1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Problemet e mëdha të kosovarëve me Kartonin e Gjelbërt

5 Shtator 2009

Prej vitit 2003 automjetet me targa të huaja detyrohen që në kufirin e Kosovës të paguajnë një polisë sigurimi. Pagesa e polisës kufitare është e detyrueshme, thonë autoritetet e Kosovës.

https://p.dw.com/p/JSiP
Kontrollet në kufirin me SerbinëFotografi: DW

" Po duhet me paguajt - pasi që po duhet. Ne vijmë dy-tre javë që të çmallemi pak në shtëpi me familjet tona."
" Kjo nuk është mirë aspak. Kartoni ynë i gjelbër nuk vlen dhe nuk e di përse është kështu. 50 euro më duhet të paguajë vetëm pse shkoj tani deri në Pejë dhe kthehem pas dy-tre orësh. Kjo mendoj se nuk është korrekte."
"Ne që punojmë jashtë kjo na duket si plaçkitje."
"Krejt shtetet në Evropë e pranojnë sigurimin e Zvicrrës vetëm Kosova jo. Sikur të kishte qenë një pagesë minimale humanitare kishim me dhanë me siguri por kjo është e tepërt."
"Ndoshta ma mirë kishte me qenë që Kosova të ketë atë marrëveshjen sikur shtetet e tjera, po përderisa nuk e ka këtë marrëveshjen ‘jeshil' në krejt Evropën atëherë duhet të kemi një sigurim. Por nuk e besoj që kjo është e drejtë".
"Për mua është krejt normale, nuk ka problem, nuk më pengon. Duhet të paguajmë. Po paguajmë çdokund pse mos të paguajmë edhe në Kosovë?"
Bashkëbiseduesi ynë i fundit në pikëkalimin kufitar‚ Kullë ‘ me Malin e Zi është i vetmi për të cilin polisa e detyruar kufitare e sigurimit nuk përbën problem. Nga viti 2003 të gjitha automjetet me targa të huaja janë të detyruara që në kufirin e Kosovës të paguajnë polisën e sigurimit, më e lira për dy javë qëndrimi kushton 50 euro.

Pagesa e polisës është e detyrueshme

Kosovo Land und Leute Grenze Podugevo
Kufiri në PodujevëFotografi: Nikos Pilos

Sipas Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, pagesa e polisës kufitare është e detyrueshme, në bazë të një marrëveshjeje mes kompanive të sigurimeve. Ismet Jashanica është drejtor i Sigurimeve të Detyruara në këtë shoqatë.
"Të gjitha kompanitë të cilat janë në Kosovë kanë formuar bordin dhe në kuadër të tij shitet edhe polisa kufitare. Fatkeqësisht Kosova nuk është anëtare e Byrosë së Kartonit të Gjelbër dhe derisa nuk na pranojnë të gjitha automjetet me regjistrime të huaja duhet të pajisen me polisë sigurimi në kufi", pohon ai.
Jashanica thekson se nuk ka munguar angazhimi që Kosova të bëhet anëtare e Byrosë së Kartonit të Gjelbër, por deri tani pa sukses.
"Kemi aplikuar që të pranohemi në Byronë nacionale të Kartonit të Gjelbër dhe normal se duhet të plotësohen disa standarde që edhe ne të jemi të barabartë me të gjitha shtetet tjera. Një prej standardeve është të jesh shtet dhe të pranohesh edhe në Kombet e Bashkuara - ky është një prej standardeve që ende nuk e kemi plotësuar. Pastaj duhet të kemi ligjin e sigurimeve, deri tani është punuar me rregullore, ligji është në përfundim e sipër dhe besoj që shumë shpejt Kuvendi do ta miratoj ligjin si dhe duhet të sigurohen mjetet për pranim që janë rreth 5 milionë euro”, thekson Jashanica.

