1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

301208 Reporter ohne Grenzen

Bernd Gräßler31 Dhjetor 2008

60 gazetarë humbën jetën vitin e kaluar gjatë ushtrimit të detyrës, 670 u arrestuan. Ky është bilanci i organizatës "Reporterë pa Kufij". Shifrat janë më të ulta se një vit më parë, por nuk ka përmirësim të përgjithshëm.

https://p.dw.com/p/GPlB
Një gazetar japonez i qëlluar për vdekje gjatë një proteste në Burman, Rangun në vitin 2007Fotografi: AP/Democratic Voice of Burma

Iraku mbetet vendi më i rrezikshëm për gazetarët. Gjatë vitit që po lëmë pas atje humbën jetën gjatë punës 15 përfaqësues të medias, bëri të ditur të martën (30.12.) në Berlin organizata "Reporterë pa Kufij". Me rrezik të lartë është edhe raportimi në Pakistan, Filipine dhe Meksikë. Me shqetësim shihet tani edhe situata në Rripin e Gazës, thotë Elke Shefter (Elke Schäfter), drejtuese e seksionit gjerman të organizatës: "Situata për gazetarët në Rripin e Gazës është shumë e tensionuar. Ne e dimë se në Rripin e Gazës ka disa korrespondentë perëndimorë. Ata shfrytëzuan momentin kur ushtria izraelite hapi për kohë të shkurtër portat. Aktualisht asnjë përfaqësues mediesh nuk mund të futet atje. Ne e dimë se disa gazetarë janë plagosur lehtë. Një kanal radiojeje është bombarduar së fundi, njëlloj si në Liban. Ky ishte për shkas për t'iu drejtuar ministrit izraelit të mbrojtjes dhe për të kritikuar masa të tilla. Kjo është ajo që dimë për situatën atje në këto momente."

Logo Reporter Ohne Grenzen französisch
Logo e organizatës

Shtetet me numrin më të madh të gazetarëve të burgosur

Gjithsej "Reporterë pa Kufij" ka rregjistruar gjatë vitit 2008 të paktën 60 gazetarë që kanë humbur jetën për shkak të detyrës, ose gjatë ushtrimit të saj. Më shumë se 670 gazetarë të tjerë janë arrestuar. Shifrat janë më të ulëta se vitin e kaluar, por situata nuk është përmirësuar, mendon Elke Shefter: "Ka më pak arrestime, ka më pak censurë, sa i takon rasteve të dokumentuara. Por kushtet e punës nuk janë përmirësuar për gazetarët. Le të marrin si shembull Somalinë. Gjatë vitit të kaluar Somalia ishte vendi i dytë më i rrezikshëm me një numër të lartë gazetarësh të vrarë. Këtë vit vetëm dy gazetarë kanë humbur jetën atje. Në Somali asgjë nuk është përmirësuar, shumë agjenci lajmesh janë mbyllur, shumë gazetarë largohen nga vendi. Këtë e vërejmë jo vetëm atje por edhe në shumë vende të tjera, si në Irak. Ky është për ne edhe një nga shkaqet për rënien e numrit të gazetarëve të vrarë dhe të arrestuar."

Në të gjithë botën Kina dhe Kuba shënojnë numrin më të madh të gazetarëve të burgosur: 30 janë në Kinë dhe 23 në Kubë. Shtimi i represionit vihet re edhe në mediet elektronike si blogger apo të tjerë. Në fillim të vitit 2008 në Kinë për herë të parë u vra një burrë i cili angazhohej në internet si "gazetar civil". Policë nga njësitë komunale e rrahën për vdekje sipërmarrësin Vi Venhua ndërkohë që ai po filmonte një përleshje të policë me demonstrues, thuhet në raportin e Reporterë pa Kufi j.

Gjendja e gazetarëve në demokracitë perëndimore

Megjithëse situata e gazetarëve në demokracitë perëndimore nuk mund të krahasohet me rastet e sipërpërmendura, drejtuesja e seksionit gjerman të Reporterë pa Kufinj kritikon edhe kufizimet e lirisë së shtypit në Gjermani nga ligji për luftën kundër terrorit i cili u ashpërsua së fundi: "Edhe në Gjermani shpesh gazetarët kanë kontribuar në zbulimin e abuzimeve dhe situatave korruptive, për të cilat më pas ka marrë masa prokuroria. E gjitha kjo është në rrezik nëse nuk do të vlejë më e drejta për mbrojtjen e informantëve dhe ruajtjes së sekretit për burimet."

Kontrollet e policisë në redaksi, shtëpi dhe banesa të reporterëve në shumë vende janë në rend të ditës. Këtu bën pjesë edhe Franca, njofton organizata "Reporterë pa Kufij" me seli në Paris.