1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova: Liberalizimi i vizave

18 Janar 2012

Qeveria e Kosovës, thotë se në afat rekord do të përmbushë kriteret që kërkohen nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave.

https://p.dw.com/p/13lGP
Kosovo police uses water canon and tear gas to disperse supporters of Self-Determination (VETVENDOSJE!) during clashes in the northern Kosovo town of Podujevo on Saturday, Jan. 14, 2012. Police in Kosovo fired tear gas and used batons and a water cannon to disperse hundreds of protesters trying to enforce a trade ban on Serbian goods. ( AP Photo / Visar Kryeziu )
Fotografi: AP

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Komisionit Evropian për liberalizmin e vizave, pritet të fillojë këtë javë, gjatë një vizite që planifikon të bëjë në Kosovë, komisionerja për çështje të brendshme të BE-së, Sesilia Malstrom. Zonja Malstrom, të enjtën do të qëndrojë në Kosovë, ku edhe zyrtarisht pritet t'ua dorëzojë autoriteteve kosovare, udhërrëfyesin për nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave. Qeveria e Kosovës, ka kohë që njëanshëm ka miratuar një udhërrëfyes të saj, për të përmbushur kriteret që kërkohen për këtë proces dhe sipas ministres së Integrimeve Evropiane, Vlora Qitaku, Kosova do të nisë këtë proces megjithëse të vonuar, më e përgatitur se vendet tjera të rajonit.

Do të përmbushim kriteret në afat rekord

“Ne jemi të vetëdijshme që kriteret që i janë imponuar Kosovës janë më të rënda sesa ato të vendeve të rajonit. Por rregullat e lojës nuk i përcaktojmë ne ato  i përcakton Komisioni Evropian dhe unë jam e bindur se ne nëse mbajmë këtë tempo në një afat rekord do të bëjmë përmbushjen e kritereve”, thotë ministrja Vlora Qitaku.

Ministrja Qitaku, thotë se në afat rekord Kosova do të arrijë të përmbushë kriteret e kërkuara nga KE. Nuk është në gjendje të thotë një datë, por beson se deri në fund të  vitit 2012, Kosova do të arrijë të heqë vizat për qytetarët e saj.

Vlora Qitaku minister for europian integrations in Kosovo Government in interview for DW *** Author: Bekim Shehu DW correspodent from Kosovo Date: 15.05.2011
Vlora QitakuFotografi: DW

Zëra kundër

Njohësit e integrimeve evropiane, nuk janë të bindur se Kosova do të arrijë të përmbushë kriteret e kërkuara nga KE në afat rekord. Avni Mazreku, profesor dhe njohës i integrimeve evropiane, thotë se një nga problemet me të cilat do të ballafaqohet Kosova në përmbushjen e kritereve që kërkohen për këtë proces, është mungesa  kuadrove brenda administratës shtetërore të Kosovës.

“Nëse qeveria e vendit përkatësisht ata që janë duke e drejtuar vendin kanë politika më racionale kadrovike mendoj që kjo është e arritshme. Nëse këta mendojnë me këtë logjikë të cilën janë duke e aplikuar momentalisht, që nga pas lufta, mendoj që kjo do të jetë pothuajse e paarritshme gjatë viti 2012”, thotë Avni Mazreku.

Një nga çështjet që më së shumti e brengos qeverinë e Kosovës, është se si t'i bindë qytetarët e Kosovës për të mos kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian, në momentin që Kosova futet në Shengenin e bardhë. Këtë qeveria e cilëson  një sfidë në të cilën duhet punuar shumë. Analistja e organizatës Iniciativa Evropiane për Stabilitet Verena Knaus, thotë se  qeveria e Kosovës në radhë të parë duhet të bëjë më shumë për zhvillimin ekonomik dhe ngritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve në mënyrë që ata të mos kërkojnë azil në vendet e BE-së.

Sfidë për Kosovën do të jetë ndalimi i imigrimit ilegal

“Qeveria e shoqëria civile në Kosovë duhet të kenë diskutime të sinqerta rreth  mundësive që mund të ndodhin për azilkërkim, abuzim me imigrim ilegal dhe duhet të adresojë se pse njerëzi duan të largohen nga Kosova.  Natyrisht kjo lidhet me zhvillimin ekonomik dhe mundësitë e punësimit të cilat janë lidhura ngushtë me çështjen e liberalizimit të vizave”, thotë Verena Knaus.

Knaus thotë se Komisioni Evropian i ka bërë të qartë Kosovës në fillim të vitit 2012 se njëri prej kritereve kryesore  për fillimin e dialogut për liberalizim të vizave është që Kosova duhet të vendosë një sistem efektiv lidhur me riatdhesimin  e personave. Sipas saj Kosova pjesërisht e ka përmbushur këtë kriter, megjithëse ka nënshkruar disa marëveshje për riatdhesim.  Por, akoma nuk e ka bërë të qartë  ndihmën që duhet dhënë personave të riatdhesuar.

Sidoqoftë, Kosova është vendi i vetëm në rajon qytetarët e së cilit, akoma nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet e bashkimit evropian. Njohësit e  integrimeve evropiane, thonë se tash është koha e fundit dhe koha e duhur që vendi të fillojë dialogun për liberalizimin e vizave. Sipas tyre ky proces do të jetë i gjatë ndoshta dy vjet por sa më herët që të fillon do të jetë më mirë dhe me lehtë edhe për Komisionin Evropian.

Autor: Bekim Shehu
Redaktor: Pandeli Pani