1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një copë toke andej një këtej - Si reagojnë qytetarët e Kosovës?

20 Tetor 2009

Në bazë të marrëveshjes se ratifikuar për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë, 20 hektarë tokë të njohura si „Kodra e Furrës", kalojnë në territorin e Maqedonisë. Si pritet kjo nga ga qytetarët e Kosovës?

https://p.dw.com/p/KB5L
„Kodra e Furrës"
20 hektarë prona private të banorëve të fshatit Debelldeh në vendin e njohur si „Kodra e Furrës", mbeten jashtë kufijve të Kosovës.Fotografi: Ajete Beqiraj

Me marrëveshjen e 2001-shit midis Beogradit dhe Shkupit për dhurimin Maqedonisë të 2500 hektarëve tokë të Kosovës, marrëveshje që u ratifikua në Këshillin e Sigurimit, Bashkësia Ndërkombëtare shkeli Rezolutën 12/44 e cila garanton mbrojtjen e kufijve të territorit të Kosovës. Vija kufitare Kosovë- Maqedoni e cila që nga viti 2001 mbeti një zonë problematike, është shënuar tashmë me një marrëveshje të nënshkruar nga të dyja qeveritë, në bazë të së cilës 20 hektarë prona private të banorëve të fshatit Debelldeh në vendin e njohur si „Kodra e Furrës", mbeten jashtë kufijve të Kosovës.

„Marreveshje kjo e nënshkruar kundër vullnetit të banorëve të këtushëm, " - thotë Zymri Iljazi, përfaqësues i fshatit Debelledeh. Banorët lokalë janë viktimë e asaj marrëveshjeje të 2001-shit me anë të së cilës Beogradi ia dhuroi Shkupit tokën e Kosovës dhe poashtu edhe këtë pjesë të Debëlldeut, edhe pse kjo është tokë jona, posedon me të gjitha dokumentet, dëshmitë…".

„Jemi të zhgënjyer nga Komisioni ynë se atë ditë që kanë dalë me i vu kufijtë, i kanë caktu me ngjyrë të kuqe por gurët nuk i kanë ngul. I kanë ngul diku tre kilometra-katër përbrenda kufirit të Kosovës. E për këtë tokë njerëzit kanë derdh gjak,"- thotë 40 vjeçari Burim Hasani, pronar i pesë hektareve tokë. „Sipas nënvizimit të atyre pikave, nuk ka qënë dashtë të shkojë asnjë pëllëmbë nga pronat private në territorin e Maqedonisë. Mirëpo, se çka u punu prapa…"- thotë me dyshim Fazliu, banorë i Debelldeut.

„Bile në fshatin Dunav janë marrë shumë pyje dhe gjysma e fshatit Zllakucan nga ana e Maqedonise. Tash është ngjyra e verdhë kah e kanë pas serbët, e maqedonët kanë hy nja pesë kilometra përbrënda territorit të Kosovës"- shton Rrahim Ismajli.

Lidhur me këtë, Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Zenun Pajaziti ka këtë përgjegje: „Asnjë qytetar nuk do të jetë i privuar nga e drejta e tyre për ta punuar, shfrytëzuar dhe për ta poseduar tokën e vet dhe kjo është një punë tashmë e kryer. Banorët e dimë se janë të shqetësuar për shkak të përvojave të kaluara. Por, shtetet fqinje janë të interesuara t´i qasen më ndryshe se nga e kaluara menaxhimit të kufirit. Ne poashtu kemi edhe obligime të përbashkëta në procein e integrimeve evropiane ku çështja e menaxhimit e integruar të kufirit është një qështje që trajtohet me politika të veçanta nga BE."

Më lehtë nuk kalojnë as banorët e brezit kufitar me Serbinë. „Tash me 1912 janë vu kufijtë në tokën time. Unë në Bellush jam le. Aty është toka jonë, prej babe, babgjyshi e katragjyshi. As s´na ka kallxu kush që është ra kufiri me poshtë. E tash po thonë 500 metra asht shty kufiri në territorin e Kosovës, " - thotë Idriz Dema, nga Pollata e Podujevës, tre anëtarë të familjes së të cilit jo fort larg u arrestuan nga policia kufitare e Serbisë.

Ndërkohë që, shqetësime të tilla vijnë edhe nga banorët e Rugovës lidhur me bjeshkët përgjatë brezit kufitar me Malin e Zi. „Dihet ku o kone kufiri...O konë n´Qafë të Cakorrit, janë Moknat, është Hajla. E kufiri ash thy shumë thellë. E s´asht të tyre, dihet! Na tokën tonë kurrkujt nuk mundem me ia lanë!"-thotë Dervish Nikci, 70 vjeç nga Shkreli i Madh i Rugovës.

Nga ana tjetër në Kullë, në pikës kufitare Kosovë - Mal i Zi, u vu ditë më parë pesë kilometra brenda territorit të Kosovës tabela me mbishkrimin "Mirëseerdhët në Malin e Zi". „Atje ka qenë vendosur nga KFOR-i një tabelë por ajo është zëvendësuar nga autoritetet e Malit të Zi. Vënia e tabelave nuk nënkupton përcaktimin e vijës fizike të kufirit dhe kjo duhet të jetë e qartë. Vija e kufirit është e përcaktuar. Shqetësimet që shpeshherë dalin nga veprime të pakujdesshme edhe nga vendet fqinje, nuk determinojnë lëvizje të kufirit dhe kjo nuk mund të bëhet tek ashtu…"-mendon ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti.

E në ka tkurrje të kufijve të Kosovës në emër të zonave administrative, ministri Pajaziti, përgjigjet: „Jo, jo nuk kemi! Unë nuk shoh asnjë problem në këtë drejtim. Kosova i ka kufijtë e vet, të njohur ndërkombëtarisht. Pazare me kufijtë nuk bëhen dhe kjo nuk duhet të komentohet ashtu. E nëse ka ndonjë paqartësi, ne do të vendosim grupe punuese me të gjitha vendet fqinje sikur e bëmë me Maqedoninë, për ta bërë vijëzimin fizik të kufirit. Dhe, për këtë nuk duhet të ketë asnjë shqetësim".

Banorët e 21 fshatrave të brezit kufitar me Malin e Zi, protestuan të hënën (19.10.2009) në Pejë, me kërkesën që të definohet sa më shpejt çështja e kufirit Kosovë-Mal i Zi, që asnjë milimetër tokë e Kosovës të mos kalojë nën administrim të Malit të Zi si dhe të hiqet tabela e këtij shteti brënda kufirit të Kosovës, përderisa të mos lidhet marrëveshje ndërshtetërore për vijën kufitare Kosovë - Mal i Zi.

Autor : Ajete Beqiraj

Redaktoi : Aida Cama