1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kim tot

19 Dhjetor 2011

Pas vdekjes së pushtetmbajtësit koreanoverior Kim Jong Il në vend i është bërë thirrje popullit që të mbështesë pasardhësin e tij, të birin më të vogël Kim Jong Un. Duket se ai është përcaktuar si pasardhës.

https://p.dw.com/p/13VLs
Kim Jong Il
Kim Jong IlFotografi: dapd

Kim Jong Il ka vdekur të shtunën nga një sulm në zemër. 69-vjeçari Kim Jong Il ka ardhur në pushtet në këtë vend komunist në vitin 1994, pas vdekjes së babait të tij dhe themeluesit të shtetit koreanoverior Kim Il Sung.

Kim Jong Il kishte probleme shëndetësore edhe më parë, por ishte infarkti në zemër ai që të shtunën shënoi përfundimin e epokës së udhëheqësit të dashur në vendin e tij, Korenë e Veriut. Në momentin e vdekjes Kim Jong Il ishte në një tren, gjatë udhëtimit jashtë kryeqyteit Penjan.

Agjencitë shtetërore të lajmeve menjëherë bënë të ditur se shkaku i vdekjes ishte mbingarkesa dhe rraskapitja fizike dhe shpirtërore e presidentit në angazhimet e tij për të mirën e popullit. Në fakt populli korean po vuan për një kohë të gjatë në kushte diktature, të imponuar nga udhëheqësi. Kushtet ekonomike në vend janë jashtëzakonisht të rënda. Shumë shpesh janë importuar gjëra ushqimore nga vendet e tjera, pas lëshimeve politike që ai ka bërë në lidhje me politikën atomike.

Kim Jon Il jetonte në kushte luksoze, populli vuante

Vladimir Putin dhe Kim Jong Il.
Takimi me PutininFotografi: dapd

Kim Jong Il nuk ishte aspak i prekur nga mangësia dhe varfëria. Ai jetonte në kushte luksoze, sikur edhe i ati i tij Kim Jong Sung, duke pirë konjak nga Franca dhe duke shikuar video amerikane. Por edhe më parë kishte pasur probleme shëndetësore. Në vitin 2008 ai pati një sulm tjetër që e detyroi për muaj të tërë të shërohet larg syve të opinionit.

Kim Jong Il ishte një politikan kryesisht i tërhequr dhe nuk fliste shumë për veprat dhe planet e tij. Me petkat e njëjta të kaltërta dhe syze të zeza ai paraqitej në opionion vetëm në kohërat e festave të shtetit apo në udhëtime me tren - në drejtim të Kinës që e mbështeste politisht, apo të Rusisë.

Si pasardhës i tij i sigurt konsiderohet djali i tretë dhe më i vogël, Kim Jong Un, i cili një pjesë të shkollës e ka kryer në Zvicër. Babai i tij i ka kaluar këtij 30 vjeçari detyra të rëndësishme politike dhe ushtarake që në kohën sa ishte gjallë. Mendohet se për shkak të shkollimit të tij, ai mund të sjellë një frymë më demokratike në vend dhe të ndikojë në shtendosjen e raporteve me vendet e tjera.

Megjithatë, Koreja e Jugut dhe Japonia kanë reaguar me kujdes shumë të madh. Seuli ka urdhëruar ngritjen e nivelit të gatishmërisë së forcave ushtarake, ndërsa në Tokio kabineti qeveritar është mbledhur në një seancë krize për këshillime.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Elert Ajazaj