Dhe përderisa standardi i parë, ai i pranimit në OKB nuk është vetëm në duart e kosovarëve dhe duhet të plotësohet në Nju Jork, dy standardet e tjera duhet të përmbushen në Prishtinë.

Heshtja dhe miratimi i Brukselit...

Die Grünen im Europaparlament: Europäisches Parlament in Brüssel
Parlamenti EvropianFotografi: DW

Alain Pire nga Byroja e Kartonit të Gjelbër në Bruksel i përgjegjutnegativisht propozimit që të flas në mikrofonin e Dë-së për këtë çështje. Por shpjegon se „fatekqësisht aktualisht nuk ka tjetër alternativë për ata që udhëtojnë për në Kosovë“. Sipas tij „ fakti që Kosova nuk është ende anëtare e Kombeve të Bashkuara është një çështje shumë e ndieshme politike dhe sekretariati i Këshillit të Kartonit të Gjelbër që është një trup teknik nuk është i lejuar që të jap intervista për probleme të këtij lloji“.

Prej mjeteve të grumbulluara nga polisat e detyruara 23 përqind shkojnë në Buxhetin e Kosovës ndërkohë që me një pjesë të mjeteve mbulohen shpenzimet e Fondit të Garancionit gjegjësisht edhe të atyre automjeteve të cilat hyjnë në Kosovë me targa të Serbisë dhe Malit të Zi. Kjo për faktin se të vetmet që nuk paguajnë sigurim kufitar që nga viti '99, janë automjetet me targa të Serbisë dhe të Malit të Zi. Madje, në Kosovë ende qarkullojnë automjetet me targa të vjetra të Kosovës. Ky, sipas Jashanicës, është vendim politik dhe po e dëmton rëndë Fondin e Garancive.
"Është më tepër një marrëveshje politike që automjetet e Serbisë dhe Mali të Zi nuk paguajnë në Kosovë, por shpresoj që edhe kjo do të përfundojë për shkak se me ligj çdo automjet me targa të huaja duhet të pajiset me polisë", thekson ai.

Opozita kosovare kërkon heqjen e polisës

Për një marrëveshje të ngjashme politike mes qeverisë së Kosovës dhe diasporës kosovare angazhohet Ibrahim Makolli, kryetar i grupimit parlamentar të Aleancës Kosova e Re në Parlamentin e Kosovës dhe aktivist shumëvjeçar për të drejtat e njeriut.

"Ne disa herë e kemi vënë në pah këtë çështje dhe kemi kërkuar nga qeveria e Republikës së Kosovës që të heq tashmë këtë gjobë, sepse nuk mund t'i thuhet ndryshe përveçse gjobë. E kam parasysh që me këtë po rëndohet buxheti i bashkatdhetarëve tanë dhe sigurimet e tilla së paku për këtë element nuk do të duhej të figuronin. Edhe sot e kësaj dite diaspora është një prej kontribuesve më të mëdhenj të buxhetit të Kosovës. Këtë duhet ta kemi parasysh: po mos të ishte kjo diasporë atëherë unë nuk e di se çfarë do të ishte gjendja materiale në Kosovë”, shpjegon Makolli.
Polisa e detyruar kufitare vlerësohet si e padrejtë edhe nga Selatin Kaqaniku kryetar i Organizatës për mbrojtjen e konsumatorit.

"Ne e kemi evidentuar këtë shqetësim të bashkatdhetarëve tanë, jemi duke e përcjellur por për shkak të kapaciteteve të limituara nuk kemi mundësi që këtë çështje ta trajtojmë më afër. Megjithatë ne e dijmë se problemi ekziston dhe bashkandiejmë me problemin që e kanë ata dhe mendojmë se kjo që bëhet ndaj tyre me rastin e hyrjen në shtetin amë është e padrejtë", pohon Kaqaniku.

