1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Refugjatë në shtëpi të vet- Mitrovica në ditën ndërkombëtare të refugjatëve

19 Qershor 2010

Me ndërhyrjen e forcave të NATO-s, kur mijëra shqiptarë të dëbuar me dhunë nga forcat serbe u kthyen në vatrat e veta, frika nga hakmarrja nxiti zhvendosjen e pakicave.

https://p.dw.com/p/NxHs
Në ditën ndërkombëtare të refugjatëve.
Në ditën ndërkombëtare të refugjatëve.Fotografi: DW

Pleurat Kurti, 35 vjeç, edhe pse ka shtëpinë e vet në pjesën veriore të Mitrovicës, tash 11-të vjet me familjen shtatanëtarëshe jeton si i zhvendosur dhe deri më tani ka ndërruar nëntë shtëpi me qira. “Unë e kam lëshu veriun pas ndërhyrjes së forcave të NATO-s në Mitrovicë sepse e kam pas se nuk ka ndryshime as pas kësaj."

Milutin Spiric
Milutin SpiricFotografi: DW

Për shkak të dëbimit të dhunshëm gjatë luftës dhe zënies së pronave pas përfundimit të saj, afro 12-mijë shqiptarë të Mitrovicës së veriut edhe 11-të vjet pas luftës jetojnë larg shtëpive të tyre, të cilat ose janë marrë nga serbët ose janë lënë shkretë nga pamundësia e jetës në geto. Si rrjedhojë, Mitrovica ende mbetet oazë ku njerëzit jetojnë në pronat e njëri-tjetrit.

"Me këtë ka ndërruar edhe struktura e popullisë," - thotë Avni Alidemaj, 40 vjeç, lindur e rritur në pjesën veriore të Mitrovicës, i cili tash jeton me qira në jug të saj. “Përgjithësisht qe 11-të vjet mendojnë se popullsia shumicë e pjesës veriore të Mitrovicës kanë qënë serbët, çka s´është e vërtet! Mbi 50 për qind e popullatës në veri të Mitrovicës kanë qënë shqiptarë e pastaj kanë ardhë serbë, boshnjakë, romë, ashkalinj dhe egjiptas. Struktura e popullatës ka ndryshuar në pjesën veriore të Mitrovicës, si pasojë e zhvendosjes së popullatës shqiptare nga veriu në pjesën jugore të Mitrovicës“.

Pleurat Kurti
Pleurat KurtiFotografi: DW

Ndërkohë, shumica e serbëve dhe romëve edhe më tutje jetojnë të zhvendosur në shtetet e rajonit apo brenda Kosovës. Ndër ta është edhe Milutin Spiric, 71 vjeç nga fshati Pantine i Vushtrise, i cili jeton në veri të Mitrovicës. “Kemi dalë natën në mjegull, zhveshur e zbathur. Tash jam vendosur në Mitrovicë," - dëshmon ai.

Dikur, Pleuratit dhe të zhvendosurve si ai nuk do t´iu shkonte në mëndje kurrë se edhe 11-të vjet pas luftës do t´mbeteshin refugjatë në vendin e tyre. Sepse, para një dekade ai kishte një vizion krejt tjetër për Mitrovicën. “Besoja se Kosova do të lulëzojë nga vuajtet nëpër të cilat kaloi ky popull. Por, njerëzit s´kane mujt të kthehen në vatrat e veta dhe edhe pse kemi institucione, janë lënë në mëshirën e fatit."

Mitrovica veriore
Mitrovica verioreFotografi: DW

Sipas Komisariatit e Lartë të KB-së për Refugjatët, deri me tani në Kosovë janë kthyer mbi 20 mijë persona, 1 000 prej të cilëve vetëm brenda këtij viti.

Në ekspozitën e pikturës me moton “Nuk ka vend më të mirë se shtëpia,” me punime nga studentët e Akademisë së Arteve të Universitetit të Prishtinës, e cila hapi ceremoninë e Ditës së Refugjateve në Galerinë e Arteve të Kosovës, z. Ramë Manaj, zëvendës-kryeministër Kosovës dhe shefi i misionit të UNHCR-së në Kosovë, z.Herman Stuurwold, kujtuan nevojat e paplotësuara të miliona njerëzve të zhvendosur kudo në botë, si dhe tendencat inkurajuese të kthimit vullnetar në Kosovë.

Kurse, ministri për komunitete dhe kthim Sasha Rashiç duke kujtuar vitin 1999, kur njerëzit brenda natës u detyruan të lëshojnë vatrat e veta, premtoi angazhim të vazhdueshëm të ministrisë së tij, duke inkruajuar të zhvendosurit për kthim në trojet e veta.

Autor. Ajete Beqiraj

Redaktoi: Aida Cama