 2010

Tani kur një pjesë e popullatës vuan për bukë derisa pjesa tjetër s'ia di skajin pasurisë, ëndërra për një Kosovë me prosperitet ku secili do të jetojë i barabartë ka mbetur diku larg.

https://p.dw.com/p/OR0r
Fotografi: dpa

Megjithëse motoja e qeverisë së Kosovës është “Zero-Tolerancë ndaj korrupsionit", faktet në terren dëshmojnë prezencën e fenomenit deri në nivelin më të larte. Arrestimet e kohëpaskohshme të Policisë së Kosovës tregojnë perpjekjet për luftimin e tij ndërsa, aksionet e EULEKS-it inkurajojnë për goditje të të korruptuarve pa përjashtim.

Mehmet Krasniqi nga Vranoci i Pejës, inxhinjer i papunë, hyn në një dyqan i dërmuar nga lodhja e vapa. Ai gjithë ditën punon si traktorist, megjithëse në rrethana normale ai përket krejt diku tjetër. „Kam diplomuar në vitin 1986 e tash punoj si traktorist!”-pohon Krasniqi i zhgënjyer.

Dhe, ky zë rëndohet edhe më shumë, kur dihet se nëpërmjet tij shpërthen revolta e pjesës dërmuese të qytetarëve të Kosovës, të cilët janë të pafuqishëm të ndryshojnë realitetin rreth vetes. Tash, kur një pjesë e popullatës vuan për bukë derisa pjesa tjetër s´ia di skajin pasurisë, ëndërra për një Kosovë me prosperitet ku secili do të jetojë i barabartë ka mbetur diku larg. Sepse, krahas papunësisë enorme, gjëndjes së rëndë ekonomiko-sociale e varfërisë së skajshme, fenomeni i korrupcionit ngulfat të sotmen e vret shpresen e qytetarëve të Kosovës për një të ardhme më të mirë. Prandaj, shfryn inxhinjeri i papunë, Krasniqi, duke iu rikthyer punës me traktor në vapën që djeg, shfryn: “Kurrë s´ka me pas ditë ma t´mira n´këtë Kosovë. Jo, përderisa hajnat, rrugaqët e t´korruptuarit janë n´pushtet. ”

Por, fillimi i ndërtimit të një shteti ligjor është drita e parë në këtë tunel të errët, në daljen prej të cilit po ndihmon Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë. Përderisa, Agjencia Kundër Korrupsionit e themeluar me 2006, e cila ka përgjegjësinë të përcjellë tek prokuroria përkatëse informatat për shkelje të mundshme korruptuese, është adresa së cilës i kthehen e i rikthehen hetuesit e EULEX-it.

Mentor Borovci Mentor Borovci Anti Korruption Agentur
Mentor BorovciFotografi: Ajete Beqiraj

“Që nga themelimi i kemi dergu rreth 180 informata në prokurorinë e EULEX-it, në Prokurorinë e Shtetit, Prokuroritë e Qarqeve, Polici etj. Rastet kanë të bëjnë me te gjitha kategoritë e pushtetit, por këtu s´përjashtohen as gjykatat dhe ndërmarjet publike. Natyrisht, pas fillimit të procedurës gjyqsore ne do ta pranojmë nëse një rast i caktuar ka qënë yni ose jo"-thotë Mentor Borovci, shef i Departamentit të Hetimeve në Agjencinë Antikorrupsion,sipas të cilit, pas nënshkrimit të memorandimeve me EULEKS-in ka një frymë të re në në gjyqsorin e Kosovës.

Arrestimet e disa zyrtarëve të lartë dhe bastisjet e fundit në kompani shtetrore dhe private në disa qendra të Kosovës, inkurajojnë për vazhdimin e goditjeve ndaj të të korruptuarve të cdo niveli. Ndërsa, bastisjet e përbashkëta EULEKS-Polici e Kosovës dhe hetimet nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës, dëshmojnë rifunksionalizimin e hallkave të shkëputura të gjyqsorit.

Blerim Krasniqi EULEX Sprecher
Blerim KrasniqiFotografi: EULEX

Arrestimet e fundit si dhe bastisjet janë bërë në kuadër të luftimi të korrupsionit dhe krimit e organizuar. Gjatë bastisjeve në zyrat e PTK-së dhe në tri kompani të tjera private, janë mbledh kompjuterë dhe dokumente të cilat do të analizohen nga prokurorët hetuesit policorë. Ndërsa, në „Rastin Limaj“ po vazhdojnë hetimet për tenderët e rugëve në periudhën 2007-2009, për të cilin s´mund të them më shumë meqënse hetimet janë konfidenciale“ - shpjegon për Deutsche Welle-n, Blerim Krasniqi, zëdhënës i EULEX-it i cili tregon se:

Prokuroria Speciale e Kosovës e përbërë nga prokurorët e EULEX-it dhe prokurorët e Kosovës ndërkohë po merren me 190 raste, 38 prej të cilave janë të lidhura më korrupsion. Nga ky numër, një e treta e rasteve të profilit të lartë të korrupcionit iu është caktuar prokurorëve vendor të prokurorisë speciale, ndërsa me pjesën tjetër po merren prokurorët e EULEX-it“-thotë zëdhënësi Krasniqi, sipas të cilit EULEX-i po heton të gjitha rastet pa dallim kombsie apo shtrirjeje gjeografike, me ç'rast përmend një numër rastesh të cilat po hetohen ndërkohë për korrupsion e vrasje në veri të Kosovës.

Drejtoria për Hetimin e Krimit ekonomik dhe korrupsionit në kuadër të Policisë së Kosovës, raporton se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2010, janë bërë 248 kallëzime penale ndaj 493 personave dhe janë arrestuar 94 të dyshuar. Në aspektin legjislativ, krahas “Strategjisë Anti-korrupcion 2009-20011” dhe amandamentimit të Kodit Penal të Kosovës, pakon ligjore kundër këtij fenomeni e kompletojnë Ligji Kundër Korrupcionit si dhe Ligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë, falë të cilit Agjencia Antikorrupcion tashmë ka përfunduar procesin e deklarimit të pasurisë me c´rast pasuria dhjetëvjecare e njerëzve në pushtet ka kaluar milionat. Ndërsa, sipas një raporti të EULEX-it në të cilin janë monitoruar policia, doganat dhe gjyqësia, ndër sfida kryesore të këtij misioni kanë dalë në pah gjyqësori i dobët, jofunksionimi i Gjykates së Qarkut në Mitrovicë si dhe ndërhyrjet politike në sistemin gjyqësor.

Autor: Ajete Beqiraj
Redaktor: Bahri Cani