1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Situata e rëndë

3 Shkurt 2012

Reshjet e dëborës të rëna gjatë këtyre dy ditëve të fundit, kanë rënduar së tepërmi situatën në të gjitha qarqet veriore të Shqipërisë.

https://p.dw.com/p/13wWm
Bllokohen rrugët
Bllokohen rrugëtFotografi: ISNA

Që nga dita e enjte e në vazhdim ka pasur reshje intesive bore në territorin e qarqeve: Shkodër, Kukës dhe Dibër, duke sjellë edhe bllokimin e disa akseve nacionale, ndërsa akset rrugore rurale në zonat malore janë të bllokuara pjesërisht. Në të gjithë qarkun e Shkodrës janë të bllokuara akset rrugore rurale, duke izoluar zonën e Dukagjinit, komunat Pult, Shalë dhe Shosh.

Në Malësi të Madhe aksi rrugor nacional Shkodër – Koplik, i cili fillimisht ishte i bllokuar, tashmë është zhbllokuar plotësisht. Në qytetin e Koplikut shtresa e dëborës arrin deri në 40 cm ndërsa në zonën e Kelmendit në 70 cm. Ndërkohë në të gjithë territorin e rrethit të Pukës, shtresa e dëborës arrin deri në 40 cm. Akset rrugore Pukë-Fushë Arrës, Pukë-Shkodër, Qafë Mali – Qafë Shllak dhe Qafë Mali-Fierzë, janë të hapura njëkalimshe me zinxhirë.

Bora dhe ngrice kanë bërë t% mbyllen shkollat
Bora dhe ngrice kanë bërë t% mbyllen shkollatFotografi: AP

Ndërpritet procesi mësimor

Ndërkohë që procesi mësimor është ndërprerë në të gjitha shkollat. Sipas prefektes së Qarkut të Shkodrës Voltana Ademi, vazhdojnë të merren masa për stabilizimin e situatës: “Prefektura në bashkëpunim me të gjitha strukturat vendore po punon intensivisht për pastrimin nga dëbora të të gjitha akseve nacionale dhe atyre rurale. Energjija elektrike nuk mungon, shkollat janë të mbyllura për shkak të moslëvizjes së automjeteve dhe shërbimi mjeksor është në gatishmëri të plotë “

Qarku i Kukësit i bllokuar nga dëbora

Edhe në qarkun e Kukësit ka vështirësi për shkak të reshjeve të dëborës, Janë bllokuar komunat Zapod, Shishtavec,Topojan, Ujmisht, Bushtricë, Kalis, Gryk Çajë dhe Arrën. Kurse në Tropojë, komuna Lekbibaj dhe fshatrat e Valbonës të komunës Margegaj. Vetëm autostrada, Rruga e Kombit Morinë - Tuneli Kalimashit është e hapur dhe kalohet normalisht. Në autostradë janë angazhuar të gjitha mjetet borëpastruese të qarkut të Kukësit. Tek tuneli dëbora ka arritur mbi 1 metër dhe vazhdon të bjerë përsëri në të gjithë qarkun me intensitet. Aktualisht nuk ka ndërprerje të ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike. Ndërkohë që drejtuesit e ndërmarrjeve të rrugëve po punojnë sistematikisht për të përmirësuar gjendjen e krijuar.

Autor: Leka Pllani

Redaktoi: Lindita Arapi