1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Intervistë Albin Kurti

1 Shkurt 2012

Lideri i lëvizjes Vetëvendosje po qëndron për një vizitë në Gjermani. Në një intervistë me DW ai flet për qëllimin e vizitës në Gjermani si dhe aksionet, qëllimet dhe aktivitetet e Vetëvendosjes në Kosovë.

https://p.dw.com/p/13uHV
Në foto, Albin Kurti
Në foto, Albin KurtiFotografi: picture-alliance/dpa

DW: Cili ishte qëllimi i kësaj vizite në Gjermani?

Kurti: Ne kemi pasur takime me mërgatën tonë në Dyseldorf, Nyremberg, Vyrcburg dhe sonte (01. 02. 2012) do të kemi në Hamburg. Kemi takuar dhe përfaqësues të Gjermanisë, shefin e deptartamentit për Ballkanin dhe Turqinë në Ministrinë e Jashtme, Nikolaus Lambsdorf, zëvendëskryertaren e ekologjistëve Marieluise Beck, kemi pasur një takim edhe në sekretariatin e Trasnparency International si dhe aktivitete të tjera. Kam takuar edhe ambasadorin e Kosovës, Vilson Mirdita dhe atë të Shqipërisë, Valter Ibrahimi.

DW: Cili ishte mesazhi i Ministrisë së Jashtme dhe i deputetëve gjermanë?

Kurti: Besoj se ata tani e kuptojnë më mirë lëvizjen Vetëvendosje, qëndrimet e saj shumë kritike dhe parimore. Shumica e zyrtarëve ndërkombëtarë janë informuar për lëvizjen Vetëvendosje nga dora e dytë - nga qeveria jonë apo burokratët e tyre në Kosovë. Tani kanë pasur mundësi të informohen nga dora e parë për aksionet dhe qëllimet dhe aktivitetet e Vetëvendosjes. Takimet ishin shumë të përzemërta.

DW: Kur flisni për informacionet e dorës së parë: Ju u referoheni vetëm qëndrimeve tuaja. Ndërkohë që sekretari i shtetit në Ministrinë e Jashtme Nikolaus Graf Lambsdorf në një intervistë për DW të martën (31.02) tha se Gjermania është kundër bllokimit të rrugëve. Do të vazhdoni Ju me aksionet për bllokimin e mallrave serbe?

Kurti: Reciprociteti është thelbi i barazisë dhe është vlerë e BE-së. Ne konsiderojmë se shteti i Kosovës nuk mund të forcohet pa ndërtimin e reciprocitetit me vendet tjera, në radhë të parë me Serbinë. Në aktivitetet tona - të cilat gjithmonë kanë qenë paqësore -  ne jemi vënë në mbrojtje të Republikës së Kosovës, angazhohemi për reciprocitet dhe për mbrojtjen e prodhimit vendor.

DW: Nuk iu përgjigjët pyetjes se a do të vazhdoni me bllokimin e rrugëve apo do të ktheheni në institucione për të mbrojtur interesat dhe qëndrimet tuaja politike?

Kurti: Nga koncepti i lëvizjes Vetëvendosje mund të kuptohet që njëra rrugë nuk e përjashton tjetrën. Do të veprojmë në kuvendin e Republikës së Kosovës, në komisionet parlamentare, ku jemi prezent dhe do t'i shfrytëzojmë të gjitha rrugët parlamentare. Nga Gjykata Kushtetuese kemi kërkuar shqyrtimin e kundërmocionit të qeverisë ndaj masave të reciprocitetit. Ky kundërmocion ishte një lloj grushtshteti, sepse 59 deputetë votuan kundër reciprocitetit që është e pashembullt në botë. Por ne jemi të gatshëm edhe për vazhdimin e protestave. Vendi dhe koha do të bëhen publike më vonë, por ato nuk do të ndërpriten. Protesta paqësore është vlerë demokratike, liri universale dhe institucion dhe normë e garantuar.

DW: Protestat në rrugë me siguri që janë një prej mjeteve legale të opozitës për të realizuar qëllimet e veta, por edhe ato kanë normat e veta që duhen respektuar. Por Ju ende nuk e keni bërë të qartë  në fakt se cila është strategjia e Vetëvendosjes: rrëzimi i qeverisë në rrugë, rrëzimi me aksione në institucione, apo do të prisni zgjedhjet e ardhshme?

Kurti: Jemi subjekt opozitar, i cili ka kërkuar dorëhejqen e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme. Qeveria e tanishme e ka uzurpuar shtetin dhe e ka shndërruar vendin në një republikë qeveritare - me shumë qeveri dhe pak republikë. Aktivitetet tona në kufi nuk i bëjmë me qëllim që të rrëzojmë qeverinë, t'ia marrin pushtetin, apo të forcojmë veten si opozitë. Por këto aksione janë kundër Serbisë, kundër hyrjeve dhe ndërhyrjeve të saj në Kosovë. Është fatkeqësi e madhe që qeveria në vend se të bllokojë Serbinë destruktive, po i bllokon aksionet  tona. Për të shkuar përpara, duhet të ndërrohet kjo qeveri. Ne duam që kjo të bëhet në zgjedhje të parakohshme. Pra, duam dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme - sa më shpejt aq më mirë.

DW: Cili është qëndrimi Juaj ndaj Serbisë, çfarë raportesh duhen ndërtuar me Beogradin?

Kurti: Serbia duhet të ndryshojë në mënyrë që të kemi marrëveshje, komunikim dhe bashkëpunim normal.

DW: Çfarë duhet të ndryshojë?

