1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arti i vjedhur pret të kthehet në shtëpi

2 Dhjetor 2011

Inventarit të veprave kulturore në Shqipëri i mungojnë rreth 2200 objekte që ndodheshin në muze, ekspozita, kisha, koleksione,, etj. Për gjetjen e tyre autoritetet janë duke bashkëpunuar me homologët në vendet e tjera.

https://p.dw.com/p/13LTk
Apollonia
ApolloniaFotografi: DW/A.Muka

Duke hedhur një sy në listën e objekteve që mungojnë dallon se një nga sektorët më të goditur nga zhdukja e tyre është arkeologjia. Pre e grabitësve janë bërë dhe dy site-t më të njohur në Shqipëri dhe jashtë saj, Butrinti në sarandë dhe Apolonia në Fier. Për njërin nga arkeologët më të njohur në Shqipëri, prof. Neritan Ceka, këshilltar për kulturën i Kryeministrit, vendi u gjend i papërgatitur për hapjen e tij rreth dy dekada më parë në shumë aspekte. Njëri prej këtyre aspekteve është dhe mbrojtja e pasurive kulturore, thotë ai për DW.

“Sepse duke qënë një vend i mbyllur, i izoluar, i rrethuar me tela me gjemba dhe këto objekte nuk kishin rrezik. Në momentin kur Shqipëria u hap muzetë ishin të pambrojtura ,nuk kishin sisteme alarmi e sigurie. Pasuritë që njerëzit zotëronin në shtëpitë e tyre, ikona, objekte arkeologjike të trashëguara, vlera të ndryshme etnografike, libra të vjetër etj., u bënë shpejt pre e një trafiku e personave që vinin nga kryesisht nga Greqia, Italia e vende të tjera, të cilët i blenë këto objekte shumë lirë dhe më pas i transferuan ato pa lënë asnjë gjurmë. Por dhe nga gërmimet e paligjshme në qendrat arkeologjike si dhe nga grabitja e pasurive të kishave, librave, ikonave, pjesë ikonostasesh dhe kjo ka qenë një periudhë shkatërrimtare në këtë drejtim.”

Neritan Ceka
Neritan CekaFotografi: DW/A.Muka

Kriza e viteve '90, sipas prof. Cekës filloi të stopohej nga një sërë faktorësh që kishin të bënin me ndërgjegjësimin e autoriteteve përkatëse, por dhe të opinionit për të mbrojtur dhe mirëadministruar këtë pasuri kombëtare. Ai përmend dhe përvojën që u fitua nga vendet e tjera, përmirësimin e legjislacionit, si dhe përpjekjet për një inventarizim sa më të detajuar të cdo objekti me vlera të vërteta për kulturën.

“Shqipëria vuri në funksion dhe bashkëpunimin policor në kuadër të strukturave të Interpolit, ku nga shkëmbimi i informatave me partnerët është bërë e mundur rikthimi në vend i mjaft objekteve kulturore, mes tyre dhe ato nga arkelogjia, që ndodheshin në territoret e Greqisë, Italisë, Gjermanisë etj.”

Izet Duraku është drejtor i Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, që është institucioni i vetëm që me ligj krijon dhe administrin rrjetin informativ të trashëgimisë, që bën si të thuash “pasaportizimin” e unifikuar cdo objekti që përfshihet në të. Ai thotë për DW se në bazë të raportimeve që kanë bërë institucionet e ndryshme rezultojnë rreth 2200 vepra kulturore që mungojnë në inventar gjatë 20 viteve të fundit. Izet Duraku shpjegon se numri mund të jetë edhe më i madh, pasi për një sërë objektesh ka humbur dhe dokumentacioni e nuk ka asnjë gjurmë. Psh muzetë në Burrel dhe në Tropojë, apo në ndonjë qytet tjetër janë zbrazur tërësisht, duke zhdukur dhe dokumentacionin shoqërues. Gjithashtu ai shprehet se jo të gjitha objektet janë me vlera të njëjta, por sidomos nga fusha e arkeologjisë, ka humbje të pasurive të konsiderueshme për kulturën kombëtare dhe atë ndërkombëtare. Viti '97 ka qënë më rrënuesi për një pjesë të vyer të pasurisë kulturore, thotë Izet Duraku për DW.

“Ku janë hapur dhe dyert e muzeve që ne nuk mendonin se do të hapeshin, si muzeu i Butrintit, apo ai Apolonisë, që ishin dhe më të sigurta. Atë kohë u vodhën objekte me mjaft vlerë. Shumica e tyre, nga 11 të vjedhura 8 u kthyen sërish në Shqipëri. Pjesa tjetër është shumë e vështirë për t'u indentifikuar dhe nuk kanë asnjë element identifikimi.”

Izet Duraku
Izet DurakuFotografi: DW/A.Muka

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore e shikon inventarizmin e hollësishëm të të gjithë objekteve si një garanci për sigurinë e tyre. “Dhe në rastet kur ndodh nga grabitje për qëllime trafikimi apo për motive banale, ka më shumë mundësi rënia në gjurmë dhe rikthimi në vendin e origjinës”.

Në 10 vitet e fundit rezultojnë të humbura vetëm 155 objekte kulturore. Autoritetet zyrtare në Shqipëri duke marrë dhe mbështetje nga UNESCO, si dhe në partneritet me homologët në rajonin e Evropës Juglindore po bashkëpunojnë për forcimin e këtij sektori të rëndësishëm. Aktualisht Interpoli është në gjurmim të 39 objekteve dhe po përgatitet dokumentacioni dhe për një set tjetër objektesh që rezultojnë të grabitura.

“Kemi një bashkëpunim bilateral dhe multilateral me homologët në vendet fqinje, por dhe me shtete të tjera. Kjo frymë kooperuese nuk është e njëllojtë me të gjitha vendet, por ne jemi të interesuar që të përfitojmë nga eksperienca si dhe të arrijmë të shkëmbejmë informacion dhe të dhëna që posedojmë. Në këtë nivel është dhe bashkëpunimi policor, në kuadër të Interpolit, sepse në fakt ata janë finalizuesit e aksioneve për risjelljen e veprave të artit në vendin e origjinës.”

Prof. Neritan Ceka mendon tre rrugë efikase për të mbrojtur veprat e artit nga vjedhjet e dëmtimet e pariparueshme. Sensibilizmi i opinionit publik, që gjithcka posedon një qytetar duhet konsidreruar si pjesë të kulturës, traditës që duhet ruajtur nga përpjekjet në trafiqe të ndryshme. Së dyti, që ky inventar të bëhet pjesë e aktivitetit të kulturor të muzeve dhe qëndrave të tjera publike e private me këtë destinacion, që të ekspozohen për të intersuarit. Kjo, sipas prof. Cekës, i mban objektet në kushte më të mira sigurie. “Mënyra e tretë është respektimi rigoroz i ligjit, për cilindo që e shkel atë, duke vënë në aksion krahas institucioneve të drejtësisë dhe një polici të specializuar ashtu si e përdorin me efektivitet dhe vende të tjera të botës.”

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama