1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Griechland Krise

5 Mars 2010

Greqia kërkon mbështetje gjermane, për të vënë në jetë programin e saj të kursimeve. Me masa drastike kursimi qeveria greke synon të pengojë falimentimin e vendit.

https://p.dw.com/p/ML1m
Kryeminsitri grek Jorgos PapandreuFotografi: AP

Para 150 vjetësh greqishtja e vjetër konsiderohej mondane në sallonet e Berlinit. Këto kohë kanë kaluar përfundimisht. Kur kryeministri grek do të takohet të premten në darkë në zyrën e kancelarisë me Angela Merkelin, ai do të ndodhet në një ambjent, i cili nuk karakterizohet nga ndonjë dashuri e veçantë për botën greke. Megjithatë ai mund të shpresojë të marrë mbështetje politike në Zyrën e Kancelarisë në Berlin. Gjermania, si partneri më i fortë i Greqisë, me siguri do t'ia japë Greqisë këtë mbështetje.

Greqia e rraskapitur ka nevojë të domosdoshme, që Gjermania t'i shprehë asaj besimin, në mënyrë që të marrë me lehtë kredi, sepse donatorët në tregjet ndërkombëtare të kapitalit janë bërë skeptikë. Berlini ka vendosur kushte për mbështetjen politike. Qeveria e re greke duhet të bëjë të qartë se është me të vërtetë e vendosur që t'i pakësojë deficitet e mëdha dhe që t'i konsolidojë financat shtetërore. Por pas perdeve po punohet për plane konkrete ndihme, për rastin e emergjencës.

Programi rigoroz i kursimit, të cilin e vendosi këtë javë qeveria Papandreu, tregon se Athina këtë herë e bëri një detyrë të parë shtëpie. Fakti që BE dhe veçanërisht Republika Federale e qortuan me javë të tëra Greqinë mund ta ketë shkundur këtë vend. Por ky mund të jetë edhe një shans për një të ardhme më të mirë. BE nuk mund të duronte më që çdo qeveri greke të hidhte vështrimin me indiferentizëm përtej gjithë problemeve fiskale. Kjo e rrezikoi stabilitetin e Eurozonës.

Por nëse BE përqëndrohet tani vetëm në mëkatet greke, ajo nuk i zgjidh problemet strukturore të Eurozonës. I gjithë krahu jugor i hapësirës së Euros, pra Portugalia, Spanja dhe Italia ka një produktivität relativisht të ulët dhe nuk është në gjendje të japë mbështetje të përhershme për një Euro të fortë. Por Eurozona nuk është në gjendje të funksionojë si duhet pa një bashkim përkatës politik dhe një politikë të përbashkët financiare. Dhe në fund të fundit, shembulli frikësues i Greqisë tregoi se Eurozona nuk ka mekanizma për të penguar difekte të mëdha apo të vogla.

Edhe Irlanda u konfrontua me vështirësi të mëdha financiare. Por rasti irlandez nuk shkaktoi valë të mëdha indinjate në publikun gjerman. Pacienti grek trajtohet më me ashpërsi. Një pjesë e shtypit gjerman e paraqiti Greqinë si vend, ku jetohet për shtatë palë qejfe, pa punuar dhe pasqyroi me imtësi dekadencën e kombit grek. Disa politikanë gjermanë madje i këshilluan grekët që t'i shesin ishujt e pabanuar dhe që ta japin me qira Parthenonin, tempullin e Akropolit, për të siguruar para. Nga Athina erdhi menjëherë xhevapi. Gazetat bulevardeske vënë në dyshim që gjermanët e sotëm, vetëm sepse kanë lindur më vonë, nuk duhet të mbajnë përgjegjësi për krimet e nacionalsocializmit. Pati madje edhe politikanë të qeverisë greke, që kujtuan se gjermanët nuk ua kanë kthyer kurrë huanë e detyrueshme, të cilën e kërkuan si fuqi pushtuese naziste nga Greqia në kohën e Luftës së Dytë Botërore.

A po vjen tani ora e nxitësve të konflikteve? Sjellja me finesë shihet rrallë si pjesë e virtuteve gjermane, disiplina dhe morali i pagesës nuk shihen asnjëherë si virtut i grekëve. Sikur të dyja palët të ushtroheshin pak në këta elementë? Kjo nuk do t'i bënte keq çështjes së përbashkët evropiane.

Autor: Spiros Moskovou

Redaktoi: Angjelina Verbica