1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Basille: Politika e ka bërë censusrën të ligjshme në Shqipëri

29 Janar 2012

Reporterëve pa Kufij: Politika e ka bërë censusrën të ligjshme në Shqipëri. Oliver Basille, nga kjo organizatë, thotë për DW, se për BE-në një shtyp i lirë është shumë i rëndësishëm.

https://p.dw.com/p/13sXc
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në raportin aktual mbi Indeksin e Lirisë së Shtypit për vitin 2011 Shqipëria, në krahasim me vitin 2010, ka bërë një regres prej 16-të vendesh në klasifikimin e publikuar nga organizata Reporterët pa Kufij. Por çfarë ka ndodhur me median në Shqipëri gjatë vitit 2011 për të sjelllë këtë regres? Olivier Basille, Shefi i Marrdhënieve me Institucionet Europiane pranë Reporterëve pa Kufij, është një njohës i mirë, jo vetëm i rajonit, por edhe i Shqipërisë. Sipas tij problemet kanë qenë të shumta duke nisur që nga kriza politike që sjell pasoja edhe në media, deri tek krimi i orgnazuar.

Media dhe drejtësia

"Nuk mund të flasim për një shtyp të lirë. Numri i gazetarëve të paditur është shtuar ndjeshëm. Politikanët janë bërë shumë të zgjuar. Ata thonë që nuk ka censurë politike në Shqipëri dhe kjo është pjesërisht e vërtetë, sepse ata e kanë bërë censurën të ligjshme. Politika thotë se nuk ka burg për gazetarët, por gjykatat vendosin gjoba shumë të larta, që është e pamundur për t'i paguar. Duke qenë se gazetarët në Shqipëri janë të pambrojtur, ata e rrisin nivelin e autocensurës dhe nuk ivestigojnë, sepse e dinë që do të paditen dhe do të humbasin përpara drejtësisë. Kështu që për shumë çështje nuk shkruajnë, nuk investigojnë dhe shumë informacione mbeten në errësirë, " thotë Basille në intervistën për Deutsche Welle-n (DW).

Olivier Basille, Olivier Basille, Shefi i Marrdhënieve me Institucionet Europiane pranë Reporterëve pa Kufij
Olivier Basille, Olivier Basille, Shefi i Marrdhënieve me Institucionet Europiane pranë Reporterëve pa KufijFotografi: Reporters sans frontières

Ai thekson se censura është bërë e ligjshme në Shqipëri, sepse në të shumtën e rasteve gazetarët kanë humbur gjyqet dhe ky është një mesazh i qartë se nëse ti shkruan për një gjë, do të paditesh dhe do të humbasësh para drejtësisë. "Sistemi i drejtësisë është gjithnjë e më shumë i komplikuar dhe kundër lirisë së informacionit."

Një problem i tillë në median shqiptare e thekson edhe nga Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa. Ai shprehet për Deutsche Welle se proceset gjyqësore ndaj gazetarëve dy vitet e fundit janë shtuar së tepërmi. "Në dy vitet e fundit janë shtuar shumë proceset gjyqësore ndaj gazetarëve. Vazhdojnë në një maratonë të përhershme dhe kjo ndikon negativisht tek puna e gazetarit. Në këto procese kërkohet penalitet financiar i gazetarit me shuma marramendëse, aq sa ata marrin për 10 vjet punë. Proceset ndaj gazetarëve nuk duhet të shëndërrohen në pengesë për mision e tij."

Për Olivier Basille, në këtë pikë hyn në "lojë" edhe krimi i organizuar, që sipas tij në Shqipëri ka shumë ndikim në media. "Gazetarët nuk janë në gjendie të paguajnë mijra e mijra euro dhe më pas duhet t'i drejtohen dikujt për të siguruar këto para. Kjo është mënyra se si krimi i organizuar hyn në media, sepse ata janë të vetmit që mund të paguajnë. Ajo që na shqetëson në Shqipëri është krimi i organizuar, që fiton akoma më shumë fuqi. Ky problem nuk është vetëm në Shqipëri, por edhe në Bullgari, Mal të Zi, Serbi e Kosovë. Ata njerëz kanë paratë dhe fitojnë gjithnjë e më shumë fuqi mbi median," thotë Basille.

Mahmutaj: Nuk mund të thuhet se në Shqipëri ka fjalë të lirë

Gazetari Fatos Mahmutaj
Gazetari Fatos MahmutajFotografi: DW/A.Topi

Gazetari shqiptar Fatos Mahmutaj ka mbuluar për 14 vjet çështjet e drejtësisë në media të ndryshme, por sipas tij sot nuk mund të thuhet se në Shqipëri ka fjalë të lirë.

