1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Goditjet ushtarake nuk janë zgjidhje

EA31 Dhjetor 2008

Shtypi gjerman i së mërkurës mbi sulmet ushtarake në Rripin e Gazës dhe takimin e ministrave të jashtëm të BE-së.

https://p.dw.com/p/GPkL

Gazeta "Stuttgarter Zeitung" e drejton vëmendjen tek nevoja për zgjidhjen diplomatike të konfliktit në Lindjen e Afërme:

"Edhe sikur Izraeli të hynte me 100.000 ushtarë në Rripin e Gazës nuk do të arrihej t'i jepej fund goditjes me raketa. Prandaj Avi Primor, ish-ambasadori izraelit në Gjermani, thotë me të drejtë se goditjet ushtarake nuk janë zgjidhje. Ato mund t'i shërbejnë vetëmbrojtjes, por nuk e zëvendësojnë peshimin e zgjidhjes politike. Kërkimi i zgjidhjes diplomatike bëhet edhe më jetik pikërisht ngaqë Hamasi synon asgjësimin e Izraelit. Aq pak sa ç'mund ta fitojnë SHBA luftën kundër terrorit, aq pak mund të mbështetet Izraeli me kalimin e kohës vetëm tek fuqia e vet ushtarake; sepse arabët në Izrael dhe palestinezët sa vijnë e shtohen."

Për të njëjtën temë në gazetën "Frankfurter Allgemeine" lexojmë :"(...) Ministrat e jashtëm të BE-së u takuan të martën në një mbledhje të jashtëzakonshme, por shumë pjesëmarrësve u punonte mendja për të tjera gjëra; disa ministra as që e morën mundimin të udhëtonin në Paris. Dhe shtetet arabe bëjnë atë që bëjnë gjithmonë në situata të tilla: Ato dënojnë nga jashtë veprimet e Izraelit dhe grinden me njëri-tjetrin. (...) Palët në konflikt do të vendosin vetë nëse, kur dhe kundrejt çfarë çmimi duan armëpushim. Siç e ka shkruar Amos Ozi, Izraeli duhet të mendohet me çdo kusht mirë nëse do vërtet të hyjë në Rripin e Gazës. Mund të bëhej një katastrofë. Në fund të vitit dhe në fund të një presidence amerikane në Lindjen e Afërme nuk ka arsye për optimizëm. Përsëri."