Kurti: Serbia duhet ta lerë prapa periudhën e regjimeve fashiste dhe nacionalshoviniste të Shekullit 20-të. Serbia duhet të heqë dorë nga e kaluara, të paguajë dëmet e luftës, të na i kthejë 1800 të pagjeturit, ta ndryshojë pjesën e kushtetutës së saj, ku thuhet se Kosova është pjesë e Serbisë, të pushojë me shtypjen dhe diskriminimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Serbia duhet të na i kthejë depozitat e  plaçkitura bankare, fondet pensionale, dokumentacionin kadastral, librat e amzës, të na i dorëzojë kriminelët e luftës dhe të pranojë pavarësinë e Kosovës. Vetëm për një Serbi të tillë mund të thuhet se nuk është më ajo Serbia e vjetër dhe me të mund të krijojmë marrëdhënie të reja.

DW: Zoti Kurti, shumë prej këtyre temave që përmendët Ju, janë në rend dite edhe në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel. Pse atëherë Ju kërkoni ndërprerjen e dialogut?

Kurti: Dialogu me Serbinë për çështje të brendëshme të Kosovës na bosnjizon neve dhe rezulton me kantonizimin e Kosovës, rezulton me një shtet jo funksional. Nuk mund të përfitojmë nga ky dialog për çështjet e brendshme, do të kemi vetëm dëme. 

DW: Po si mendoni Ju t'i ktheni, për shembull, librat e amzës nga Nishi apo Kraljeva. Pa ndonjë marrëveshje kjo me siguri që nuk mund të bëhet...

Kurti: Nuk po kthehen as me marrëveshje. Ne kemi marrë vetëm kopje të librave të amzës dhe po shndërrohemi në një vend kopje. Kemi hequr dorë nga edhe emri republikë në prezantimet e jashtme. Situata është sikur para 40 vitesh, kur shqiptarëve u lejohej përdorimi i flamurit kombëtar, por vetëm brenda shtëpisë dhe jo në publik. Me trysni ndaj Serbisë mund të arrihet kjo. Serbia mund të  hidhet në defansivë me dy poteza: e para, duhet t'i ndërpresim bisedimet, dhe e dyta, ta bllokojmë hyrjen dhe ndërhyrjen e Serbisë në Kosovë.

DW: Sa u përket kopjeve, kopje kanë marrë edhe Kroacia dhe Sllovenia, por më intereson më hollësisht, cili është qëndrimi i Vetëvendosjes ndaj serbëve të Kosovës dhe a do të organizoni aksione edhe në veri të Kosovës?

Kurti: Është e vërtetë që Kroacia dhe Sllovenia kanë marrë kopje, por është e vërtetë edhe që Kosta Rika nuk ka ushtri. Nuk e di pse qeveria jonë gjithmonë i merr vetëm shembujt negativ nga vendet tjera dhe jo edhe ata pozitiv. Në Kroaci për shembull po përgjigjet për korrupsion edhe vet ish-kryeministri. Ndërsa Sllovenia është në BE. Lëvizja Vetëvendosje në asnjë mënyrë nuk është kundër serbëve të Serbisë apo të Kosovës. Serbët e Kosovës i konsiderojmë qytetarë të Republikës së Kosovës që duhet të kenë të gjitha të drejtat sipas konventave ndërkombëtare për minoritetet dhe ta kenë të garantuar barazinë para ligjit. Aksionet tona në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë, nuk kanë të bëjnë me ndërhyrjen në veri. Në veri kemi një situatë ushtarake ku edhe pikat kufitare janë shpallur ushtarake.

DW: Do të thotë, Ju nuk do të organizoni asgjë në veri të Kosovës?

Kurti: Lëvizja Vetëvendosje ka një plan se si mund të bashkohet Mitrovica. Plani parashikon masa socio-ekonomike si dhe masa politike dhe të sigurisë. Ndër masat që duhen ndërmarrë janë rivitalizimi i Trepçës, zbutja e papunësisë, ndihmat për arsim, shëndetësi etj. Ndërsa sa i përket masave të sigurisë, duhet ndëprerë financimi i strukturave paralele të Serbisë, të ndërpritet shitja e pronave të shqiptarëve, duhet të hapen nën stacione policore në lagjet e banuara me shqiptarë. Mos të harrojmë, strukturat paralele në veri i ka lënë Millosheviqi, më vonë i ka mirëmbajtur Koshtunica e tani këtë po e bën edhe Tadiqi.

DW: Cili është qëndrimi Juaj ndaj trupave ndërkombëtare në Kosovë, sepse Ju më parë keni kërkuar largimin e tyre? Ka ndryshuar qëndrimi Juaj?

Kurti: Ne nuk jemi kundër pranisë ndërkombëtare në Kosovë. Jemi për të ndryshuar karakterin e kësaj pranie. Jo prani, e cila na sundon dhe dikton, por një prani që na mbështet dhe ndihmon për zhvillim, demokraci dhe drejtësi. NATO duhet të qëndrojë në Kosovë, por duhet të bëhet me një marrëveshje të re. Marrëveshja duhet të nënshkruhet mes NATO dhe Kosovës dhe jo të qëndrojë mbi bazat e Marrëveshjes së Kumanovës, e cila është nënshkruar prej shumë personave që janë dënuar në Hagë  për krime lufte. Natyrisht që ne kërkojmë që edhe forcat e sigurisë së Kosovës të shndërrohen në ushtri, sepse nuk është në rregull që Mali i Zi apo Maqedonia të kenë ushtri, e Kosova nuk lejohet ta ketë ushtrinë e vet.

Intervistën e zhvilloi Bahri Cani

Redaktoi: Esat Ahmeti