1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Muzika komponentja kryesore e vitit kulturor kinez

29 Janar 2012

Ndërkohë që Gjermania dhe Kina festojnë sivjet 40 vjetorin e marrëdhënieve të tyre diplomatike, qeveria kineze organizon vitin e kulturës kineze në Gjermani.

https://p.dw.com/p/13sYW
Ceremonia e hapjes së vitit kulturor kinez 2012 në Këln
Ceremonia e hapjes së vitit kulturor kinez 2012 në KëlnFotografi: VCSK

Viti i kulturës kineze, i cili organizohet nën kujdesin e presidentit kinez Hu Jintao dhe atij gjerman Christian Wulff hapet të martën (31.01.) por ndërkaq programi është paraqitur në Berlin: Në javën e parë do të ketë kryesisht muzikë. Muzikë klasike, muzikë tradicionale kineze, opera kineze. Viti i kulturës kineze do të hapet me një koncert të Orkestrës Simfonike të Kinës në Berlin, ku do të luhen veprat e kompozitorëve gjermanë dhe kinezë. Dramaturgu Dieter Rexrodt ka planifikuar javën e hapjes. "Qysh me hapjen shtrohet pyetja: a është orkestra simfonike një institucion origjinal kinez, apo nmos vallë ajo është diçka e importuar nga Perëndimi. Por ky lloj konfrontimi me kulturën orkestrale ka një traditë shumë të fortë në Kinë, dhe në qoftë se nuk gaboj në këtë fushë ka ende nevojë për përmirësime."

Ceremonia e hapjes së vitit kulturor kinez 2012 në Këln
Ceremonia e hapjes së vitit kulturor kinez 2012 në KëlnFotografi: DW

Muzika komponentja kryesore e vitit kulturor kinez

Në kuadër të tij kulturor janë planifikuar rreth 500 shfaqje: Festivali muzikor i Shlesvig-Holshtajnit do të ketë në fokus Kinën, e po kështu edhe Panairi i muzikës Pop apo Bienalja e Berlinit. Përveç kësaj veçanërisht artistët e rinj kinezë do të paraqiten p.sh. në kuadër të një projekti për artin publik në Kasel. Viti i kulturës kineze është ngjarja më e madhe kulturore e Republikës Popullore në Evropë në vitet e fundit. Më parë janë organizuar vite të kulturës apo muaj kulturor kinez në Francë, në kryeqytetin evropian Bruksel dhe në Zvicër. Në Gjermani ne e kemi vendosur qëllimisht theksin tek muzika, thotë Chen Ping, drejtues i Departamentit për Evropën pranë Ministrisë kineze të Kulturës. "Ne mendojmë se muzika është veçanërisht e përshtatshme, sepse ajo i kalon kufijtë kombëtar. Çdokush mund ta kuptojë atë, për të nuk duhet të mësosh ndonjë gjuhë. Kjo është arsyeja pse ne kemi planifikuar qysh nga fillimi shumë projekte muzikore. Një tjetër arsye është se Gjermania është një komb i madh me muzikë të pasur dhe si i tillë shumë me ndikim në Kinë."

Pianisti kinez Lang Lang gjatë një koncerti në Munih më 17.07.2011
Pianisti kinez Lang Lang gjatë një koncerti në Munih më 17.07.2011Fotografi: dapd

Mungojnë zërat alternativë dhe disidentët e skenës kulturore në këto aktivitete

Sidoqoftë ndoshta ka edhe një arsye tjetër. Muzika të paktën ajo klasike dhe tradicionale - në përgjithësi është më pak e diskutueshme se sa letërsia dhe artet figurative. Në Gjermani kryesisht janë të njohur dy artistë kinezë. Njëri është pianisti Lang Lang, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai nuk do të marrë pjesë në vitin e kulturës kineze. Nga ana tjetër për shumicën e gjermanëve është i njohur sidomos emri i Ai Weiwei. Ai ka marrëdhënie të ngushta me Gjermaninë, ai ishte i ftuar në "Documenta" në Kasel, në një nga ngjarjet më të rëndësishme të artit në Evropë dhe vitin e kaluar ka kërkuar që të hapë një studio në Berlin. As ai nuk do të jetë pjesë e vitit të kuturës kineze në Gjermani, sepse ai ndodhet në arrest shtëpie në Pekin. Pyetjeve lidhur me artistin e padëshiruar, ambasadori kinez në Berlin Wu Hongbo u shmanget. "Ju keni përmendur dy emra, por në Kinë ka mijëra, dhjetëra mijëra artistë", sqaron Hongbo.

Artisti Ai Weiwei duke fotografuar gjatë një konference shtypi në Munih , fotografi e vitit 2009
Artisti Ai Weiwei duke fotografuar gjatë një konference shtypi në Munih , fotografi e vitit 2009Fotografi: picture alliance/dpa

Ndaj në opinionin gjerman ekziston frika se viti i kulturës kineze do të jetë një ngjarje tërsisht propagandistike e qeverisë. Zëra alternativë ose disidentë të skenës kulturore nuk do të kenë të drejtën e fjalës gjatë festimeve. Megjithatë Chen Ping nga Ministria e Kulturës e hedh poshtë si të pabazë akuzën se publikut gjerman do t'i paraqitet vetëm kultura zyrtare: "Nuk do të kemi vetëm pjesën shtetërore të Vitit të Kulturës. Edhe qytetet apo organizatat joqevritare dhe persona privatë janë duke planifikuar të kenë shfaqje në kuadër të Vitit të kulturës kineze. Ka artistë, të cilët organizojnë vet projekte. Prandaj viti në tërësi do të jetë shumë i larmishëm. Kjo nuk është një ngjarje vetëm Ministrisë së Kulturës ose e qeverisë", thotë Ping dhe shton se në program mund të futen edhe shfaqje të tjera.

Autorë: Mathias Bölinger / Esat Ahmeti

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora