1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Festival i traditës dhe kulturës rome në Kosovë

7 Prill 2010

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve të martën (6.4.) u hap në Prishtinë një festival katërditor, në kuadër të të cilit do të prezantohen aktivitete të ndryshme të kulturës dhe traditës rome.

https://p.dw.com/p/MpOr
Muzika, shoqëruese e përhershme e romëve.
Fotografi: picture-alliance/dpa

Salla e Kuqe në zemër të Prishtinës ishte vendi ku u hap festivali katërditor për Ditën Ndërkombëtare të Romëve, ndërsa hapësirat e saj, disi të ngushta për adhuruesit e shumtë të muzikës rome, të cilët pa dallim moshe e kombësie ishin mbledhur të shijonin shfaqjet karakteristike të artistëve romë. Pas hapjes së festivalit me fjalë përshëndetëse nga organizatorët, mbrëmja vazhdoi me këngë të vjetra rome.

Dita Ndërkombëtare të Romëve mbahet çdo vit që nga Kongresi i Parë Rom në vitin 1971. Në Kosovë çdo vit organizohen manifestime të ndryshme për promovimin e identitetit, kulturës dhe gjuhës rome. Motoja e festivalit të sivjetëm është “Bahtalo” që do të thotë „Gëzuar!”.

Festivali përkrahet nga Zyra e Kryeministrit dhe Zyra për Komunitete e Qeverisë së Kosovës, Këshilli i Evropës, Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian, Ambasada e Zvicrës, Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur si dhe Ndihma e Kishës Norvegjeze.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Eliana Xhani