1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komisioni Europian për Mjedisin konfirmon frikën e ambjentalistëve shqiptarë

30 Nëntor 2011

„Nëse kontrollet dhe inspektimet nuk bëhen në mënyrën e duhur, ekziston mundësia që në Shqipëri të hyjnë ngarkesa të paligjshme,“ thotë një nga zëdhënësit e Komisionit Europian për Mjedisin.

https://p.dw.com/p/13JsV
Fotografi: AP

Ligji „Për menaxhimin e integruar të mbetjeve“ ka qenë në qendër të debateve, që nga momenti i propozimit të tij, deri tek miratimi në parlament vetëm me votat e mazhorancës për dy herë me radhë, pasi herën e parë ligji u kthye nga presidenti Bamir Topi. Nga njëra anë ishte argumenti i hartuesve të ligjit, se ai do të rregullojë situatën e mbetjeve në Shqipëri dhe nga ana tjetër opozita dhe shoqëria civile, që kundërshtonin nenet të cilët lejojnë importimin e mbetjeve në territorin e vendit, sepse bashkë me mbetjet e lejuara mund të hyjnë edhe ato të rrezikshme.

Frika ambjentalistëve shqiptarë se bashkë me mbetjet që lejohen të importohen do të hyjnë edhe mbetje të ndaluara, konfirmohet edhe nga Komisioni Europian për Mjedisin. Në një intervistë për Deutsche Welle-n, Joe Hennon, zëdhënës pranë këtij institucioni, tha se nëse kontrollet dhe inspektimet nuk bëhen në mënyrën e duhur, ekziston mundësia që në Shqipëri të hyjnë ngarkesa të paligjshme.

Kontrolli i ngarkesave në pikat doganore mund të bëhet nga specialistët e mjedisit, doganierët ose policia, por i pyetur nëse doganat shqiptare janë të përgatitura si duhet për këtë lloj importi Hennon u përgjigj se Komisioni nuk është në pozicionin për të vlerësuar një gjë të tillë.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe opozitës në Shqipëri, është se ligji mund t'i hapë rrugë magazinimit të mbetjeve në territorin shqiptar, ndërkohë në një intervistë për Deutsche Welle-n zëvëndës/ministri i Ministrisë së Mjedisit së Shqipërisë, Taulant Bino, deklaroi se magazinimi i mbetjeve ndalohet nga ligji. Në lidhje me këtë çështje zëdhënsi i Komisionerit Europian per Mjedisin, Janez Potočnik, deklaroi se magazinimi i mbetjeve sipas ligjit të Bashkimit Europian është i mundur për një veprim të përkohshëm, por këto ngarkesa i nënshtrohen proçedurës së njoftimit dhe pëlqimit para se të hyjnë në vend dhe dokumentat e ngarkesës duhet të përmbajnë informacion të detajuar mbi objektet e trajtimit përfundimtar.

Mbetjet në vendet anëtarë të Bashkimit Europian

Hennon bën të ditur se vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë probleme me inspektimin e ngarkesave me mbetje. Sipas tij inspektimet në porte, rrugë dhe kompani kanë treguar se 20% e mbetjeve që gjenden në Bashkimin Europian nuk janë në përputhje me ligjin e Bashkimit Europian për mbetjet.

„Origjina e ngarkesave me mbetje të paligjshme në vendet anëtarë të Bashkimit Europian duket se në një masë të madhe është i pakontrolluar, ashtu si dhe magazinimi dhe klasfikimi i tyre, pasi operatorët ilegalë mbeldhin mbetje për t'i eksportuar ilegalisht,“ thotë për Deutsche Welle zëdhënsi i Komisionerit Europian per Mjedisin Janez Potočnik

Shtetet anëtare të Bashkimit Europian në përgjithësi i trajtojnë mbetjet e tyre brenda territorit, por një pjesë janë të detyruar të eksportojnë pjesën më të madhe të tyre. Sipas statisiakve të vitit 2009 eksportuesit më të mëdhenj të mbetjeve të rrezikshme janë Hollanda, Italia, Franca dhe Belgjika, ndërkohë që nuk ka stastika për ngarkesat me mbetje të parrezikshme bën të ditur Joe Hennon zëdhëns i Komisionit Europian per Mjedisin.

Autor: Amarildo Topi

Redaktoi: Aida Cama