Ai është njëri prej të plagosurve gjatë protestës së opozitës më 21 janar 2011 në Tiranë. Në çastin që ndodhej në detyrë duke raportuar mbi ngjarjen, ai mori një plumb në dorën e djathtë. Sot ai ka një vit që është azilant politik në Belgjikë, sepse Shipëria nuk ishte më një vend i sigurtë për të. Në një intervistë për Deutsche Welle ai tregon se çfarë ndodhi atë ditë dhe cilat qenë pasojat. "Unë u qëllova nga ushtarët e Gardës së Republikës së Shqipërisë, por një gjë e tillë nuk mu lejua ta thoja në median ku punoja edhe pse kam shkuar i gjakosur në redaksi. U detyrova të largohesha nga ai televizion. Ato që unë pashë atë ditë dhe atë se çfarë më ndodhi e tregova gjatë një interviste në një televizion tjetër dhe aty nisën problemet. Dy ditë më pas më kanë kërcënuar me jetë duke më thënë se isha duke folur shumë. Pas kësaj situate ku mu rrezikua jeta, vendosa të ikja menjëherë nga Shqipëria sepse nuk isha më i sigurtë," tregon ai.  "E vërteta është gjëja më me vlerë për mua. Nuk jam pishman për vuajtjet që jam duke kaluar larg familjes dhe larg 14 viteve investim në profesionin tim. I marr përsipër rreziqet dhe së vërtetës nuk i ndahem, gjë që duhet ta bëjnë edhe shumë kolegë në Shqipëri", nënvizon Mahmutaj.

Media publike dhe private

Që prej vitit 1985, kur është themeluar edhe organizata Reporterët pa Kufij, në raportet e saj theksohet gjithmonë ndikimi i skajshëm i qeverisë shqiptare tek media publike. "Pavarësia në këtë media është është e pamundur, qeveria ka një ndikim të madh," thotë për Deutsche Welle Olivier Basille, Shefi i Marrdhënieve me Institucionet Europiane pranë Reporterëve pa Kufij.

"Media publike siç e përcjell e raporti, konsiderohet si media e politizuar, e përdorur nga institucionet qeverisëse dhe ka humbur virtytet dhe tiparet e një media publike për paanshmëri dhe balancën në informimin e publikut," shprehet Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa.

Aleksandër Çipa, kryetari i Unionit të Gazetarëve në Shqipëri
Aleksandër Çipa, kryetari i Unionit të Gazetarëve në ShqipëriFotografi: DW

Por situata nuk është më e mirë as në sektorin privat. "Shumë gazetarë punojnë pa kontrata, nuk janë të mbrojtur. Një gjë e tillë natyrisht që i çon në autocensurë sepse nëse punon në kushte të tilla dhe në një kohë krize ekonomike që ka prekur gjithë botën, ashtu si edhe Shqipërinë, është e vështirë të punosh dhe të mbash famlijen, ndaj gazetarët pranojnë shumë ndëhyrje në kurriz të parimeve të profesionit të tyre," shprehet Basille.

Unioni i Gazetarëve e ka ngritur shpesh herë zërin për informalitetin në marrdhëniet e punës në tregun mediatik, por ende nuk është bërë asgjë.

Një tjetër problem është edhe tek tregu i reklamave në Shqipëri. Sipas Basille reklamat e institucioneve shtetërore shkojnë gjithmonë në një grup të caktuar mediash që mbështeten financiarisht në mënyrë artificiale. "Eshtë edhe tregu privat, që është pak më i lirë, por nga konkatet që ne kemi pasur na thonë se detyrohen të çojnë reklamat tek mediat që janë afër qeverisë. Qeveria është shumë e fuqishme në Shqipëri sepse shteti mbetet kompania më e madhe, burimi më i madh i fondeve."

Për BE liria e shtypit shumë e rëndësishme

Basille në fund të intervistës thekson edhe diçka që shpesh herë keqkuptohet në opinion publik. "Raporti ynë u drejtohet institucioneve shtetërore dhe jo qytetarëve shqiptarë. Shpesh herë qeveritë na sulmojnë duke thënë se po lobojmë kundër pranimit në Bashkimin Europian. Por jo. Natryshit që Shqipëria e meriton të futet në Bashkimin Europian, por jo sot nëse nisemi vetëm nga liria e shtypit. Ne kemi bërë gabim me Rumaninë dhe Bullgarinë që i pranuam me problemet me shtypin e lirë dhe sot është e pamundur për t'i rregulluar. Ne i themi Shqipërisë dhe shqiptarëve që jeni të mirëseardhur, por nëse shohim gjendien e lirisë së shtypit në këtë moment është e pamundur që Shqipëria t'i bashkohet Bashkimit Europian. Për Bashkimin Europian liria e shtypit është shumë e rëndësishme."

Autor: Amarildo Topi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora