1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samiti i Bashkimit Evropian

31 Janar 2012

Pakti i kursimit me frena për huatë, i kërkuar prej kancelares Merkel, është punë e kryer. Vetëm britanikët dhe çekët thanë ‚Jo’ gjatë samitit të BE-së në Bruksel.

https://p.dw.com/p/13tZk
Pamje nga samiti i BE-së
Pamje nga samiti i BE-sëFotografi: dapd

Marrëveshje pati te masat për rritje ekonomike dhe vende pune. Kancelarja gjermane u tregua shumë e kënaqur në Bruksel, megjithëse ajo nuk pati sukses në të gjitha pikat. Me paktin fiskal me frena për huatë dhe me sanksione automatike për mëkatarët e deficitit krerët e shteteve dhe të qeverive të BE-së mbështetën një element thelbësor të strategjisë së saj për luftimin e krizës financiare. Pas samitit të 14 për këtë temë Angela Merkel bëri komentin, se arritja e tij në një kohë kaq të shkurtër „është vërtetë një kryevepër“ dhe se rezultati ështëi mirë. Siç pritej, Britania e Madhe nuk lëvizi prej refuzimit të saj strikt. Asaj iu bashkua qartë (për habinë e shumë pjesëmarrësve) Çekia. ‚Jo'-ja aktuale u arsyetua me „rezerva në pikëpamjen kushtetuese“, mirëpo Praga mund t'i bashkohet marrëveshjes më vonë.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: picture-alliance/dpa

Tani shqetësim për Portugalinë

Për disa javë u duk sikur eurozona po rifitonte besimin e investuesve. Mirëpo tani në tregun evropian të obligacioneve është rikthyer nervozizmi (me pasoja fatale para së gjithash për Portugalinë). Për Portugalinë e zhytur thellë në borxhe normat e interesit për obligacione shtetërore janë ngjitur në nivele rekord që prej futjes së euros. Ato u rritën veçanërisht për obligacione afatshkurtra. Norma e interesit për një obligacion dyvjeçar u rrit përkohësisht të hënën (krahasuar me të premten e javës së kaluar) me gati gjashtë për qind në rreth 21 për qind. Te obligacionet pesëvjeçare norma e interesit u rrit me gati katër për qind në rreth 23 për qind, te ato dhjetëvjeçare me dy për qind në rreth 17 për qind.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: dapd

Gëzim i lig i britanikëve për planet fiskale të Sarkozysë

Kryeministri britanik Cameron vazhdon të bëjë polemikë kundër planeve franceze për taksën e transaksioneve financiare. Së shpejti mund t'u urohet mirëseardhja në Britaninë e Madhe shumë bankave dhe firmave franceze, tha Cameron. Sipas tij në kohën e krizës ekonomike futja e një takse të tillë është „çmenduri“ dhe „pazakonshme“: Kryeministri britanik David Cameron nuk e kurseu kritikën ndaj planit të presidentit Nicolas Sarkozy, për ta futur në rast nevoje edhe i vetëm taksën e transaksioneve financiare. „Komisioneri i BE-së na ka thënë, që futja [e taksës] në Evropë do të kushtojë gjysmë milioni vende pune“ e paralajmëroi ai qeverinë franceze.

Në foto, David Cameron
Në foto, David CameronFotografi: dapd

Autor: Agj / Elert Ajazaj

Redaktoi: Esat Ahmeti