1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Unë tregoj Shqipërinë lakuriqe

Aida Cama8 Shtator 2007

Ornela Vorpsi ndodhet në Berlin ku është duke prezantuar në Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë romanin e saj "Përjetësia e shqiptarëve". Në Shqipëri romani është pritur me ndjenja të përziera.

https://p.dw.com/p/Bdtc
Ornela VorpsiFotografi: DW / Yann Aperry

Deutsche Welle: Ornela Vorpsi, ju ndodheni prej disa kohësh në Berlin dhe aktualisht romani juaj është duke u prezantuar në Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë.

Ornela Vorpsi: Po, më kanë ftuar që të prezantoj librin dhe jam shumë e kënaqur.

Deutsche Welle: Shumë media këtu kanë shkruar për librin tuaj dhe disa prej tyre e prezantojnë romanin si një lloj larje hesapesh me Shqipërinë komuniste.

Ornela Vorpsi: Për mua ky komenti i larjeve të hesapeve është i gabuar. Nuk kanë ditur ta shohin librin realisht sepse në procesin krijues, jo vetëm në letërsi por edhe në fusha të tjera ku punoj, në fotografi dhe pikturë, unë nuk e kam vendosur veten asnjëherë në ndonjë rol, sipas të cilit kam hesape për të larë me diçka. Unë kam mendim shumë më të lartë mbi procesin krijues, që është një terren, një tokë ku unë kam dëshirë të këmbehem me lexuesin dhe spektatorin dhe nuk e shoh si një larje hesapesh. Kjo "larje hesapesh" për mua është diçka shumë e vogël dhe jo e bukur. Qëndrimi im nuk është aty. Nëse një gazetar nuk di ta shohë këtë, ky është një problem tjetër.

Deutsche Welle: Ju e keni shkruar librin në gjuhën italiane?

Ornela Vorpsi: Unë që kur kam filluar të shkruaj, shkruaj italisht. Nuk ishte ndonjë zgjidhje politike, për të tradhëtuar Shqipërinë siç më kanë akuzuar disa herë shqiptarët. Absolutisht. Nuk ishte zgjidhje shumë e reflektuar mendimi, ishte një zgjidhje shumë organike. Duke menduar pse kisha nevojë të shkruaja italisht, pse brendësia ime kishte nevojë të shkruaja italisht, pashë se në mënyrë organike kisha nevojë për distancë nga ajo çka tregoja. Besoj se po të shkruaja ato që kam shkruar në gjuhën shqipe, e gjitha do më ishte shumë më e dhimbshme dhe thuajse e pamundur. Sepse gjuha shqipe për mua është gjuha që mbart fëmijërinë. Unë u rrita në atë vend dhe në njëfarë mënyre jam e konstruktuar në atë vend, jam thellësisht e tërësisht shqiptare. Gjuha italiane ishte si një lloj filtri me të cilin unë kisha mundësinë që t`i largohesha një dhimbje më të fortë. Është një lloj mjeti nuk është as zgjidhje as politike, as sepse më mungon dashuria për vendin.

Deutsche Welle: A mendon se nuk do të ishte keq që libri të botohej edhe në gjuhën shqipe?

Ornela Vorpsi: Unë do kisha shumë dëshirë dhe në fakt nuk është zgjidhja ime që të mos e botoja librin në shqip. Ishte më tepër e prindërve të mi, të cilët i përkasin pak a shumë një brezi që e ka të vështirë të shohë Shqipërinë lakuriq. Ata më janë lutur t`i bëja këtë lloj favori, që të mos e përktheja librin në shqip. Meqenëse unë mbetem shumë e lidhur me familjen, sepse vij nga një atmosferë mesdhetare dhe vij nga Shqipëria, nuk e kam lehtësinë ta hedh familjen tej dhe të vazhdoj rrugën time. Nuk e kam. Jam shumë e limituar dhe i premtova prindërve të mi, dakort, këtë libër nuk e jap në shqip. Domethënë ky është i gjithë misteri pse libri nuk lejohet në shqip. Për prindërit e mi ky libër ishte shumë i dhimbshëm, sepse historia është e vërtetë dhe ata nuk kanë dëshirë që të dëgjojnë për të. Kjo është.

Deutsche Welle: Domethënë ju nuk i keni shpëtuar dot Shqipërisë?

Ornela Vorpsi: Jo nuk kam shpëtuar. Besoj se Shqipërisë unë do t`i shpëtoj vetëm kur të vdes. Sepse duke qenë tërësisht, thëllësisht shqiptare, si mund t`i shpëtoj? As dua që t`i shpëtoj sido që të jetë. 22 vjet që kam jetuar në këtë vend, ky vend më ka bërë. Plazma ime është aty. Që kur kam lënë Shqipërinë ndodhem në një lloj letargjie, në një lloj suspensioni. Jo nuk i kam shpëtuar Shqipërisë dhe vështirë që t`i shpëtoj.

Deutsche Welle: Në fillim të librit ju shkruani se ja kushtoni librin "modestisë", një fjale që nuk ekziston në fjalorin e gjuhës shqipe dhe që i ka dhënë drejtimin zhvillimeve të caktuar të popullit shqiptar. Për çfarë zhvillimesh e keni fjalën?

