1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rriten kërkesat për vërtetim të atësisë dhe amësisë në Kosovë

31 Mars 2010

Në mungesë të laboratorit të ADN-së puna në laboratorët e shteteve të rajonit i kushton miliona buxhetit të Kosovës. Vonesa e analizave i zvarrit lëndët në gjykata, prindërit detyrohen të mësyjnë klinikar e vendeve fqinj

https://p.dw.com/p/MjID
Fotografi: Ajete Beqiraj

Rritje e kërkesave për vërtetim, apo kundërshtim të atësisë dhe amësisë në Kosovë

Një barakë llamarine me një korridor të ngushtë dhe një kupe, që shërben si dhomë fjetjeje dhe kuzhinë njëkohësisht është vendbanimi i një nëne, e cila që në muajt e parë të shtatzanisë mbeti e vetme në rrugë. Ndërsa një fytyrë e vogël ngjeshur për xhamin e dritares është një fëmijë, që refuzohet që nga lindja e tij.

"S´kam more baba!-përgjegjet i vogli në çast, për të vazhduar pastaj mendueshëm:-Kam baba, veç ai nuk është mirë" A ta tregoj t´vërtetën pse s´është mirë?"

Dhe ky pesëvjecar i lindur jashtë martese dhe i braktisur ende pa ardhur në jetë, me gjithë njomësine e tij, është futur në thelb të problemeve të jetës; aq thellë sa të dijë të rrëfeje vetö historinë e tij dhe të së ëmës së braktisur!

"Du t´vërtetën me kallxu, se jam taku me babin. Veç kuku për të, ai ish i çmendur!...Kallxoi ti se s´po muj me fol!"-flet vogëlushi duke e lutur të ëmën të vazhdojë rrëfimin.

"Kam pas presion prej tij. M´ka maltretu. Ka dyshu. E ka marr tjetrën! Jam taku së voni me të. I thashë: "Unë e di njëqind per qind se fëmija është yti. Nëse dyshon diçka, mundesh me ardhë dhe i bëjmë analizat"- vazhdon rrëfimin e ëma e pesëvjeçarit.

Zahide Gjonaj, gjyqtare në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë
Zahide Gjonaj, gjyqtare në Gjykatën e Qarkut në PrishtinëFotografi: DW

Dhe raste të tilla janë në rritje

Sipas të dhënave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës gjatë vitit të kaluar ishin gjithsejt 14 lëndë të kundërshtimit të atësisë/amësisë si dhe 81 lëndë të vërtetimit të atësisë, apo amësisë. Dhe raste të tilla janë gjithnjë e më në rritje - thotë Zahide Gjonaj gjyqtare në lëminë civile-shkalla e parë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

"Nënat janë raste më të rralla e baballarët janë raste të shpeshta. Mirëpo, për shkak të mungesës se institutit përkates, analizat kryhen jashtë Kosovës dhe köshtu procedurat zvarritën me vite. Atëherë ne jemi të detyruar t´i udhëzojmë palët nëpër institucione të rajonit", thotë z.Gjonaj.

Mirëpo krahas thirrjeve të shpeshta të prindërve tek Departamenti i Mjekësisë Ligjore në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës për analiza të AND-së, këtu ka një pengesë të pakalueshme-thotë Arsim Gerxhaliu, drejtor i këtij Departamenti.

Arsim Gerxhaliu, Drejtor i Departamentit të Mjekësisë Ligjore
Arsim Gerxhaliu, Drejtor i Departamentit të Mjekësisë LigjoreFotografi: DW

"Sepse në njërën anë ligji ynë nuk lejon që të kryhen analizat e ADN-së në formën private, ndërsa në anën tjetër thotë se prindi ka të drejtë të kryejë në formë private analizat e AND-së, deri në moshën 14-16-të vjeçare. Dhe shteti në këtë rast po tregon papjekuri në këtë drejtim, për më tepër kur mungesa e një laboratori të AND-së, i kushton buxhetit të Kosovës shuma enorme".

Çështjet zvarriten me vite

Sipas drejtorit Gërxhaliu të gjitha analizat e ADN-së dërgohen në Zagreb dhe procedura zgjat prej 6-të deri në 12-të muaj; një çmenduri kjo për profesorin e mjekësisë ligjore John Clark, nga Universiteti Glasgov i Britanisë, sepse thotë ai:

John Clark- Profesor në Universitetin Glasgou në Britaninë e Madhe
John Clark- Profesor në Universitetin Glasgou në Britaninë e MadheFotografi: DW

"ADN-ja është baza e punës në mjekësinë ligjore dhe laboratorët për analiza të tilla kanë rëndësi jetike, si për marrjen e mostrës, po ashtu edhe për mënyrën e transportit dhe ruajtjen e saj. Se në qoftë se mostra nuk është e mirë, këtë laboratori duhet ta thotë brënda 24 orësh, që të mund t´i ofrohet një mostër tjetër. Por qö të kalojnë vite për të kthyer një përgjegje kjo është çmenduri! Prandaj kushdo, që udhëheq Kosovën, do duhej ta kuptonte se në këtë kohë, kur në botë numri i laboratorëve të forenzikes është në rritje, një laborator i AND-së në Kosovë është i domosdoshëm".

Në mungesë të laboratorit të ADN-së, roli i vetëm i Departamentit për Mjekësi Ligjore të Kosovës në procedurën e vërtetimit, apo kundërshtimit të atësise apo amësisë, është marrja e mostrave me urdhëresë të gjykatave, thotë drejtori i këtij departamenti, Arsim Gerxhaliu.

"Ne vetëm mund të marrim gjakun dhe pështymën e paketojmë në mënyrë profesionalë dhe përmes policisë, kjo pastaj dërgohet në Zagreb. Ne kurrë s´kemi pas takim me atë institucion, sepse ndërmjet neve dhe Zagrebit ekziston policia, e cila e bën dergimin. Pastaj as nuk na vinë analizat më këtu kurrë", thotë dr.Gerxhaliu, sipas të cilit për shkak të vonesës së rezultatit të analizave të ADN-së, lëndët nëpër gjykata zvarriten me vite, nga vonesat gjatë transportit të mostrave rezultatet rrallëherë janë të sigurta, përderisa për shkak të shtyrjeve të gjata prindërit shpeshherë detyrohen të drejtohen nëpër klinikat dhe laboratorët e shteteve të rajonit.

Autor:Ajete Beqiraj

Redaktoi: Angjelina Verbica