Andaj deputeti Ibrahim Makolli në vend të polisave të sigurimit kërkon nga qeveria e Kosovës lehtësime për qytetarët kosovarë që jetojnë jashtë vendit.
"Madje mendoj se qeveria e Kosovës do të duhej të krijojë lehtësime jo vetëm për ardhjen e mërgimtarëve në Kosovë, por edhe gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë dhe jo të veprojë kësisoj që të dënojë mërgimtarët edhe njëherë që me rastin e hyrjes në kufi të paguajnë polisa të sigurimit të cilat janë absolutisht të panevojshme", thotë Makolli.

Njohje e polisave mes Maqedonisë dhe Kosovës...

Aktualisht polisa e sigurimit është e panevojshme vetëm për automjetet me targa të dy vendeve fqinje me Kosovën. Drejtori i Sigurimeve të Detyruara Ismet Jashanica sqaron: "Fatmirësisht kemi arritur marrëveshje mirëkuptimi me dy shtete, Shqipërinë dhe Maqedoninë ku polisat e sigurimit njihen anasjelltas."
Shqipëria dhe Maqedonia njëjtë si Gjermania janë anëtare të OKB-së. Ata poashtu janë anëtare të Byrosë së Kartonit të Gjelbër. Dhe kjo byro me seli në Bruksel nuk i ka penguar ato që të nënshkruajnë memorandume bashkëpunimi me palën kosovare në këtë fushë.

... do të ishte mirë të nënshkruhet edhe me Gjermaninë

ADAC Logo

Një marrëveshje e tillë do të ishte ideale që të nënshkruhej edhe me palën gjermane. Por deri tani për këtë siç duket ka munguar interesimi dhe vullneti nga të dyja palët. Christian Lübke është zyrtar për media në Shoqatën e Përgjithshme të Ekonomisë Gjermane të Sigurimeve me seli në Berlin.

„Nga këndvështrimi i ekonomisë gjermane të sigurimeve aktualisht nuk ka nevojë që të ndërmirren veprime për zgjerimin e kufijve të sistemit të Kartonit të Gjelbër përmes një marrëveshje bilaterale me Kosovën. Në rastin konkret ky vendim me siguri që ka disfavore për shkak se automjetet me targa të Gjermanisë duhet të lidhin të ashtuquajturin sigurim kufitar kur futen në Kosovë. Mendoj që sapo Kombet e Bashkuara të pranojnë Kosovën si shtet sovran, Kosova mund të pranohet në bashkësinë e 45 shteteve të Kartonit të Gjelbër“, shpjegon Lübke.

Megjithatë të vështirë nuk e kanë vetëm ata që me targa të huaja duan të futen në Kosovë. Kjo gjendje është barrë shtesë edhe për vet kosovarët. Ata që shkojnë jashtë vendit me targa KS duhet të paguajnë sigurime shumë të larta. Interesehomi në Klubin e Përgjithshëm Automobilistik Gjerman - ADAC ku mësojmë se sigurimi minimal për 29 ditë për një veturë me targa të Kosovës kushton 105 euro. Sigurimi i makinës në Mal të Zi për 15 ditë qëndrimi kushton 15 euro, ndërsa për tre ditë qëndrimi në Serbi apo Bosnje-Hercegovinë duhet të paguhen 50 euro. Shtetasit e Kosovës me këtë rast duhet të heqin target e automjeteve të tyre dhe të marrin ato me shenjën ‚P‘ pasi që Serbia nuk i pranon targat e Kosovës. Prandaj sipas Ismet Jashanicsë nga Shoqata e Sigurimeve të Kosovës: “Më shumë mund të themi se jemi ne si popull i diskrimunuar që nuk na lejohet me targa të Kosovës të shetisim Evropën dhe të jemi të lirë por njëherit edhe bashkatdhetarët tanë që vijnë në Kosovë duhet të pajisen me këtë polisë të sigurimit pasi që polisat e tyre nuk i mbulojnë rreziqet e mundshme në Kosovë."

Autor: Esat Ahmeti

Redaktoi: Bahri Cani