1. Përmbajtja
  2. Navigimi
  3. Përmbajtje të tjera
  4. Metanavigimi
  5. Kërkoni
  6. Zgjidhni mes 30 gjuhëve


 

Ekonomia | 24.11.2008

Go South East – Forumi ekonomik i Vjenës

 

Javën e kaluar në Vjenë u mbajt takimi i pestë i Forumit të Vjenës nën moton "Go South East – Drejt Jugperëndimit". Temat qëndrore ishin financimi i investimeve, politikat e energjisë, transporti dhe telekomunikacioni.

 

Forumi i Vjenës ka si synim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve nga Adriatiku e deri në Detin e Zi. Konferencat kryesore të Forumit të Vjenës mbahen një herë në vit në Vjenë në muajin nëntor. Sesioni i tij pestë u mbajt në datat 10 dhe 11 nëntor dhe ndër pjesëmarrësit ishin përfaqësues të lartë të institucioneve ndërkombëtare, të qeverive të BE-së dhe vendeve të rajonit si dhe përfaqësues të lartë të kompanive lider. Temat qëndrore ishin financimi i investimeve, politikat energjitike të së ardhmes, përmirësimi i rrugëve të transportit dhe telekomunikacionit.

Konferenca në sfondin e krizës financiare

Kriza financiare ndërkombëtare e cila tashmë po ndihet edhe në ekonominë reale ishte e pranishme në diskutimet e pjesëmarrsve në takimet plenare dhe ato në tryezat e rrumbullakëta. Dr. Elena Kirtscheva, sekretare e përgjithshme e Forumit të Vjenës shpjegon: "Të gjitha temat gjatë ditës së parë dhe të dytë të punimeve të konferencës në një mënyrë ose tjetrën u trajtuan në sfondin e krizës financiare. Kjo vlen jo vetëm për investimet apo mbështetjen nga BE-ja dhe institucionet ndërkombëtare financiare. Edhe politika e energjisë apo telekomunikacioni janë të lidhura ngushtë me të. Pas diskutimeve intensive gjatë dy ditëve të punimeve të konferencës arritëm në përfundimin: vendet evropiano-lindore janë në gjendje ta administrojnë mirë krizën. Për këtë është e nevojshme që qeveritë e këtyre vendeve sa më shpejt të marrin masat e duhura dhe të miratojnë paketa financiare të ngjashme me ato në vendet perëndimore."

Paketa financiare të ngjashme me vendet perëndimore

Në shumë prej vendeve të Evropës Juglindore vala e madhe e privatizimeve ka përfunduar por falë normave të rritjes ekonomike që janë më të larta se mesatarja perëndimore ato vazhdojnë të mbeten tërheqëse për investimet direkte. Në kuadër të krizës që ka goditur fort vendet e industrializuara egziston megjithatë rreziku që këto investime të ndërpriten. Dr. Elena Kirtscheva shprehet me optimizëm se investimet në Evropën Juglindore do të vazhdojnë. "Në konferencat e Forumit Ekonomik të Vjenës synimi kryesor është realizimi i kontakteve direkte mes investuesve dhe përfaqësuesve të vendeve të Lindjes. Edhe në këtë sesion ne theksuam rëndësinë e vazhdimit të investimeve në Evropën Juglindore megjithë parashikimet jo pozitive për ekonominë botërore. Përfundimi ynë ishte se kush punon për rindërtimin e besimit në një kohë krize besimi, ai do të jetë në fund fitimtar."

Investimet në Evropën Juglindore të rëndësishme

Dr.Kirtscheva thekson edhe një efekt pozitiv për vendet e lindjes nga kriza financiare në vendet perëndimore . Fjala është për rikthimin në vendet e origjinës të shumë specialistëve nga Lindja të cilët kishin emigruar në vendet perëndimore. "Një efekt pozitiv shoqërues i krizës është ai në tregun e punës. Në Bullgari shumë specialistë që nuk i kanë më të sigurta vendet e punës në perëndim kthehen në atdhe. Fjala është për profesionistë shumë të kualifikuar që kontribuojnë kështu në ekonomitë e vendeve të tyre."

Perspektiva evropiane dhe objektivi i anëtarësimit në BE mbetet forca kryesore nxitëse e zhvillimit politike dhe ekonomik në Evropën Juglindore, u theksua në konferencë.

Që prej themelimit pesë vjet më parë Forumi Ekonomik i Vjenës është zhvilluar në një platformë të dobishme për takime, shkëmbime mendimesh dhe përvojash dhe mbështetje të projekteve në rajonin e Evropës Juglindore si pjesë e një Evrope të bashkuar.

Megjithëse se ritmet e zhvillimit në vendet e ish bllokut komunist janë të ndryshme, ekonomia është gjithnjë një hap përpara politikës dhe këtë e tregoi dhe interesi i madh për sesionin e pestë të Forumit të Vjenës. Më shumë se 500 pjesëmarrës nga rreth 37 vende u përshëndetën nga Presidenti i Forumit Dr. Erhard Busek dhe nga sekretarja e përgjithshme e Forumit, Dr. Elena Kirtscheva.

 

Eliana Xhani

 

Feedback »Dërgoni »Printoni »

Kryesore të tjera

 
Artikel bookmarken