1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Histori e përditshme bashkëjetese - Gjashtë serbe të punësuara në një dyqan shqiptar në Prishtinë

14 Prill 2010

Në një kohë kur papunësia prej 47% është preokupimi kryesor i kosovarëve, gjashtë serbe nga Uglari i Fushë Kosovës e kanë zgjidhur këtë problem. Ato tashmë punojnë në një dyqan me pronar shqiptar në qendër të Prishtinës.

https://p.dw.com/p/MwDT
Punonjëset serbe në dyqanin e pronarit shqiptarFotografi: DW

Gjashtë serbe nga fshati Uglar i Fushë Kosovës, që nga 19 maji i vitit të kaluar kanë gjetur burimin e ekzistencës në një dyqan garderobe në qendër të Prishtinës, pronari i së cilës është shqiptar.

Një bashkëpunimi jo i lehtë për t'u filluar

Marina Kitic, 22 vjeçare, e martuar dhe nënë e një vajze, rrëfen historinë e fillimit të bashkëpunimit: “Pronari erdhi ne dyqanin e fshatit dhe kërkoi 6 serbe për t´i punësuar. Ne u menduam gjatë a të pranojme apo jo, sepse ky ishte një dyqan privat me pronar shqiptar dhe jo një institucion shtetëror ku do të kishim edhe kolegë të tjerë serb. Mirëpo, kur keni familje për të mbajtur nuk duhet edhe kohë e gjatë për të vendosur. Dhe kështu, ne vendosem të punojmë dhe që atëherë çdo gjë është në rregull si me pronarin, si me kolegët shqiptare ashtu edhe me klientët dhe asnjëherë s´kemi pasur ndonjë problem.“

Junge Leute auf der Straße Pristina Flash-Galerie
Të rinj në PrishtinëFotografi: Mimoza Cika Kelmendi

Përballë paragjykimeve - Me to ndeshen shqiptarë dhe serbë

Sipas Maria Galic, 21 vjeçare, poashtu nga Uglari, fshat dhjetëra kilometra larg Prishtinës, nuk ishte një vendim i lehtë të punonin tek shqiptarët: „Në fillim disa serbëve ju pengonte pse punonim këtu. Mirëpo, tash shumë gra na pyesin nëse pronari ka nevojë për punëtore, që të mund të punësohen edhe ato. Dhe porosia ime është që të bashkohemi, të punojmë dhe çdo gjë të jetë siç ishte dikur. Se, megjithëse sot me autobus e në këmbë shkoj gjithandej, deri në vitin e kaluar unë s´kam qenë në Prishtinë sepse dominonte frika!“

Pajazit Jashari
Drejtori i organizatës "Ardhmëria", Pajazit JashariFotografi: DW

Frika. Kjo ka ndodhur për shkak të politikës së Beogradit, mendon Pajazit Jashari, drejtor i organizatës joqeveritare „Ardhmëria-Buducnost“, e themeluar nga shqiptarë dhe serbë. “Politika e Beogradit e ka acaruar gjendjen dhe serbët vërtet kanë menduar se si të dalin në qytet, se do ta pësojnë nga shqiptarët. Kjo nuk qëndron fare! Unë këtë e kam diktu se jam në mesin e këtij populli dhe e di çka mendon. Konflikte verbale të drejtpërdrejta s´kemi pas asnjë deri më sot. Tri raste i kemi pas që ju kane drejtu punëtoreve shqiptare: „A paski marrë edhe serbe, a?Ju keni me dështu!“Ndërsa, sa kanë qënë rastet, të cilat na kanë kanë përgëzuar për këtë iniciativë të guximshme në mes të Prishtinës, janë të panumërta. Por, ka pas edhe raste me qëndrim neutral, sigurisht“.

Nga ana tjetër edhe punësimi i gjashtë serbeve në qendër të Prishtinës nuk ishte iniciativë e lehtë për një pronar shqiptar, kujton drejtor Jashari. “Kam llogarit nga të dyja anët që po ia prish pazaret, si nga Beogradi ndoshta edhe dikujt nga Prishtina. Mirëpo, s´është herë e parë që unë hy mes plumbave. Njësoj kam bërë edhe në kohën e pushtetit komunist jugosllav dhe siç kam bërë atëherë për popullin tim të shtypur, tash e bëj për njerëz të tjerë që të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë të jenë të barabartë”.

Logo NGO The Future
Logoja e "Ardhmërisë"Fotografi: DW

"Shumë shpejt do të lëvizni lirshëm nëpër Prishtinë!"

Më parë se të fillonin punën, jeta nuk ishte e lehtë, thotë Natasha Galic 44 vjeçare, nënë e tre femijëve. Galic rrëfen: „Meqëense bashkëshorti s punon askund, kjo punë vërtet ishte e mirëseardhur. Sepse, më parë gjindeshim disi, pak me toke e pak me 100 euro që na paguante Serbia, si një lloj minimalje për bashkëshortin që ka punuar dikur. Kështu i kam shkolluar tre fëmijë. Ndërsa tani, edhe pse pas dhjetë vjetësh që nuk e kishim parë Prishtinën s´ishte e lehtë të fillojmë edhe të punojmë këtu, falë pronarit i kemi tejkaluar të gjitha. Dhe doli fjala e tij, të cilën nuk e besonim: „Se shumë shpejt do të shëtisnim lirshëm nëpër Prishtinë.Tash, le të thotë kush çfarë të dojë. Unë jam mirë. Paga më siguron jetë më të mirë dhe unë i jam shumë mirënjohëse pronarit shqiptar“.

Qëllimi i themelimit të OJQ-së „Ardhmëria“ ishte normalizimi i marrëdhënjeve ndëretnike me anë të aktiviteteve konkrete. Ndërsa, pas themelimit të shoqërisë kulturore artistike shumë etnike, hapi tjetër është që shqiptarë e serbë të angazhohen për përmirësimin e pozitës së romëve. Sepse, sipas drejtorit Jashari: “Fajtor nuk është vetëm pushteti për pozitën e romëve, por është një shoqëri e tërë. Është shoqëria ajo që i ka shtyp dhe nuk i ka lanë të zhvillohen.“

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Lindita Arapi