1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel në Kinë

3 Shkurt 2012

Vizita e kancelares Merkel në Kinë pati në qendër krizën e euros, sigurinë dhe të drejtat e njeriut. Një vizitë rutinë tek një mik jo edhe aq i lehtë.

https://p.dw.com/p/13wJt
Merkel në Guangzhu
Merkel në GuangzhuFotografi: dapd

Bota duhej të mësohej me rritjen ekonomike të Kinës, pasi nuk ka asnjë çështje të bashkësisë ndërkombëtare, ku të mos kërkohet edhe qëndrimi kinez: Qoftë ky ndryshimi i klimës, qofshin protestat e përgjakshme në Siri, apo programet atomike të Koresë së Veriut dhe Iranit. Ndërkohë pesha e thesarit kinez prej 3 bilionë dollarësh ka ndikim edhe tek kuletat europiane.

Përpjekje për të fituar besim

Megjithëse Angela Merkel u përpoq ta mohojë se në Kinë udhëton në rolin e asaj që lutet për krizën e euros, faktikisht kancelarja gjermane u prezantua si menaxhere europiane për investimet. Me durim ajo bëri lobim herë pas here për euron. Me hollësi ajo sqaroi paktin fiskal, vendimi për të cilin u mor pak para vizitës së saj. Por në fund pati vetëm një pohim të turbullt të kryeministrit kinez Ven Jiabao: Po mendojmë se si të gjejmë një rrugë për t'u angazhuar në ombrellën e shpëtimit të euros.

Deutschland Merkel Peking China Wu Bangguo
Merkel në KinëFotografi: REUTERS

Megjithatë kancelarja gjermane mundet të jetë e kënaqur me vizitën e saj. Ajo takoi tre krerët më të lartë të politikës kineze. Kryeministri kinez Jiabao madje bëri edhe një hap të pazakontë, ai shoqëroi Merkelin gjatë udhëtimit të saj në metropolin jugor kinez, Guangzhu. Pas vizitës së pestë të kancelares Merkel në Kinë, ky hap sinjalizon një marrëdhënie të ngushtë mes të dyve dhe me këtë edhe një bazë stabël për marrëdhëniet kinezo-gjermane.

Censurim i programit të vizitës?

Diçka duhet ta ketë shqetësuar kancelaren Merkel - dhe të tjerë që e konsiderojnë të rëndësishme për politikën e jashtme gjermane barazvlefshmërinë në interesa dhe vlera: Mikpritësit kinezë ia dolën që të pengonin një vizitë të kancelares tek grupi mediatik kritik ndaj regjimit, Nanfang në metropolin Guangzhu. Nga ana tjetër u pengua një takim i Merkelit me avokatin për të drejtat e njeriut, Mo Shaoping, i cili ka mbrojtur edhe rastin e nobelistit të Paqes, Liu Xiaobo. Merkel duhet ta ketë kuptuar këtë si një lloj komandimi dhe provokim.

Mes vëzhguesve kinezë qarkullojnë fjalë se vetëm një gjë rritet më shpejt se ekonomia kineze: Vetëbesimi i udhëheqjes kineze. Por ajo që shihet si censurim i programit të vizitës së Merkelit, duket se tregon që ky vetëbesim ndodhet mbi bazament të lëkundshëm. Kina do të kishte dhënë një imazh pozitiv po qe se do ta kishte lejuar kancelaren të vizitonte grupin mediatik të gazetave kritikën Nanfang dhe do të tregonte hapësirat e gazetarisë në Kinë. Këtë shans Kina e humbi. Sa i pasigurtë duket Pekini në shtetin e tij të së drejtës, kur pengon Merkelin të takojë një avokat të njohur të të drejtave të njeriut. Nuk mjaftojnë vetëm arkat plot që Kina të luajë në kategorinë e parë të fuqive botërore. Pekini duhet të tregojë më shumë sovranitet me ata që mendojnë ndryshe.

Autor: Matthias von Hein

Redaktoi: Amarildo Topi