1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Trysni ndaj Putinit

4 Shkurt 2012

Megjithë të ftohtin e hidhur dhjetëra mijëra vetë do të protestojnë sërish në Moskë dhe qytete të tjera ruse për zgjedhje të ndershme. Një muaj para zgjedhjeve presidenciale protestat shtojnë trysninë mbi Putinin.

https://p.dw.com/p/13wUt
Protestues kundër Putinit në 4 shkurt 2012
Protestues kundër Putinit në 4 shkurt 2012Fotografi: dapd

Të shtunën (04.02.2012) Moska do të zbardhet. Jo, në kryeqytetin rus nuk pritet dëborë e re. E bardhë është ngjyra e lëvizjes së protestës "Për zgjedhje të lira", e cila ka lindur rreth dy muaj më parë. Pjesëmarrësve të mitingut të planifikuar të mbahet në mesditë iu bë thirrje të sillnin me vete sende të bardha - shirita, shalle apo tullumbace të bardha.

Kjo do të jetë demonstrata e tretë e madhe që prej zgjedhjeve parlamentare në dhjetor, të cilat u errësuan nga akuza masive për manipulime. Në dy aksionet e para në 10 dhe 14 dhjetor, në rrugë dolën dhjetëra mijëra vetë, numri më i madh që prej fillimit të viteve 1990. Edhe këtë herë organizatorët presin deri në 50.000 pjesëmarrës. Kushtet e motit nuk e favorizojnë aspak aktivitetin: në Moskë priten temperatura deri në minus 17 gradë celcius. Por organizatorët e shohin këtë pozitivisht: "Unë jam madje i gëzuar që Moska është përfshirë nga ngrica", i tha Deutsche Welle-s Boris Akunin, shkrimtar dhe bashkëthemelues i OJQ-së "Liga e zgjedhësve". "Tani do të shohim se sa i aftë është të përballojë ngricën vullneti ynë protestues".

"Një revolucion liberal"

Shkrimtari rus Boris Akunin gjatë një proteste në bulevardin "Sakharov", 24.12.2011
Shkrimtari rus Boris Akunin gjatë një proteste në bulevardin "Sakharov", 24.12.2011Fotografi: picture-alliance/dpa

Demonstrata e re duhet të tregojë se shoqëria civile nuk i ka harruar kërkesat e saj të dhjetorit, thuhet në faqen e internetit të organizatorëve. Atëherë demonstruesit bënë thirrje ndër të tjera për zgjedhje të reja dhe kërkuan dorëheqjen e drejtorit të komisionit qendror të zgjedhjeve. Asgjë nga këto nuk ndodhi. Nuk do të ketë përsëritje të zgjedhjeve parlamentare, deklaroi kryeministri rus Vladimir Putin.

Shkrimtari dhe aktivisti Akunin nuk sheh megjithatë arsye për të qenë i zhgënjyer: "Ne kemi pasur disa arritje". Është reformuar dhe lehtësuar rregjistrimi i komplikuar i partive. Së shpejti do të diskutohet  në parlament një ligj për zgjedhje direkte të guvernatorëve. "Vetëm një gjysmë viti më parë kjo do të ishte konsideruar në Rusi një revolucion liberal", thotë Akunin. Por shoqëria civile nuk do të kënaqet me kaq.

Zgjedhjet presidenciale në fokus

Ndërkohë protesta drejtohet gjithnjë e më shumë kundër kryeministrit dhe kandidatit për president, Putin. Koha për demonstrimin e ri nuk u zgjodh rastësisht. Ai zhvillohet pikërisht një muaj para zgjedhjeve presidenciale, të planifikuara për datën 4 mars. Putin konsiderohet kandidati me më shumë shanse në garë. Por zgjedhjet nuk do të jenë të ndershme pasi kundërshtarët e fortë janë nxjerrë jashtë garës paraprakisht, kritikon Akunin. Veç kësaj ka sinjale se edhe këto zgjedhje mund të manipulohen. Pikërisht ky është objektivi i "Ligës së zgjedhësve" dhe demonstratës "Për zgjedhje të ndershme": të tregojnë se shoqëria civile i vëzhgon me vëmendje votimet.

Putin duket se e ndien trysninë nga shoqëria civile. Ai ka njoftuar reforma liberale dhe nuk përjashton të ftojë politikanë të opozitës në qeverinë e tij të ardhshme. Në televizionin rus për herë të parë pas shumë vitesh pati raportime të balancuara mbi opozitën. Edhe policia duket se ka marrë urdhër të mos i shpërndajë protestat. Dy demonstrimet e mëparshme kaluan pa trazira. Policia ruse e cila zakonisht e përdor me dëshirë shkopin e gomës, qendroi mënjanë.

Nën një trysni në rritje - kryeministri dhe kandidati për presidenti Putin
Nën një trysni në rritje - kryeministri dhe kandidati për presidenti PutinFotografi: dapd

Putin kërkon dialogun me shoqërinë civile

Putin i druhet megjithatë ende një kontakti direkt me përfaqësues të shoqërisë civile si Akunin. Putin tha se një takim i tillë është i mundur por duhet menduar për momentin e përshtatshëm. "Mendoj se shumë do të varet nga ajo që do të shohim në Moskë në 4 shkurt", mendon Gerhard Mangott, ekspert për Rusinë në Universitetin e Insbruckut në Austri. "Të dy palët kanë vështirësi të afrohen me njëra-tjetrën".

Nëse demonstrimi i së shtunës do të jetë po aq i madh sa dy të mëparshmit, Putin do të ndryshojë qendrimin e tij dhe do të sinjalizojë të paktën "gatishmëri për bisedime" me shoqërinë civile, beson Mangott. Deri tani Putin ka preferuar të takohet me përkrahësit e tij: tifozë futbolli, të pasionuar pas peshkimit apo minatorë.

Autor: Roman Goncharenko / E. Xhani

Redaktoi: Esat Ahmeri