1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbahet Festivali i Fëmijëve ”Përrallat e Vëllezërve Grim”

30 Shtator 2009

Në kuadër të Javëve Gjermane në Kosovë, organizuar nga Ambasada Gjermane të martën në qendër të Prishtinës është mbajtur Festivali i Fëmijëve ”Përrallat e Vëllezërve Grim”

https://p.dw.com/p/Jur1
Sheshi 'Nëna Terezë' në Prishtinë, 29 shtator 2009
Sheshi 'Nëna Terezë' në Prishtinë, 29 shtator 2009Fotografi: Beqiraj

Sheshi “Nëna Tereze” në qendër të Prishtinës, rrethuar me lokalet e stërmbushura, edhe në këtë ditë shtatori plot diell rrahet pandalur nga kalimtarët, të cilët kohë pas kohe ndalojnë në tezgat përanash ku shiten gjëra të ndryshme. Një melodi intepretuar nga një grup muzikantësh në rrugë, sa vjen e i afrohet një hapësire të veshur me petkun festiv që vlon nga zëra të gëzueshëm fëmijësh, ku secili në formën e vet janë bërë pjesë e festivalit „Përrallat e Vëllezërve Grim“. Veshur në bluza të bardha, një grup prej tyre fryejnë balona, disa shpërndajnë broshura e ca të tjerë ngjyrosin fytyrat e fëmijëve që kanë ardhur të përcjellin këtë festival fëmijësh në rrugë.

“A dëshironi të ngjyrosni fytyrën? Në çfarë ngjyre?”- pyet fëmijët e vegjël që kalojnë këndejpari, Lyra 13-të vjeçare, nga Sektori i Ngjyrsojes me ngjyra karnevali.

“Ngjyrë portokalli. Dua të bëhem si princeshë…”- përgjigjet Vesa trevjeçare, e cila me të plotësuar ëndrrën fëmijërore, mbushet shend e verë. Ndërsa, Lyra Qela, anëtare e Klubit të Ambasadorëve të Rinj- ambasadore e re e Gjermanisë, shpreh admirimin për një organizim të tillë.

“Më vjen shumë mirë që është organizuar edhe në Kosovë, sepse fëmijët e Kosovës e duan shumë Gjermaninë dhe një organizim i tillë është i mirëseardhur”- thotë Lyra.

Logoja e Javëve Gjermane në Kosovë / 23.09 - 17.10.2009
Logoja e Javëve Gjermane në Kosovë / 23.09 - 17.10.2009

Dita me diell si në verë, bën që edhe kalimtarë të rëndomte të gjenden në këtë festë krejt rastësisht.

“Me t´thanë të drejtën qëllova rastësisht. Ndërsa, vajza u gëzua e u habit. Mori edhe balona. Se për fëmijët këtu ka pak më rrallë aktivitete. Por, gjermanët kanë bërë gjithmonë gjëra të bukura për Kosovën dhe kjo është më e pakta nga ajo që kanë dhënë për ne“- thotë Ajla Vuqiterna, e cila ka dalë të shetis me të motrën dhe vajzën e saj te vogël.

Në këtë festë për fëmijë në qendër të kryeqytetit të Kosovës, organizuar nga Ambasada Gjermane, për femijët kemi sjellur edhe ushqime të gatuara në stilin gjerman- thotë Burim Mustafa, menagjer i Fabrikës ushqimore „Super Mix“, nga Prizreni- sponzor gjeneral i këtij festivali.

“Produktet tona dallojnë nga mënyra e përgatitjes. Jemi e vetmja fabrikë e tillë në Kosovë e cila ka sjell këtu pervojën gjermane, se pronarët kanë jetuar dhe punuar në Gjermani. Kështu që ndërkohë jemi furnizues të KFOR-it gjerman dhe disa kontigjenteve të tjera. Por, qëllimi ynë është shtrirja në tregun e Kosovës“.

Dhe, stacione të ndryshme me lojëra gjermane për fëmijë të përcjellura me shpërblime si dhe sjellja në skenën e hapur e përrallave gjermane, është një përpjekje e sinqertë për të sjellur gëzim tek fëmijët e Kosovës- thote Kristof Deisenberger, zëdhënës për politikë dhe kulturë në Ambasadën Gjermane:

Në mes Christoph Deisenberger nga ambasada gjermane
Në mes Christoph Deisenberger nga ambasada gjermaneFotografi: Beqiraj

“Ne dëshirojmë që me anë të lojërave, përrallave gjermane dhe pjesëve teatrale, në një mënyrë lozonjare dhe artistike të sjellim tek fëmijët kosovarë pak nga kultura gjermane. Dhe, një organizim të tillë për fëmijë, Ambasada Gjermane në Kosovë e bën për herë të parë, sepse fëmijët gjithandej në botë janë të njëjtë dhe gëzohen njësoj. Dhe, më sa po vërej, fëmijet e Kosovës janë tejet të kënaqur, sepse kanë ardhur me prindërit, kanë marrë pjesë në lojëra, janë shpërblyer me çmime dhe e gjithë kjo i ka argëtuar shumë”.

Përralla „Kësulkuqja“ u bart në skenën e hapur nga Teatri për Fëmijë, Kukulla dhe të Rinj “Dodona”, i cili ka dhënë kontributin e tij në kuadër të Javëve Gjermane. Dhe, „Dodona“ për miqtë e Kosovës është e gatshme përherë- thotë Roza Berisha, aktore e këtij teatri.

“Ky është bashkëpunimi i parë me „Javet Gjermane“. Por, unë do të dëshiroja që të jemi pjesë e çdo aktiviteti të organizuar, qoftë nga Ambasada Gjermane qoftë nga ambasadat e tjera që veprojnë në Kosovë”.

Festivali i Fëmijeve “Përrallat e Vëllezërve Grim” u mbajt në kuadër të Javëve Gjermane, organizuar nga Ambasada Gjermane në bashkëpunim me partnerë të shumtë nga Gjermania dhe Kosova, me ç´rast prej 23 shtatorit deri me 17 tetor publikut të gjërë po i prezantohen rryma të ndryshme të kulturës gjermane.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Esat Ahmeti