1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

010510 USA Obama Ölpest

1 Maj 2010

Në brigjet jugore të SHBA-së po përhapet naftës e derdhur nga platforma naftënxjerrëse "Deepwather Horizon" e mbytur një javë më parë. Obama deklaroi se qeveria e tij do të kontribuojë për të eleminuar katastrofën.

https://p.dw.com/p/NCFr
Shtresë nafte në brigjet e Luizianës
Shtresë nafte në brigjet e LuizianësFotografi: AP

Në sfondin e përhapjes gjithnjë e më shumë të shtresës së naftës në det përgjatë brigjeve të Luizianës presidenti i SHBA-së Barack Obama theksoi: „Siç e deklarova edhe një ditë më parë (29.4.) koncerni i naftës BP në bazë të së drejtës amerikane është padyshim përgjegjës për të gjitha masat e shpëtimit dhe të pastrimit të mjedisit."

Koncerni i naftës BP, operatori i platformës së naftës që pësoi havarinë, shprehu gatishmërinë që të marrë përsipër shpenzimet për pastrimin e mjedisit.

Marina amerikane e angazhuar në luftimin e ndotjes

Obama në dekalartën e tij u përpoq të ilustrojë se sa e angazhuar është qeveria amerikane, mbrojtja bregdetare e SHBA-së dhe qysh prej dy ditësh edhe marina e SHBA-së për të luftuar kundër shtresës së naftës, që ndërkohë ka arritur përmasa më të mëdha se sipërfaqja e shtetit federal të Delauerit.

„1900 luftues të naftës janë dislokuar tashmë në det dhe në tokë. Mbi 300 anije speciale dhe avionë operojnë natë e ditë në zonën e katastrofës."

Aktualisht po punohet për të thithur sa më shumë naftë që të jetë e mundshme ose për ta spërkatur atë me kimikate në mënyrë që sa më shpejt shtresa e naftës të bëhet e padëmshme.

Gjendje e jashtëzakonshme edhe në Florida

Përveç Luizianës, gjendja e jashtëzakonshme është shpallur edhe në disa pjesë të Floridës. Sipas të dhënave të autoriteteve amerikane qysh pas havarisë së platformës "Deepwater Horizon" është derdhur në det së paku 6,1 milionë litra naftë bruto dhe çdo ditë vazhdojnë të derdhen rreth 800.000 litra naftë. Shkencëtarët megjithatë parashikojnë, që nisur nga madhësia e vrimës së shpimit dhe nga rezervat gjigante të naftës të depozituara nën tokë derdhja mund të arrijë së shpejti deri në 4 milionë litra në ditë, njofton Wall Street Journal.

Shtresa e naftës në Gjirin e Meksikës, sipas vlerësimeve të ekspertëve mund të bllokojë linjat më të rëndësishme të anijeve në rajon. Banka investuese amerikane, Goldman Sachs paralajmëroi klientët e saj se katastrofa e mjedisit mund të pengojë gjatë javës së ardhshme transportin e naftës. Në këtë mënyrë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si konsumatori kryesor rrezikohen të shkëputen nga importi i naftës. Nëpër Gjirin e Meksikës kalojnë rrugët më të rëndësishme detare për transportin e naftës së papërpunuar dhe produkteve të rafinerive si benzina dhe naftës për automjete.

Autor: Ralph Sina/Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi