1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Makthi i falimentimit nuk i shqitet Greqisë

29 Janar 2012

Marrëveshja e PSI për “qethjen„ e borxhit grek me rreth 100 miliardë euro është çështje kohe. Por kjo nuk shihet me optimizmin e duhur nga vetë grekët

https://p.dw.com/p/13sNn
Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: dapd

Në Athinë, ku u gjend sërish dhe të premten u takua me kryeministrin Papadhimos dhe ministrin e Financave Venizellos përfaqësuesi i Institutit të borxhit privat "IIF" Charles Dallara, vazhdojnë bisedimet intensive për arritjen e marrëveshjes për “qethjen” e borxhit grek. Marrëveshja e shumëpritur, që do të reduktojë me rreth 100 miliardë euro borxhin aktual prej 375 miliardë eurosh dhe do të hapë rrugën për marrëveshjen e re të kreditimit prej 130 miliardë eurosh, mund të arrihet, sikurse tha vetë komisioneri evropian për çështjet ekonomike Olli Rehn, “brenda wikendit dhe sidoqoftë brenda janarit dhe jo shkurtit”.

Në foto, Charles Dallara
Në foto, Charles DallaraFotografi: picture-alliance/ dpa

“Qethje” deri 70% por edhe memorandum masash të reja shtrenguese

Por ky lajm i mirë - thuhet se “qethja” mund të arrijë në 70% dhe kamata e obligacioneve të reja do të kufizohet në 3.75% - shoqërohet dhe me një lajm të “keq”: një memorandum masash të reja shtrenguese nga ana e troikës me reduktime pagash dhe pensionesh, tatime të reja të pronave, lirime nga puna në sektorin publik dhe hapjen e profesioneve të mbyllura, që në formën e ultimatumit iu dorëzua partive dhe qeverisë për adoptim dhe zbatim. “Do të nënshkruajmë marrëveshjen e kreditimit për të siguruar vijimësinë e financimit, që i nevojitet ekonomisë greke apo jo?”, ishte pyetja e shtruar nga zëdhënësi i qeverisë Pandelis Kapsis në formën e një dileme të re për forcat politike dhe shoqërinë greke, që reagon e shokuar ndaj cunamit të ri të masave.

Në foto, kryeministri grek Papadhimos
Në foto, kryeministri grek PapadhimosFotografi: dapd

PSI nuk e bën borxhin të menaxhueshëm

Qeveria shpreson se me “qethjen e shekullit” (do të ulë me 4.5 miliardë euro kuotën e përvitshme të kamatave prej 17 miliardë eurosh) dhe krijimin e tepricave të para primare për këtë vit do të fillojë edhe kthesa në ekonominë e saj në recesion të thellë (aktualisht -7%) për të pestin vit me radhë. Por nuk ndajnë të njejtin optimizëm edhe qytetarët grekë, që të rrënuar nga papunësia dhe taksat e njëpasnjëshme, bëhen gjithnjë e më mosbesues ndaj kursit të ndjekur. “Kurrë dhe asnjë nuk u ka premtuar grekëve se në qoftë e do të merret edhe ky këst, në qoftë se do të nënshkruhet edhe kredia e re, në qoftë se do të kurorëzohet edhe PSI (Private Sector Involvement) borxhi do të mund të bëhet i menaxhueshëm”, thotë profesori i së drejtës së punës Aris Kazakos, i cili si shumë oponentë të tjerë të kursit të ndjekur e cilëson edhe marrëveshjen e PSI “katastrofale” për ekonominë greke.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: picture-alliance/DeFodi

“Vendi ndodhet në falimentim de facto”

Borxhi i ri do të shkojë për shlyerjen e borxhit të mëparshëm dhe jo për rivënien në efiçensë të ekonomisë dhe tek e fundit në kohën, që do të ulet me 100 miliardë euro do t'i shtohen 130 miliardë euro të tjera, mendon Kazakos, që e konsideron të paevitueshëm falimentimin. “Në këto momente vendi ndodhet në një falimentim de facto. Falimentimi i kontrolluar, që propagandojnë zonja Merkel dhe zoti Sarkozy, do të ketë të njëjtin rezultat me falimentimin e pakontrolluar, me të vetmin ndryshim se do të jenë varfëruar skajshëm njerëzit e këtij vendi dhe do të ketë dalë në ankand pasuria publike”, thotë Kazakos, i cili sheh si zgjidhje pezullimin e pagesave. Nuk ka përgjigje të lehtë sigurisht, kur pyetet se çdo të bëhet me pagat dhe pensionet, apo me bankat, në qoftë se vendit i hiqet papritur “priza” nga kreditorët, pra me menaxhimin e asaj situate, që guvernatori i Bankës së Greqisë Provopullos e quan “skëterra e daljes nga euro”. Por si shumë ithtarë të “dëbimit të troikës” sjell shembullin e Argjentinës, që 10 vjet pas falimentimit të saj ka 6.5 % ritme zhvillimi dhe 6% papunësi.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: picture-alliance/dpa

“Edhe receta e gabuar edhe kuzhinieri i keq”

Skenarët e falimentimit marrin e japin dhe fiksohen akoma edhe në tituj librash si ai i analistit më në zë të Greqisë Stavros Ligeros të promovuar këto ditë me titullin “Nga kleptokracia tek falimentimi”. Analisti grek, që më se një herë ka theksuar se “për fat të keq edhe falimentim do të ketë edhe i pakontrolluar do të jetë”, shikon përgjegjësi të dyfishtë për kolapsin e ekonomisë greke. “Edhe receta ishte e gabuar edhe kuzhineri i keq” thotë Ligeros, duke fajësuar si troikën po kështu edhe qeverinë që e pavullnetshme, siç është treguar, edhe një herë këto ditë u përball me barazhin e kritikave të partnerëve evropianë për “kalendat greke” në zbatimin e programit.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: Fotolia

Analistët: “Rrugë pa kthim drejt varfërimit të popullit”

I njëjti skepticizëm edhe në media, ku vështirë së mund të gjesh një fjalë të mirë për programin e troikës. “Unë besoj se kemi hyrë në një rrugë pa kthim dhe se fundi i saj do të jetë varfërimi i plotë i popullit grek” i thotë DW analisti politik Fotis Papulias, i cili beson se “edhe kurorëzimi i PSI nuk do ta bëjë të menaxhueshëm borxhin grek”. E keqja më e madhe, sipas tij, janë masat që e shoqërojnë dhe kushtëzojnë kreditimin e ri të “që në qoftë se do të zbatohen atëherë dilema shekspiriane të jetosh apo të mos jetosh do të ketë marrë përgjigjen e saj në Greqi, dhe sigurisht do të jetë të mos jetosh”. Por sikurse thuhet, nuk ka situatë pa një të dalë dhe në këtë rast analisti grek tregon kutinë e votimit, zgjidhjen e vetme për demokracitë. “Ose shoqëria greke do të dërgojë disa njerëz në shtëpinë e tyre dhe do të ulet poshtë të shikojë se ç'ekonomi dhe ç'shoqëri do, ose zonja Merkel do të dërgojë komisionerin e saj për të qeverisur Greqinë” përfundoi analisti grek.

Në foto, Fotis Papulias
Në foto, Fotis PapuliasFotografi: DW

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Esat Ahmeti