1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

060112 Bild macht Politik

7 Janar 2012

"Bild" është një nga gazetat më me ndikim në Europë. Mosmarrëshja mes presidentit dhe gazetës me tirazhin më të lartë në Gjermani hap diskutimin për shtypin bulevardesk.

https://p.dw.com/p/13fhL
Bild bën politikë. gazeta do ta publikojë mesazhin telefonik të presidentit
Bild bën politikë. gazeta do ta publikojë mesazhin telefonik të presidentitFotografi: dapd

Gazeta Bild është një gazetë bulevardeske, e cila tërheq vëmendjen e të gjithë gjermanëve. Një pjesë e lexojnë "Bild". Për të tjerët ajo mbetet një gazetë reaksionare armiqësore, "goja e së keqes", siç është shprehur gazetari Günter Wallraff në fund të viteve shtatëdhjetë, ose një multiplikator, organ demokratik kontrollues, biles edhe një formë e artit gazetaresk. "Për të qeverisur me duhet vetëm "Bild" dhe televizioni", ka thënë ish-kancelari Gerhard Shrëder, ndërsa intelektuali i majtë Hans Magnus Enzensberger duke formuluar me ironi elegante ka thönë: "Bild" është e tëra një vepër arti."

"Vetëdija gazetareske për dizajnin"

Me një tirazh prej rreth katër milionësh "Bild" është gazeta e përditshme gjermane me ndikimin më të madh. Në kohët e mëparshme janë shtypur gati gjashtë milionë kopje çdo ditë. "Kjo është magjia e gazetës Bild, që ajo sjell një shkallë të lartë reflektimi në një nivel, që është i kuptueshëm me ose pa diplomë universitare," analizon eksperti i mediave nga Berlini, Norbert Bolz. "Shumë prej redaktorëve të shtëpisë botuese Springer e konsiderojnë sot veten si artistë gazetarë, të cilët e dinë shumë mirë se duhet të përballojnë sfidat e dizajnit." Tipike për këtë lloj zhanri është edhe madhësia e titullit, që e përmbledh si duke luajtur temën e ditës në një rresht: Si për shembull "Ne jemi Papë" për emërimin e Papa Benediktit XVI.

"Ne jemi Papë" Tituj me shkronja të mëdha
"Ne jemi Papë" Tituj me shkronja të mëdha

Nga njerëzit për njerëzit

Gazeta i tregon historitë me pamje dhe të personalizuara, me figura të stilizuara prominentësh, apo viktimash. Specialisti i mediave Bolz e sheh kështu të plotësuar elementin qendror të shtypit bulevardesk, një komunikim të drejtpërdrejtë "nga njerëzit për njerëzit, që e bën të panevojshme përdorimin e termave abstrakte, ose të teorive për të shpjeguar botën."

Kritikët e akuzojnë gazetën Bild pikërisht për këtë qasje. Për dekada me radhë, sidomos publicisti Günter Wallraff i denoncon teknikat e hulumtimit. "Merak duhet të bëhesh për ata, që nuk mund të marrin në dorë telefonin, ata që nuk kanë avokatë, të cilëve edhe vetë Bild-i u druhet", thotë kritiku i Bild-it Wallraff sot në lidhje me telefonatën e Presidentit Wulff me kryeredaktorin, Kai Diekmann. "Unë posedoj letra lamtumire nga vitet shtatëdhjetë, të njerëzve, që pas historive të trilluara dhe shpifjeve kanë kryer vetëvrasje."

"Gazetari e rambove" në vitet shtatëdhjetë

Në figurën e Totges Heinrich Boell paraqet reporterin e gazetës Bild si mishërimin e së keqes. ("Nderi i humbur i Katharina Blum-it"). Në vitet gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë gazeta Bild ishte armiku më i keq i opozitës jashtë parlamentare. Lëvizja studentore akuzonte koncernin Springer, të cilit i përkasin "die Welt", "BZ", "Berliner Morgenpost" dhe "Hamburger Abendblatt" se mbështet në mënyrë të njëanshme institucionet. Redaktorë të grupit Springer shaheshin si "neofashistë".

Presidenti Wulff dhe kryeredaktori i gazetës Bild, Kai Diekmann
Presidenti Wulff dhe kryeredaktori i gazetës Bild, Kai DiekmannFotografi: picture-alliance/dpa

Në kohën time reporteret e Bildit ishin rambo, që u hynin njerëzve në shtëpi. Sigurimi i fotografive shpesh bëhej në këtë mënyrë, që prindërit, fëmijët e të cilëve ishin bërë viktimë e krimeve seksuale, kërcënoheshin, ose të jepnin fotografinë, ose do të merrnin një fotografi nga morgu, në qoftë se ata vetë nuk ua jepnin", kujton Wallraff. "Sot në gazetën Bild ka gazetarë, që i kundërshtojnë metodat e tilla, vetëm që nuk janë për fat të keq ata, që zënë vendet drejtuese."

Edhe për grupin gjerman të muzikës pop "Wir sind Helden" (Ne jemi heronj), duket se e kaluara nuk ka marrë fund. Në një letër të hapur ato e refuzojnö kërkesën e një agjencie reklamash, për të pozuar në postera për gazetën.

"Bild bën politikë"

Politikanët, kështu thuhet, jo rrallë herë vënë në dispozicion fotografi dhe histori, ndoshta për një raportim dashamirës - për aq kohë sa miqësia të zgjasë.

Kritiku i gazetës Günther Wallraff
Kritiku i gazetës Bild, Günther Wallraff.Fotografi: dapd

"Bild bën politikë, Bild shoqëron politikën, ka ndikim në politikë," thotë Günter Wallraff. "Shpesh ia del, shpesh dështon, shih ngjitjen dhe rënien e von dhe zu Guttenberg-ut." Për vite me radhë, ish-ministri i Mbrojtjes u mbështet nga titujt miqësorë të gazetës.Por ndryshe nga vitet shtatëdhjetë parimi i shtypit bulevardesk ka fituar mbi lidhjet partiake: "Me Gerhard Shrëderin "Bild" ka më pak probleme se me një president të zbehtë nga CDU," thotë Norbert Bolz, sepse: "Bulevardi do të thotë, sensacion, skandal, famë dhe në qoftë se një politikan ka famë, atëherë Bild nuk merr parasysh se nga cili krah ai vjen."

Shtypi bulevardesk si reflektim

"Bild" është një reflektim - sigurisht në shumë raste një reflektim i shtrembëruar dhe shpesh një reflektim në një pasqyrë të madhe konkave i deformimeve të shoqërisë," thotë Wallraff.

Në krahasim ndërkombëtar debati gjerman duket thuajse i pa të keq: në Francë, debati rreth shtypit bulevardesk shpërtheu, pasi paparacët shkaktuan vdekjen e një ish princeshe. Gazeta britanike "News of the World", e ndaluar tashmë, kishte përgjuar prominentët. Gazeta zvicerane SonntagsBlick humbi kryeredaktorin e saj të fundit për shkak të fotografive të manipuluara nudo të së dashurës të një ambasadori.

Autorin: Johanna Schmeller/Angjelina Verbica
Redaktoi: E. Xhani