Ornela Vorpsi: Këto zhvillime kanë të bëjnë me absurditetet e atyre çka jetuam për 50 vjet, që eksperimentuam një parti dhe një ecje në një shoqëri që shkonte kundër njeriut dhe më duket se jam objektive po të them se shqiptarëve u mungon komplet vështrimi kritik dhe objektiv i vetvetes, që vuajnë nga një lloj megallomanie e çuditshme dhe besoj që kjo është melagomania tipike e popujve shumë të vuajtur, që kanë dëshirë që të ekzistojnë fort. Por mua më duket se nuk është mënyra më e mirë për të ekzistuar. Nuk është megalomania ajo që duhet. Hapi i parë është vështrimi objektiv i vetes, i problemeve dhe limiteve. Ky për mua është hapi i parë drejt një rruge rritjeje, drejt një rruge edukimi dhe kulture, për të cilën unë kam shumë dëshirë që Shqipëria ta ketë.

Das ewige Leben der Albaner
Kopertina e librit "Përjetësia e shqiptarëve", Ornela Vorpsi, Shtëpia botuese austriake ZsolnayFotografi: Zsolnay Verlag

Deutsche Welle: Jeta juaj publike e asaj kohe, zysh Dhorka ose personazhe të tjera të asaj natyre kanë qenë figura tipike të shoqërisë shqiptare të viteve tetëdhjetë. Kur lexova librin mua mu kujtua zysha ime e edukatës morale që quhej Vitore, ose më duket se Fitore. A nuk mendoni se fati, ose historia, por unë po e quaj më shumë fati, fati juaj ka qenë i përbashkët me atë të brezit tuaj, në të cilin bëj pjesë dhe unë?

Ornela Vorpsi: I shumë shqiptarëve po. Po ka patur shqiptarë për të cilët Shqipëria ka qenë një lloj parajse, që e kanë jetuar Shqipërinë dhe e kanë zhvatur si kanë dashur. Çuditem, që shumë njerëz që kanë patur shumë nga Shqipëria jetojnë sot jashtë saj dhe duan akoma më tepër prej saj. Ajo që kam dashur të tregoj më këtë libër është e qartë se ekzistonte një klasë, që Shqipëria, politika shqiptare e kishte hedhur dhe flakur, klasa e të dënuarve politikë, që nuk kishin asnjë lloj të drejte, dhe unë kisha shumë dëshirë që zëri i tyre të fliste, sepse në fund të fundit letërsia shqiptare, bëhej deri dje nga njerëz që ishin të mbrojtur nga politika shqiptare. Ky është fakt. Të gjithë shkrimtarët deri dje, ishin shkrimtarë që politika shqiptare i mbrojti, sepse po të kishte qenë ndryshe ata nuk do të kishin mundur të shkruanin asnjë libër. Sepse artistët që nuk kishin ndonjë lidhje të fortë me politikën shqiptare dhe nuk kënduan atë, Shqipëria i kalbi në burgje.

Deutsche Welle: A nuk mendon se mjerimi i asaj periudhe i përfshiu të gjithë?

Ornela Vorpsi: Po, në një farë mënyre po. Sepse po të shohësh ku është vendi sot, sa larg është Shqipëria, ekonomikisht, politikisht, në mënyrë kulturore, ajo është duke bërë sforcime. Po, e qartë që na përfshiu të gjithëve. 50 vjetët që i kaluam të mbyllur, në një izolim total, duke mos patur asnjë lloj dritare për të parë si ecën bota, si ecën arti, si ecën mendimi i njeriut, kjo tokë na përket të gjithëve, këto për mua janë absurditete të cilat bënë që vendi të mbetej i mbyllur si një moçal, që nuk merr erë dhe nuk ajroset. E qartë ishte një tragjedi dhe në një lloj mënyre preku gjithë Shqipërinë, ndaj ndodhemi në këtë gjendje sot.

Deutsche Welle: Në roman ju e bëni zgjidhjen duke ikur nga Shqipëria dhe kështu kanë bërë gjysma e shqiptarëve, kanë ikur nga Shqipëria. "Heroina" juaj, nuk është shumë "heroike" sepse nuk qëndroi në Shqipëri për ta ndërtuar atë. Kemi ne të drejtë nga jashtë që të vemë gishtin në Shqipëri dhe të themi që nuk është në rregull?

Ornela Vorpsi: E qartë që kemi të drejtë, sepse në fund të fundit jemi shqiptarë. Distanca mund të japë një qartësi në të parë, që ndoshta nuk e ke kur je brenda dhe kur je e zhytur në jetën shqiptare. Në distancë dhe duke parë se si ecin popujt e tjerë, mendimi i njerëzve të tjerë në këtë botë, është e qartë që të jep një dimension tjetër më të cilin mund të hedhësh një sy mbi vendin tënd. Pse jo? Besoj që po, që është detyra jonë që t`i tregojmë Shqipërisë dhe shqiptarëve se si të shihen, sepse siç janë parë deri tani nuk i ka sjellë në asnjë pozicion të bukur.

Deutsche Welle: Unë kam disa vite që jetoj këtu dhe herë pas here më janë dashur dhurata jo folkloristike shqiptare, për t`ja dhuruar miqve të mi që janë kurioz për Shqipërinë. Deri tani kam dhuruar libra të Ismail Kadaresë. Tani, do të kem mundësinë që duke dhuruar librin tuaj, të bëj një dhuratë ku të mund të tregoj edhe një pjesë të jetës sime.

Ornela Vorpsi: Të falenderoj. E kuptoj çfarë po thoni, sepse në njëfarë mase unë tregoj Shqipërinë lakuriqe.