1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Intervistë me Thomas Hammerberg

2 Shkurt 2012

Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Thomas Hammarberg, mandati i të cilit përfundon më 31. Mars mbi çështjen e emrit, regjistrimin e popullsisë dhe gjendjen e mediave në Maqedoni.

https://p.dw.com/p/13vbI
Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës Thomas Hammarberg
Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Thomas HammarbergFotografi: Council of Europe

Komisioneri për të Drejtat e Njeriut, Thomas Hammarberg në raportin e fundit të tij vjetor ka bërë një pasqyrë të disa fushave ku nevojiten të merren masa më energjike në shumë shtete anëtare të Këshillit të Evropës. Këto masa përfshijnë funksionimin e sistemit gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, si edhe rritjen e kredibilitetit dhe pavarësisë së gjyqësorit. Hammarberg, vitin e kaluar nuk e ka vizituar Maqedoninë dhe vendet fqinje, ku ka një pakicë të maqedonasve, për këtë arsye këto segmente nuk janë përfshirë në raportin e tij vjetor. Por në një intervistë për Deutsche Welle-n, Komisioneri për të Drejtat e Njeriut theksoi se është informuar për zhvillimet në Maqedoni si për situatën e mediave atje.

Gjendja e mediave në Maqedoni

"Ne kemi marrë raporte për polarizim të shtuar të mediave në Maqedoni, por kjo nuk është shqetësuese. Është e rëndësishme që të ketë një qëndrim neutral nga qeveria në drejtim të mediave, jo në favor të mediave të caktuara që janë besnikë ndaj qeverisë, ndërsa në të njëjtën kohë të diskriminohen mediat që konsiderohen si opozitë ndaj qeverisë.

Thomas Hammarberg ka ndjekur zhvillimet e mediave në Maqedoni
Thomas Hammarberg ka ndjekur zhvillimet e mediave në MaqedoniFotografi: DW

Përgjegjësi e veçantë e qeverisë është që ta shmangë krijimin e një situate të polarizimit të vetë mediave dhe se duhet të ketë një politikë të qëndrueshme për të gjitha mediat. Kanë dalë disa paralajmërime të përfshira në raportet e OSBE-së dhe Reporterët pa Kufij, të cilat janë dërguar deri tek qeveria dhe pritet që ato të merren në konsideratë. Rekomandimi im për qeverinë është që ajo të bëjë një shqyrtim të pavarur të politikës ndaj medias në Maqedoni në mënyrë që të sigurojë kushte për funksionimin dhe garimin e tyre, por jo në bazë të favorizimit politik apo diskriminimit nga lart."

Hammarberg është i bindur se qeveria mund ta bëjë atë, nëse ka vullnet të mirë politik për ta bërë: "Për shkak se forca e demokracisë varet shumë nga mediat konkurruese dhe mediat duhet të jenë të lira të kritikojnë dhe të dalin me deklarata apo komente që mund të shqetësojnë ose hidhërojnë ata që janë në pushtet. Dhe kjo është demokracia. Pra, na nevojiten media të pavarura dhe kritike në secilën demokraci," thotë ai.

Regjistrimi nuk duhet të politizohet

Sa i përket regjistrimit të popullsisë në Maqedoni, Komisioneri për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës thotë se është në dijeni të problemit dhe kërkon mospolitizimin e tij: "Unë duhet të them se nuk është mirë që puna teknike, si regjistrimi të politizohet. Kjo duhet të shmanget, veçanërisht në një vend siç është Maqedonia, ku ka pakica të mëdha dhe ku ka pasur tensione mes kësaj pakice dhe popullsisë shumicë. Kjo është me të vërtetë një provë e pjekurisë së demokracisë në Maqedoni për kryerjen e regjistrimit pa probleme."



Azilkërkuesit e rremë paraqesin një çështje komplekse

Problemi i azilkërkuesve të rremë dhe masat e ndërmarra nga qeveria maqedonase për të ruajtur regjimin e vizave janë kritikuar nga Hammarberg.
Komisioneri i BE-së vlerëson se kjo është një çështje shumë komplekse dhe serioze. Bashkimi Evropian është përgjegjës për të, thekson Hammarberg. "Por është fakt se ata e donin liberalizimin e vizave dhe njëkohësisht frikësoheshin prej tij. Në një situatë kur ka shumë ksenofobi dhe urrejtje ndaj romëve në vendet e BE-së, ekziston frika se liberalizimi i vizave do të përdoret nga romët për të shkuar në vendet e BE-së. Për këtë po diskutohet. Por parimi ynë është se romët duhet të jenë si gjithë të tjerët. Nuk ka njerëz në kategorinë e dytë."

Keqardhje që nuk ka asnjë zgjidhje për emrin

I pyetur se çfarë mendon ai për çështjen e emrit të Maqedonisë dhe debatet e zhvilluara për këtë, Hammarberg përgjigjet: Kur Maqedonia të bashkohet me BE, gjuha maqedonase do të jetë atje. "Disa herë kam qenë i pyetur për pozicionin tim rreth emrit të vendit. Por unë vendosa që të mos e them publikisht, sepse në thelb ajo është një çështje politike. Unë mendoj se është për të ardhur keq, që ende nuk ka një zgjidhje, por unë dëgjoj se ka përpjekje diplomatike për të zgjidhur atë. Por kjo është jashtë mandatit tim. Kur një ditë Maqedonia të bashkohet me BE-në, gjuha maqedonase do të jetë pikërisht atje ", thotë bindshëm Thomas Hammarberg.

 

Thomas Hammarberg
Thomas HammarbergFotografi: picture-alliance / dpa/dpaweb

Autor: Toni Gllamçevski/Qeriman Bekteshi

Redaktoi: Lindita Arapi