1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Stichwort Kinderarmut

16 Nëntor 2011

13,1milionë fëmijë jetojnë në Gjermani, që janë 14 për qind më pak se sa në vitin 2000. Me këtë Republika Federale është vendi më i varfër me fëmijë në Europë.

https://p.dw.com/p/13BWG
Pamje simbolike - një djalë ulur vetëm në stol.
Çdo të thotë të jetosh në varfëri në Gjermani?Fotografi: picture-alliance/dpa

Vetëm 16,5 për qind e të gjithë gjermanëve janë më të rinj se 18 vjeç. Dhe të gjitha shenjat flasin për atë që ky trend me më pak fëmijë do të vazhdojë të jetë vazhdimisht. Në vendet e tjera europiane si Franca, Britania e Madhe apo Holanda shifrat e fëmijëve përbëjnë mbi 20 për qind të popullsisë. Në Turqi është gati çdo i treti banor më i ri se 18 vjeç.

Ndërkohë që numri i lindjeve në Gjermani ulet, rritet varfëria. Prej vitit 1965 numri i lindjeve pothuajse është përgjysmuar për vit nga 1,3 milionë në 680.000. Numri i fëmijve që konsiderohen si të varfër është rritur në 16 herë. 15 për qind e fëmijëve në Gjermani, sipas një studimi të Zyrës Federale të Statistikave, që u publikua në gusht të 2011 janë të varfër apo të rrezikuar nga varfëria. Shumica prej tyre jetojnë në familje me një prind të vetëm. Më shumë se çdo i treti fëmijë që rritet vetëm nga nëna ose babai konsiderohet si i rrezikuar nga varfëria.

Çfarë quhet varfëri?

Për numrin e fëmijëve të varfër në Gjermani ka të dhëna të ndryshme, kryesisht për shkak të përkufizimeve të ndryshme të termit „i varfër“. Përkufizimi që paraqet raporti „Si jetojnë fëmijët në Gjermani“ i Zyrës Federale të Statistikave është i bazuar në një konventë të përcaktuar në nivel të BE-së. Sipas saj fëmijët konsiderohen si të varfër kur prindërit e tyre kanë në dispozicion më pak se 60 për qind të të ardhurave mesatare të një familje.

Për Republikën Federale pragu i rrezikut nga varfëria është kur fitohen 11.151 euro në vit , ose 929 euro në muaj. Për Organizatën për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik në Europë, OECD, varfëria fillon kur në dispozicion është 50 për qind e të ardhurave mesatare, duke bërë kështu që varfëria e fëmijëve të bjerë në Gjermani në 8, 3 për qind. Kombet e Bashkuara megjithatë flasin për 2,5 milionë fëmijë nën kufirin e varfërisë në Gjermani.

Pamje simbolike - katër fëmijë para vitrinës së një dyqani.
Studim i OECD-së për varfërinë e fëmijëve.Fotografi: dpa/DW

Nuk llogariten vetëm të ardhurat

Përveç vlerësimit të të ardhurave statistikore, janë edhe dy fusha të tjera që do të ndikojnë në përkufizimin e varfërisë: E ashtuquajtura „e ardhur ekuivalente“ llogarit efektin e kursimevem, që kanë për shembull familjet kundrejt personave single.

Në Irlandë përveç të ardhurave për matjen e varfërisë vlejnë edhe tiparet dalluese që përcaktojnë një standart minimal jetese. Këto përfshijnë ndër të tjera mundësitë për një vakt ngrënieje të ngrohtë çdo ditë ose mjete për të ngrohur një banesë. Kush nuk arrin dy nga shtatë karakteristikat e përcaktuara, bie nën të ashtuquajturën „ varfëri privimi“.

Varfëria në Gjermani dhe vende të tjera

Varfëria në Gjermani ndryshe nga ajo në pjesë të tjera të botës, jo gjithmonë do të thotë uri dhe etje. Varfëri në Gjermani shpesh do të thotë të mos ushqehesh aq mirë sa të tjerët, të kesh mundësi jo të mira për arsimim dhe më pak qasje në mundësitë për kalimin e kohës së lirë. Sidomos mundësitë e një arsimimi në kushte të këqia çojnë në një „trashëgim të varfërisë“.

Foto nga një mencë për fëmijë të varfër.
Në Gjermani të varfërit nuk vuajnëgjithnjë urinë, por problemet sociale mbeten të mprehta.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Vendimtare për standartin e jetesës është natyrisht niveli i mirëqënies së një vendi. Në një vend të pasur si Gjermania është e mundur që me të ardhura relativisht të ulta të jetohet më mirë se sa në në ato vende më pak të pasura. Ndërsa në Gjermani me rreth 11.000 euro në vit konsiderohesh si i varfër në të ardhura, tashmë në Portugali përshembull me rreth 6.000 euro të ardhura në vit nuk je më i varfër.

Por pavarësisht realtivitetit të përkufizimit të varfërisë, përmes këtyre shifrave, njerëzit në Portugali mund të ndjehen më mirë se sa gjermanë me më pak të ardhura sepse lidhjet e brendshme familjare dhe kushtet sociale ndikojnë fuqimisht në rastet e veçuara. Kontrasti është dramatik kur hedh sytë në shifrat e varfërisë në botë: Në gjithë botën jetojnë rreth 2,6 miliardë njerëz me më pak se dy dollarë në ditë, rreth një miliard nga ata jetojnë me më pak se një dollar në ditë. Veçanërisht serioze është varfëria në Azinë Jugore si dhe në vendet afrikane, në Saharën jugore. Aty tre të katërtat e njerëzve jetojnë me më pak se dy dollarë në ditë. Kjo mënyrë e varfërisë nuk mund të relativizohet me asgjë.

Autor: Günter Birkenstock / Mimoza Kelmendi

Redaktoi: E. Xhani