1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel në Kinë

1 Shkurt 2012

Vizitën e parë jashtë vendit kancelarja gjermane e realizon në Kinë. Në rend dite janë bashkëpunimi mes këtyre dy vendeve si dhe kriza e euros. Por në tavolinën e bisedimeve do të ketë edhe tema të tjera.

https://p.dw.com/p/13uQU
Angela Merkel dhe Wen Jiabao
Angela Merkel dhe Wen JiabaonFotografi: picture-alliance/dpa

Viti 2012 është viti jubilar i marrëdhënieve gjermano - kineze. Para 40 vjetësh ato vendosën marrëdhënie diplomatike, ndërsa sot Gjermania dhe Kina kanë marrëdhënie të qëndrueshme politike dhe ekonomike. Gjermania është patneri më i rëndëisishëm ekonomik i Kinës në Europë.

Vitin e kaluar u zhvilluan konsultimet e para qeveritare gjermano-kineze. Takime të tilla me krerë qeverishë dhe disa ministra, Gjermania ka zhvilluar jashtë Europës vetëm me Izraelin dhe Indinë. Ky instrument diplomatik tregon se në çfarë statusi janë marrëdhëniet bilaterale të të dyja vendeve, thotë Eberhard Sanschneider, drejtor i Shoqatës Gjermane për Politikë të Jashtme. ”Ky është një vlerësim i qartë institucional që tregon edhe se kjo marrëdhënie në thelbin politik dhe ekonomik ka fituar rëndësi për të dyja palët", pohon ai.

Merkel takon udhëheqjen shtetërore kineze

Angela Merkel dhe Wen Jiabao
Gjertmania dhe Kina partnerë në shumë fusha.Fotografi: picture-alliance/dpa

Këtë të mërkurë (01.02) Merkel udhëton për në Kinë. Vizita nuk zhvillohet në kuadër të konsultimeve qeveritare gjermano-kineze. Megjithatë Merkel do të takohet në Pekin edhe me kryeministrin Wen Jiabao dhe presidentin Hu Jintao. Në Pekin kancelarja do të mbajë një fjalim në Akademinë kineze për shkencat sociale. Të premten Merkel do të udhëtojë për në qytetin kinezojugor Guangzhou.

Në qendër të bisedimeve mes Merkelit dhe udhëheqjes kineze do të jetë situata ekonomike në botë dhe veçanërisht kriza e borxheve në Europë, bëri të ditur ministria e Jashtme kineze. Lidhur me këtë do të bisedohet për zgjerimin e marrëdhënieve bilaterale. Tema të tjera janë zhvillimet në Korenë e Veriut pas vdekjes së diktatorit Kim Jong-Il dhe konflikti për programin atomik iranian, njofton agjencia e lajmeve dpa.

Kriza e euros dhe investimet

Lidhur me krizën e euros shpresohet në ndihmën e Kinës për BE. Gu Xuewu, eskpert shkencor për politikë në Univeristetin e Bonit thotë se Merkel pret nga nikoqiri kinez mbështetje për euron. „Çfarë kemi ne në Europë nuk është vetëm një krizë financiare, por edhe një krizë besimi", tha Gu.

Angela Merkel dhe Wen Jiabao
Por ka dhe dallime...Fotografi: dapd

Merkel gjatë vizitës në Kinë shoqërohet nga delegacion ekonomik i rangut të lartë. Para kësaj vizite ajo tha: "Natyrisht duam që kompanitë gjermane - përfaqësuesit e sektorit të ekonomisë, që më shoqërojnë mua në këtë udhëtim, të investojnë në Kinë. Ashtu sikurse ne jemi të hapur për sipërmarrjet kineze, që të investojnë në gjithë Bashkimin Europian dhe po ashtu në Gjermani."

Pozicione të ndryshme për Iranin

Lidhur me problemin për konfliktin atomik me Iranin të dyja vendet ndajnë pozicione të ndryshme. Më 23 janar Bashkimi Europian vendosi sanksione të ashpra kundër Iranit. Prej 1 korrikut hyn në fuqi embargo e naftës. Të gjitha furnizimet me naftë nga Irani do të ndalohen. Po ashtu do të bllokohen të gjitha xhirollagaritë e Bankës qëndrore iraniane në Europë. Kina u shpreh kundër sanksioneve për Iranin dhe i vlerësoi sanksionet e BE si “jo të dobishme”.

Më shumë se një e pesta e eksporteve iraniane të naftës shkojnë në Kinë. Tregtia mes këtyre dy vendve u rrit në 2011 sipas të dhënave iraniane në 55 për qind.

Çështja e të drejtave të njeriut

Ai Weiwei
Si në respektimin e të drejtave të njeriut (Ai Weiwei)Fotografi: AP

Sa i përket të drejtave të njeriut në Kinë zhvillimet në muajt e fundit janë shqetësuese. Autoritetet kineze vazhdojnë të sillen ashpër kundër kritikuesve të qeverisë si kurrë më parë. Së fundi ishin veprimet ndaj protestave të tibetianëve ku sipas të dhënave zyrtare forcat kineze të sigurimit qëlluan ndaj dy tibetianëve. Grupet tibetiane në ekzil folën për pesë të vdekur. Eberhard Sandschneider nuk beson që fjalët e paralajmëruara të kancelares për situatën e të drejtave të njeriut do të ndryshojnë diçka.

Autor: Christoph Ricking/Mimoza Kelmendi

Redaktoi: Bahri Cani