1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Plakje e popullsisë në Maqedoni

12 Nëntor 2011

Maqedonia ka gjithnjë e më pak banorë dhe popullsia është në plakje. Për të parandaluar këtë tendencë, në Maqedoni është miratuar Stategjia Kombëtare për zhvillim demografik, ku veçohet masa e stimulimit të natalitetit.

https://p.dw.com/p/139Zt
Plakje e popullsisë në Maqedoni
Plakje e popullsisë në MaqedoniFotografi: DW

Popullsia në botë po rritet kurse Maqedonisë, i ulet gjithnjë numri i banorëve dhe popullsia është në plakje. Vendi e kaloi pragun e moshës demografike, 15 përqind e popullsisë është mbi moshën 60 vjeçe, ndërsa numri i lindjeve është gjithnjë e më i vogël. Sipas statistikave, tre vitet e fundit ka një rritje të shtimit natyror të popullsisë, por nëse ai krahasohet me numrin e personave të moshuar, përqindja është joproporcionale, thotë Spiro Ristovski ministër i punës dhe politikës sociale.

Duke patur parasysh këtë trend negativ demografik, qeveria e Maqedonisë ka miratuar Strategjinë Kombëtare për zhvillim demografik. “Më këtë strategji parashikohet stimulimi i natalitetit, me të cilin familjet fitojnë të drejtën për shtesë të parave për fëmijët, për fëmijën e parë dhe të tretë. Me këto masa ne i stimulojmë qytetarët që të rrisin numrin e anëtarëve të familjes”, shprehet ministri Ristovski.

Qeveria nuk i ka ndërmarë të gjitha masat e duhura për mbrojtjen nga plakja e popullsisë apo zbutjen e këtij procesi që është një proces global, thotë profesori universitar Hasan Jashari. Stimulimi i natalitetit nuk është masë e mjaftueshme. “Lehtësimin e ardhjes së çifteve të reja nga vendet e botës së tretë në Maqedoni. Masat e tjera kanë të bëjnë me përmirësimin e jetesës, mbrojtjes së fëmijëve, shëndetin publik të nënës, masat për përmirësimin e banimit, shkollimit të gjeneratave të reja”, thotë Hasan Jashari.

Fillim i numërimit të popullsisë
Fillim i numërimit të popullsisëFotografi: DW

Plakja e popullsisë ndikon negativisht sidomos në rritjen ekonomike, në investime, prodhimtari dhe gati në çdo sferë të ekonomisë thotë Bilall Kasami, profesor universitar. Ai si një nga shkaqet kryesore thekson migracionin.

“Kemi një trend në rritje veçanërisht tek të rinjtë, të cilët fatin e tyre e shohin jashtë kufinjëve të Maqedonisë. Kjo paraqet një faktor limitues për zhvillimin e mëtutjeshëm ekonomik të Maqedonisë, sepse faktori njeri është një ndër faktorët kyç të zhvillimit ekonomik në një vend”.

Kur numri i popullsisë mbi moshën 65 vjet që nënkupton pensionistët rritet pa ndërprerë, atëherë në mënyrë rapide zvogëlohet produktiviteti i pjesës aktive të popullsisë, andaj Maqedonia duhet të ketë një politikë më proaktive dhe gjithëpërfshirëse, thotë Bilal Kasami.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Aida Cama